E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Obama prezanton në kongres reformën për shëndetësinë



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, në një fjalim të mbajtur para Kongresit ka kërkuar mbështetje për reformën në shëndetësi që po has në debate të forta gjatë kohëve të fundit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka cituar një letër të kongresmenit Ted Kenedi që ndërroi jetë pak ditë më parë, duke theksuar se tashmë ka ardhur momenti për të kaluar nga fjalët në vepra. Plani i Obamës parashikon një siguri dhe stabilitet më të madh në fushën e shëndetësisë për të pakësuar numrin e amerikanëve që ende nuk janë përfshirë në skemat e sigurimit. Për herë të parë, Obama shpjegoi deri në detaje pikat e projektit të tij, që u “shtrëngon” kompetencat kompanive private dhe u jep frymëmarrje qytetarëve. “Askush në SHBA nuk duhet të ngelet pa asnjë dollar në xhep sepse është i sëmurë”,- theksoi Obama, duke shtuar se kjo është një reformë që ka nisur qysh prej viteve ’80 dhe finalizimi i saj do jetë kalimi i një finishi historik. Nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë siguroi republikanët e demokratët se kjo reformë nuk do ta rrisë deficitin asnjë qindarkë. Por në fjalën e tij, Obama ka ashpërsuar shumë tonet, pasi akuzoi kundërshtarët e reformes si njerëz që përdorin taktika terroriste. Kjo irritoi republikanët dhe në një moment, një prej tyre ulëriti: “Je një genjeshtar”. Nga ana tjetër, Obama kërkoi të qetësonte situatën duke vënë në dukje se ka marrë parasysh rekomandimet e ish-rivalit të tij, Xhon Mekein, por thumboi republikanët, duke thënë se shpenzimet për këtë reformë nuk i kalojnë ato të luftës në Irak dhe Afganistan.

11 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›