Gripi i derrit, Ministria e Shëndetësisë përcakton fondin për blerjen e vaksinës
Jonida Tashi
Përcaktohet fondi për blerjen e vaksinës së virusit A/H1N1. Autoritetet Shëndetësore bëjnë të ditur se kanë negociuar me kompaninë e prodhimit të vaksinave, ndërsa fondi i vënë në dispozicion për sigurimin e tyre është 3 milionë dollarë. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, janë 1 milionë vaksina që pritet të mbërrijnë në vend dhe gati 1/3 e popullsisë do të mund të vaksinohet me këtë sasi të porositur. “Përveç masave të përgjithshme, vaksinimi luan rol të rëndësishëm për mbrojtjen e popullatës. Janë vënë në dispozicion mbi 3 milionë dollarë për prokurim vaksinash. Po bëhen negociata me kompani të ndryshme për të siguruar vaksinat në kohën më të shpejtë të mundshme”,- sqaron Bejtja. Këto deklarata drejtori i Shëndetit Publik i ka bërë gjatë një seminari të zhvilluar paraditen e djeshme me mjekët e shkollave në vend.
Seminari
Seminari i organizuar dje në Tiranë kishte të bënte me trajnimin dhe informimin e mjekëve të shkollave në mbarë vendin lidhur me virusin A/H1N1, simptomat dhe pasojat e tij. Duke marrë shkas nga situata në të cilën gjendet përhapja e këtij virusi në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë pohon se nuk ka arsye që të shtyhet hapja e shkollave të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm. Në këtë seminar, Gazmend Bejtja ka deklaruar se nuk ka rrezik për të mos hapur shkollat në 14 shtator. “Në këtë situatë që kemi ne nuk është e logjikshme të mbyllen shkollat, çerdhet etj. Nëse ka një shtim të rasteve në zona të caktuara, do të shikohen nga grupi i ekspertëve përkatës edhe mundësi të tilla. Tani për tani situata është stabël dhe nuk justifikohet asnjë veprim drastik i këtij niveli”,- u shpreh drejtori i Shëndetit Publik. Shkollat e arsimit 9- vjeçar dhe të mesëm pritet të fillojnë të hënën e javës së ardhshme më 14 shtator.
Përhapja
Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar dje për pesë raste të reja të dyshuara me grip derri në Shqipëri. Nga ana tjetër, autoritetet e Shëndetësisë deklarojnë se numri i personave të prekur nga virusi A/H1N1 në vendin tonë është më i lartë se ai që është raportuar zyrtarisht. Kjo deklaratë është bërë dje nga mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero, duke pranuar kështu për herë të parë në mënyrë indirekte “fshehjen” e rasteve të prekura nga virusi A/H1N1 në vend. “Sipas të dhënave të OBSH-së, orientimeve të saj apo eksperiencës së vendeve të tjera janë 10 apo 20-fishi i tyre të pakonfirmuar për shumë arsye. Së pari, situata klinike apo sëmundja ka qenë e lehtë, e neglizhueshme nga pacientët dhe ata nuk janë paraqitur për vizitë. Së dyti, procedura e bërjes së analizave është pak a shumë e gjatë. Unë do t’ju thoja që në Rumani janë mbi 100 mostra që presin të konfirmohen apo të analizohen”,- sqaroi Pipero. Aktualisht në Spitalin Infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ndodhen dy pacientë të prekur nga gripi i derrit, të cilët janë në ditën e fundit të kurimit me tamiflu dhe mjekët raportojnë se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm.
Gripi, mjekët e shkollave udhëzohen për masat parandaluese
Mjekët e shkollave do të luajnë një rol të rëndësishëm për të mbajtur në kontroll situatën gripale në institucionet arsimore. Dezinfektimi i shkollave, larja e herëpashershme e ambienteve të brendshme, higjiena personale e nxënësve si dhe mënyrat si të mbrohen nga përhapja e virusit H1N1 janë masat e rekomanduara në prag të fillimit të procesit mësimor. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë kanë udhëzuar mjekët e shkollave dhe specialistët e promocionit në të gjithë vendin se si të veprojnë për të parandaluar përhapjen e shpejtë të virusit. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, higjiena personale dhe e ambientit duhet të jenë në një nivel të lartë. Në rast se nxënësit kanë shenja klinike të gripit, ata duhet të mos paraqiten në shkollë dhe të marrin një kurim të kujdesshëm në ambientet e shtëpisë, nën udhëzimin e mjekut.
Hapja e shkollave
Pëllumb Pipero: “Prindërit nuk duhet të jenë në panik nëse marrin masat”
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero thotë se prindërit nuk duhet të jenë në panik për fëmijët e tyre nëse marrin masat e nevojshme. Duke ripërsëritur masat që duhet të respektojnë si fëmijët ashtu edhe prindërit për mbrojtjen nga virusi A/H1N1, Pipero apelon sërish se higjiena e pastër ul probabilitetin për transmetimin e gripit pandemik. “Shkollat të hapen, do t’i këshilloja prindërit të çojnë fëmijët në shkolla, por ndërkohë do t’i këshilloja ata të kujdesen që fëmijët e tyre të bëjnë vaksinën për virusin e influencës stinore. Së dyti, të kujdesen që fëmijët e tyre të kenë kartë-peceta me vete që t’i përdorin kur të teshtijnë, duke mbuluar pjesën e gojës dhe të hundës. Së treti, të kenë një shishe ujë me vete, për të pirë ujë të sigurt. Së katërti, do t’u thosha drejtorive të shkollave, autoriteteve të pushtetit lokal të marrin masa që në shkolla të mos mungojë uji dhe sapuni”,- përfundon listën e këshillave kryesore mjeku infeksionist. Sipas Piperos, tashmë është e vërtetuar që larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe me sapun e pakëson mundësinë e përhapjes së virusit.
Këshillat e mjekut infeksionit për fëmijët
Fëmijët duhet të vaksinohen për virusin e influencës stinore
Fëmijët duhet të kenë kartë-peceta me vete që t’i përdorin kur të teshtijnë, duke mbuluar pjesën e gojës dhe të hundës
Fëmijët duhet të kenë një shishe ujë me vete, për të pirë ujë të sigurt
Drejtoritë e shkollave, autoritetet e pushtetit lokal duhet të marrin masa që në shkolla të mos mungojë uji dhe sapuni
Larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe me sapun e pakëson mundësinë e përhapjes së virusit
11 Shtator 2009