Bilanci i tërmetit, nis verifikimi i dëmeve ekonomike
Tiranë - Në fshatin Gjoricë ka mbërritur grupi i ekspertëve teknikë, që do të bëjë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Në zyrat e Komunës Gjoricë janë paraqitur një grup ekspertësh nga Enti Kombëtar i Banesave Tiranë, i cili do të bëjë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti për gjithë banesat, si ato të pabanueshme, ashtu edhe për ato të dëmtuara pjesërisht. Në përbërje të këtij grupi me inxhinierë dhe teknikë do të inkuadrohen edhe kryepleqtë e fshatrave dhe drejtues të komunës. Po dje ka nisur puna e këtij grupi në fshatrat Gjoricë e Epërme dhe Çerenec, që kanë qenë dhe zonat më të prekura nga tërmeti i mesnatës së të dielës. Vlerësimi i dëmeve ëhstë ende në fazat e tij të para dhe do të duhet një harkj kohor prej disa javësh që një raport përfundimtar të bëjë vlerësimet e tërmetit.
Degradimi
Dhjetëra fëmijë të komunave Gjoricë dhe Shupenzë përfundojnë në spitalin e Bulqizës pas simptomave gripale dhe pleumonare të shkaktuara nga të ftohtit si pasojë e kalimit të netëve jashtë për shkak se banesat e tyre janë shkatërruar nga tërmeti. Burimet spitalore bëjnë të ditur se janë rreth 40 fëmijë të shtruar në spitalin e Bulqizes, por fluski pritet të shtohet më tej pasi fëmijët që kanë probleme shëndetësore nga i ftohti janë pikërisht fëmijë që detyrohen të kalojnë natën jashtë. Mjekët deklarojnë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën dhe të miturve po u jepet e gjithë ndihma mjekësore e nevojshme. Shumica e familjeve në Gjoricë dhe Shupenzë vazhdojnë ta kalojnë natën në qiell të hapur pasi banesat e tyre ose janë shembur ose janë dëmtuar rëndë. Mjaft prej banorëve janë përfshirë nga paniku për shkak se lëkundjet në këtë zonë vazhdojnë ende. Banorët akuzojnë qeverinë dhe pushtetin lokal pasi nuk ka vepruar në kohë për përballimin e pasojave të rënda të tërmetit 7 ballësh të së dielës mbrëma.
Ndihmat
Në ndryshim nga dita e parë, ku banorët ishin të heshtur dhe të shokuar nga tmerri që kishin përjetuar, dukej se durimit të tyre u kishte ardhur fundi. "Vazhdojmë të flemë jashtë në oborr, askush nuk e çan kokën për hallin që na ka gjetur", shprehen pothuajse në refren të gjithë, teksa qëndrojnë në radhë duke pritur të takojnë kryetarin e komunës, i cili për momentin nuk gjendet në zyrë. Sipas nënkryetarit të komunës, Liman Gjeleshi, komisionet e ngritura për verifikimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti kanë konstatuar se janë bërë të pabanueshme 64 shtëpi dhe 320 të tjera rezultojnë të jenë dëmtuar. "Kemi shpërndarë vetëm 30 çadra për akomodimin e familjeve të dëmtuara, ndërkohë që na nevojiten edhe shumë të tjera që presim të vijnë", thotë nënkryetari. Ndërkohë, sipas tij janë shpërndarë edhe 1.2 tonë me ndihma ushqimore si: vaj, sheqer, makarona etj. "Ka nisur puna për ngritjen e një kampingu me 20 çadra, por banorët nuk pranojnë të vijnë për t‘u strehuar në kamping, pasi nuk mund t‘i braktisin shtëpitë ku në afërsi të tyre kanë edhe bagëtitë", thotë Gjeleshi. Ndërkohë, mjaft banorë të zonës shprehin dyshimet e tyre për administratën e komunës, që sipas tyre nuk i vlerëson dëmet e shtëpive siç janë në realitet, por mban anë për familje me lidhje gjaku dhe gjinie.
