Kompensimi, fondi 5 mln $, asnjë afat për ish-pronarët
TIRANË- Qeveria shtyn pa afat shpronësimin financiar të ish-pronarëve sipas fondit monetar të përcaktuar për vitin 2008. Shkak është bërë pikërisht rishikimi i hartës së vlerës së tokës në të gjithë vendin. Burime pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, bënë të ditur dje për “Shekullin” se fondi prej 5 milion dollarësh ose afro 500 milionë lekësh të reja i përcaktuar nga qeveria për kompensimin e pronarëve legjitim për vitin 2008 është pezulluar deri në një afat të dytë kur dhe të ketë përfunduar rivlerësimi i tokës sipas vlerave reale. Ndërkohë që grupi ndërministror i punës i ngritur për këtë qëllim me përfaqësues të Ministrisë së Financave, të Ekonomisë, të Bujqësisë dhe të Turizmit nuk ka ende një material konkret në lidhje me hartën e re. Sipas të njëjtave burime vetëm në muajin tetor ky grup pune mund të ketë diçka konkrete për ti paraqitur më pas qeverisë për miratim. Kjo do të thotë që fondi prej 500 milionë lekësh i parashikuar për tu shpërndarë në muajin shtator, (sipas vendimit të qeverisë të miratuar në muajin qershor)pritet të ndahet vetëm në muajt e fundit të vitit, pasi kompensimi pritet që të bëhet sipas vlerave të reja që pritet të përcaktojë harta e re. Ndërkohë sipas të njëjtave burime mësohet se grupi ndërministror po bënë rivlerësimin e tokës jo në bazë të metodikës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, por nëpërmjet disa mekanizmave të tjerë vlerësues siç janë çmimet e agjencive imobilare. Kjo sipas shoqatës së ish-pronarëve “Pronësi me Drejtësi” përbën një shkelje të vendimeve të Kuvendit, pasi evitimi i saj nuk mund të bëhet për sa kohë Kuvendi nuk e ka shfuqizuar atë. Sipas sekretarit të kësaj shoqate Agim Toro, kjo përbën një veprim antiligjor, pasi metodika e vlerësimit të tokës është ende në fuqi dhe prandaj duhet të zbatohet. “Nuk mund të ketë fuqi ekzekutivi të shfuqizojë një vendim të marrë nga Kuvendi. Prandaj dhe rasti i mënjanimit të metodikës nga grupi ndërministror përbën një shkelje të rëndë”, - tha dje Toro. Sipas tij, metodika e vlerësimit të tokës është tepër pozitive, por ajo që nuk shkon në këtë rast është zbatimi i saj nga teknicienët dhe pasqyrimi në hartën e vlerës të tokës. Ish-pronarët gjithashtu vlerësojnë se shtyrja për në fund të vitit e shpërndarjes së fondit prej 5 milion dollarësh i parashikuar për kompensim për këtë vit është bërë edhe për një arsye tjetër që nuk ka lidhje me ribërjen e hartës së vlerës së tokës, por me qëllimet elektorale. Sipas tyre qeveria po kërkon ta shtyjë në maksimum këtë proces me qëllim përdorjen e tij për qëllime elektorale.
------------------------Titujt e pronësisë, qeveria akt nënligjor për zbatimin
TIRANË- Pas miratimit në Kuvend të ligjit për titujt e pronësisë dhe dekretimit nga ana e Presidentit të Republikës, Ministria e Bujqësisë u ka shpërndarë ministrive projektvendimin e qeverisë lidhur me zbatimin e ligjit në fjalë. Burimet bëjnë të ditur se vetëm në javën e parë të muajit Shtator, pas mendimit që do të japin ministritë, qeveria do të miratoje edhe vendimin përkatës. Menjëherë pas miratimit të vendimit pritet të fillojë edhe procedura për të formatuar përfundimisht komisionin qeveritar të tokës, sekretarinë teknike të këtij komisioni si dhe komisionet vendore në 12 prefekturat e vendit. Mësohet se projektvendimi i qeverisë ka përcaktuar dhe kriteret e formatimit të këtyre strukturave dhe sapo këto struktura të bëhen funksionale do të fillojë edhe kontrolli mbi ligjshmërinë e titujve të pronësisë. Ligji ka të përcaktuar që të ushtrohet kontroll i imtësishëm në ato zona me përparësi turizmin dhe në zonat urbane, ku kontrolli do të jetë në bllok për të gjithë titujt e pronësisë. Ndërsa për zonat e tjera do të ketë përzgjedhje për ato tituj ku ka informacione apo ku ekzistojnë probleme apo konflikte mbi vlefshmërinë e titujve të pronësisë të shpërndara në bazë të ligjit “për tokën”, ose siç njihet ndryshe ligji 7501 dhe ato të shpërndara në bazë të ligjit 8053 që është ligji që ka ndarë pa shpërblim tokën e ish-ndërmarrjeve bujqësore. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë disponon edhe të dhëna, sipas të cilave në zonat e mëdha urbane dhe ato me përparësi turizmi ka pasur mjaft raste problematike. Në listën e këtyre të dhënave përfshihen edhe tokat e NB-ve, që sipas zyrtareve, megjithëse janë dhënë si toka në përdorim janë një numër i madh subjektesh që në kundërshtim me ligjin i kanë kthyer ato në pronësi. Ligji ka përcaktuar afat trevjeçar për të kryer këtë proces.