E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali për Magjistraturën, penalizohen në mes të garës mbi 200 të diplomuar për Juridik



Jonida Tashi

Penalizohen në mes të garës mbi 200 të diplomuar për Juridik për të vijuar Magjistraturën. Kjo ka bërë që të thellohet së tepërmi skandali i aplikimit për të vijuar Magjistraturën. Vetëm katër ditë para zhvillimit të provimit, për të fituar të drejtën e studimit në Shkollën e Magjistraturës, drejtuesit e kësaj të fundit i kanë njoftuar studentët se taksa regjistrimit nuk do t’u kthehet më edhe pse ata nuk do të futen në testim. Këtu bëhet fjalë vetëm për studentët që kanë përfunduar studimet e larta për Juridik në vitin akademik 2008-2009, të cilët urdhri i nxjerrë nga Ministria e Arsimit i ka ç’kualifikuar ata automatikisht nga e drejta e pjesëmarrjes në provim.
Përjashtimi
Sipas urdhrit të fundit që mban firmën e ministrit në ikje të Arsimit, Fatos Beja, studentët që ishin diplomuar në vitin akademik 2008-2009 dhe kishin marrë 240 kredite, mund të kalojnë tek Diploma e Integruar e Studimeve të Nivelit të Dytë për të fituar edhe 60 kredite të tjera. Vetëm në këtë mënyrë studentët e Juridikut mund të plotësojnë numrin e nevojshëm të krediteve për të vijuar Magjistraturën që është 300. Por me këtë urdhër të MASH-it, studentët janë njohur vetëm para pak ditësh dhe jo që në fillim të procedurës së aplikimit, në të kundërt askush prej tyre nuk do kishte pasur të drejtë të regjistrohej, dhe jo më të shpenzonte para për marrjen e dokumenteve dhe pagimin e taksës së regjistrimit. Sipas datës së vendosur nga drejtoria e Shkollës së Magjistraturës, provimi i pranimit do të zhvillohej në datën 14 shtator, ndërsa pagesa e regjistrimit për të marrë pjesë në të ishte 5 mijë lekë.
Vendimi
Vendimi i marrë nga MASH-i për studentët e diplomuar së fundi hedh poshtë atë të nxjerrë nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës për pranimet e reja të kandidatëve për magjistratë. Konkretisht në Vendimin Nr.34, datë 21.08.2009, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, në radhën e kritereve të pranimit të studentëve për konkurrim në Magjistraturë, për studentët e diplomuar në vitin 2009, përcaktonte se studentët që duhet të regjistroheshin për konkurrim në Shkollën e Magjistraturës duhet të ishin: Të diplomuar si “Jurist” në një Fakultet Drejtësie publik, apo jo publik të akredituar, brenda ose jashtë vendit. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5-vjeçar (3+2). Studentët që janë diplomuar në fakultete drejtësie jashtë vendit duhet të paraqesin për regjistrim edhe dokumentin e ekuivalentimit të diplomës së lëshuar nga Ministria e Arsimit në Shqipëri; Si dhe studentët e diplomuar si “Jurist” në vitin 2009 në programin minimal 4-vjeçar, me 240 kredite, kur diploma e fituar prej tyre është nominuar shprehimisht si Diplomë e Integruar e Nivelit te Dyte (DIND), ose kur diplomat e tyre janë të vërtetuara si të tilla nga Ministria e Arsimit, mbështetur në nenet 31 pika 6 dhe 89 te Ligjit Nr.9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Shtyhet data e provimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës

Konkursi i pranimit të kandidatëve për magjistratë, nuk do të zhvillohet ditën e hënë, datë 14 shtator 2009, por në datën 22 të po këtij muaji. Drejtoria e Shkollës së Magjistraturës njofton të gjithë të interesuarit, se për të vazhduar Magjistraturë, se konkursi i pranimit të kandidatëve për magjistratë do të zhvillohet në datën 22 shtator 2009, ora 8.00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Numri i kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që do të ndjekin Shkollën e Magjistraturës për periudhën 2009-2012 do të jetë 8 (tetë) vende dhe në profilin prokuror do të jetë 4 (katër) vende. Programi i pranimit përmban lëndët: E Drejtë Civile dhe Tregtare, E Drejtë Penale, E Drejtë e Procedurës Civile, E Drejtë e Procedurës Penale, E Drejtë Kushtetuese dhe E Drejtë Administrative, E Drejtë Familjare dhe e Drejta e Punës.

Shkresa që penalizoi juristët e këtij viti

Ministri i Arsimit i ka informuar bordin drejtues të Magjistraturës se këtë vit në Fakultetin e Drejtësisë, diplomohen studentët e parë që përfundojnë studimet sipas sistemit të Bolonjës. Sipas tij këto programe studimi janë hapur si programe të ciklit të parë me kohëzgjatje normale katër vite dhe si maksimum me 240 kredite. Për pasojë diplomat që ata kanë marrë nuk i jep atyre të drejtën të konkurrojnë për një diplomë të nivelit të tretë siç është studimi i diplomës së tretë (Shkolla e Magjistraturës). Për t’u regjistruar në programet e ciklit të tretë, Doktoratë, Master i Nivelit të Dytë, specializime ose Magjistraturë, kandidati duhet të zotërojë një Diplomë të Nivelit të Dytë, ose diplomë tjetër të fituar jashtë shtetit por, të ekuivalente me to e njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e vendit tonë. Çdo diplomë tjetër nuk do të ishte e vlefshme për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve. Studentët që diplomohen në këto programe studimi do të mund të vijojnë studimet e tyren ciklin e dytë dhe t’i përfundojnë ato pasi t’i kenë realizuar 60 kredite. Pas kësaj shkrese Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka vendosur ta pranojë kërkesën e Bejës duke përjashtuar kështu nga gara për këtë vit të gjithë studentët që kanë mbaruar me sistemin e Bolonjës, por që nuk kanë marrë ende Diplomën e Nivelit të Dytë. Në të njëjtën kohë, rregulla të reja janë përcaktuar edhe për të gjithë ata që kanë mundur të marrin titullin “Jurist” jashtë shtetit. Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Drejtues mësohet se ka vendosur t’i kërkojë zyrtarisht ministrit specifikimin e diplomave sipas sistemit të diplomave. Mësohet se kjo është bërë për të mos u ndryshuar herë tjetër më kriteret brenda pak ditësh, ndërkohë që një pjesë e mirë e këtyre kandidatëve ka kryer procesin e regjistrimit.

11 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›