Emergjenca, 750 banorë në situatë kritike
Ende nuk vërehen masa të marra nga pushtetarët vendorë dhe qeveria në dobi të familjeve të dëmtuara. Ndryshe nga dita e hënë, kur në derën e hyrjes së kësaj komune dy punonjëse të saj njoftonin se komuna ishte e mbyllur pasi punonjësit e saj kishin dalë në terren për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, dje komuna ishte e hapur, por ende copërat e suvatimeve të rëna nga lëkundjet nuk ishin pastruar. Njerëzit hallexhinj, të cilëve u ishin dëmtuar shtëpitë dhe flinin jashtë tyre në natyrë, vinin për të kërkuar ndihmë tek kryetari i komunës, Moiz Llani. Sipas kryetarit, mësohet se janë ngritur pesë grupe pune në përbërje të të cilëve janë kryepleqtë e fshatrave të shoqëruar nga një ose dy punonjës të komunës, të cilët do të shkojnë shtëpi më shtëpi. "Deri më tani, tha kryetari, paraprakisht nga listat e ardhura rezultojnë 150 shtëpi të dëmtuara tërësisht, pra që janë aktualisht të pabanueshme. Ndërsa 800 shtëpi të tjera janë të dëmtuara pjesërisht. Nga 150 çadra që nevojiten për strehimin momental të banorëve të dëmtuar, kanë ardhur nga qeveria vetëm 30 të tilla ose 20 për qind të planit total të tyre. Presim furnizimin tjetër, gjë për të cilën kemi bërë kërkesë pranë qeverisë për t‘u furnizuar me kontingjentin e nevojshëm të çadrave, por deri më tani nuk ka ardhur gjë". Kështu rreth 750 banorëve të mbetur të pastrehë nga dëmtimi i shtëpive, u është dashur që edhe natën e së martës ta kalojnë në natyrë, të mbuluar me plastmasë ose pranë zjarreve të ndezura në oborret e shtëpive të tyre të dëmtuara. Ndërkohë, sipas kryetarit të Komunës Shupenzë, një pjesë e banorëve të mbetur pa shtëpi janë sistemuar te të afërmit e tyre. Kryetari Llani bën me dije se deri më tani në këtë komunë nuk ka ardhur asnjë kontingjent me ndihma ushqimore. Ditën e hënë, para se në Gjoricë të ulej helikopteri i Kryeministrit Berisha, atje u ul një helikopter me ndihma ushqimore nga emergjencat civile, por siç duket ato ndihma ushqimore, nuk kanë mjaftuar për t‘u ofruar qoftë edhe një kilogram makarona, oriz, apo sheqer, banorëve të Gjoricës, e jo më të mjaftonte për fshatra dhe komuna të tjera. Në një situatë të tillë, nisur edhe nga fakti se lëkundjet e tokës, edhe pse me intensitet të dobët kanë vazhduar edhe gjatë natës së të hënës dhe së martës, duket qartë se njerëzit do të vazhdojnë të qëndrojnë jashtë edhe për disa net të tjera.
Banorët kalojnë natën e katërt jashtë
Banorët e tre komunave të zonës së Dibrës, të dëmtuara nga tërmeti i së dielës, kanë kaluar natën e katërt jashtë. Ministria e Brendshme ka ngritur dje pasdite kampingje në tre komunat Gjoricë, Shupenzë dhe Zerqan, për banorët të cilët iu shkatërrua banesa apo ka pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti. Por gjatë natës ato nuk janë shfrytëzuar, ose janë shfrytëzuar pak nga banorët e zonës. Një pjesë e mirë e banorëve nuk kanë pranuar të vendosen në kampingje për mungesë të kushteve higjeno sanitare. Gjithashtu ato nuk pranojnë që familjet e tyre, gratë dhe fëmijët, të ndajnë të njëjtën çadër me familje të tjera të zonës. Në kampingje ku do të rrinë gra dhe fëmijë nuk ka furnizim me ujë të pijshëm dhe banja- thonë banorët. Ata kërkojnë ngritjen e çadrave familjare nëpër oborret e banesave. Banorët kanë preferuar të kalojnë natën e ftohtë nëpër oborret e tyre duke shtirë në tokë jorganë, dhe duke u mbuluar me plasmas. Një ditë më parë burime zyrtare nga spitali i Bulqizës konfirmuan se dhjetëra fëmijë të komunave Gjoricë dhe Shupenzë kishin përfunduar në spitalin e Bulqizës me simptoma gripale dhe pleumonare të shkaktuara nga të ftohtit si pasojë e kalimit të netëve jashtë për shkak se banesat e tyre u shkatërruan nga tërmeti.
Tërmeti, më i fuqishmi i 20 viteve të fundit
Tërmeti me epiqendër në afërsi të fshatit Gjoricë është klasifikuar si më i fuqishmi i regjistruar në vendin tonë pas atij në vitin ‘79 me epiqendër në Shkodër. Lëvizja sizmike ka qenë me karakteristika të një tërmeti tipik, i cili do të shoqërohej me goditje e pasgoditje të tjera, afati i përfundimit të të cilit nuk mund të parashikohet me siguri. Lëkundja e tokës, që është ndjerë mesnatën e së dielës, ka alarmuar banorët, ndërkohë që ka vendosur në punë të gjithë rrjetin e emergjencave të sektorit të sizmologjisë. Specialistët e Institutit të Gjeoshkencave kanë bërë matjet dhe konfirmimet kohë pas kohe, në monitorët e tyre, për tërmetin e rënë në zonën më të rrezikshme të vendit sa i takon lëvizjeve sizmike. Specialisti i rrjetit të sizmologjisë, Rrapo Ormeni, sqaron detajet e intensitetit të tërmetit, përse zona Vlorë-Lushnjë-Elbasan-Dibër është territor i aktivizuar i tërmeteve. Sipas Ormenit, janë regjistruar rreth 100 pasgoditje, menjëherë pas tërmetit dhe në kushte të tilla pasgoditjet e tjera do të mund të vazhdojnë për 24-48 orë, për ditë të tëra, madje deri në dy javë. "Tërmeti i fundit në territorin tonë është ndier më shumë në katet e larta, edhe në qytetet ku ka pasur intensitet pak më të ulët. Ndërkohë që ky tërmet konsiderohet si më i fuqishmi i regjistruar pas vitit 1979, me epiqendër në Shkodër", sqaron Ormeni. Sipas specialistit të sizmologjisë, epiqendrat e tërmetit janë sforcime maksimale të krijuara nga përplasja e Pllakës së Adriatikut me brendësinë e tokës tonë.
11 Shtator 2009