QSUT, prej dy muajsh rezonanca magnetike jashtë funksionit
Prej dy muajsh rezonanca magnetike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjendet jashtë funksionit. Duke filluar që nga dita e parë e prishjes së saj e deri më sot, pacientët rrinë në radhë pritjeje me ditë të tëra, duke u detyruar ta realizojnë kontrollin në spitalet private. Mësohet se rezonancës magnetike i është prishur pajisja që vë në funksionim këtë aparaturë, vegël që ende nuk dihet se kur mund të rregullohet. Por pacientët që kanë nevojë të kryejnë këtë shërbim nuk janë vetëm nga kryeqyteti, por edhe nga rrethe të ndryshme të vendit. Këta të fundit po e vuajnë edhe më shumë prishjen e aparaturës, të cilët për shkak të largësisë nga Tirana qëndrojnë në radhë me ditë të tëra me shpresën se ajo do të rregullohet një ditë. Edhe më problematike është situata për pacientët që nuk kanë mundësi ekonomike ta realizojnë shërbimin në spitalet private. Pajisja e rezonancës, e cila ndodhet në Spitalin e Neurokirurgjisë në QSUT shërben për ekzaminim të rasteve me komplikacione, që nuk mund të diognastifikohen as nga skaneri. Çdo ditë në sallën ku kryhet rezonanca magnetike paraqiten dhjetëra pacientë, të cilët prenotojnë ekzaminimin, por për shkak të prishjes së aparaturës ata largohen pa e marrë shërbimin. Burime nga QSUT-së bëjnë të ditur se aktualisht nuk kryhet asnjë ekzaminim tjetër veç atij në shtyllën kurrizore. Për rrjedhojë, deri në rregullimin rezonancës magnetike, të sëmurët megjithëse kanë librezë shëndetësore duhet të presin me orë të tëra, ose t’i drejtohen spitaleve private që ofrojnë këtë shërbim me pagesë më të lartë.
11 Shtator 2009