E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilardo: Po fituam behem homo



Bosi i futbollit argjentinas, 71-vjeçari Karlos Bilardo dha një intervistë të “çmendur” për shtypin e vendit të tij e që ka bërë bujë në botë. Në rast se Argjentina e tij do të fitojë botërorin, presidenti i Diego Maradonës dhe vetë një kampion bote si trajner në vitin 1986, tha për radion “Telefe”, as më pak dhe as më shumë: “Cili do të shënojë golin në finale, është i lejuar të ma fusë nga prapa. E di që kjo do të bëjë dhe njerëzit do të thonë: ky është i çmendur. As që dua t’ia di fare, kryesore është që ne të bëhemi kampionë”. Te Argjentina është hapur gara: kush do të shënojë golin fitues të trofeut. Superyllit të ekipit, Lionel Mesi (22 vjeç) nuk i shkon shumë për shtat kjo punë.
Por i gatshëm mesa duket është 36-vjeçari i Boka Juniors, sulmuesi Martin Palermo. “Do ta shënoj unë golin dhe më pas do të vendos edhe një parukë”. Ylli i Mançester Sitit, Karlos Tevez: “Nëse do të shënoj unë, ai duhet të më qëndrojë larg”. Bilardo, i cili ka studiuar për gjinekologji, nuk është aspak kundër seksit në qendrën e grumbullimit të Argjentinës. “Gjatë dëmtimeve të lojtarëve duhen lejuar gratë të qëndrojnë pranë tyre. Djemtë duhet t’i kenë pranë gratë, por kurrë një ditë para ndeshjes”.
Bilardo shkon dhe më tej: “Nuk kam asgjë kundër masturbimi. 80 për qind e lojtarëve mund ta bëjnë këtë, gjatë kohës që bëjnë dush”. Atëherë, çfarë po ndodh te Argjentina? Legjenda Maradona deklaroi pak kohë më parë, se në rast të fitimit të titullit ai do të vraponte lakuriq në rrugët e Buenos Airesit. Tani shefi sportiv Bilardo bën një deklaratë edhe më të hapur, madje është gati të ofrojë edhe veten e tij.

Argjentina fiton “Miss Botërori 2010”

Fiton-s’fiton Argjentina Kampionatin Botëror, një bukuroshe nga vendi i Maradonës dhe Mesit e ka fituar atë. 17-vjeçarja bukuroshe Xhenifer Sherman është përzgjedhur si “Miss Botërori 2010”, në një konkurs të organizuar në Gjermani. Në vend të dytë doli Katerina Janoglu e Greqisë dhe në të tretin, Avalon Vajcig e Holandës. Një shembull frymëzimi për lojtarët e Diego Maradonës dhe një nxitje jo e vogël për të bërë një figurë të mirë. Sherman me origjinë argjentinase fitoi ndaj 31 konkurrenteve të tjera, të cilat mbanin të veshurat bluzat e kombëtareve një për çdo vend finalist të Kupës së Botës, duke fituar edhe një çmim prej 5 mijë eurosh dhe udhëtim në Egjipt. Sherman fitoi në të tre disiplinat, duke bërë një figurë të mirë: fillimisht me bluzën e Kombëtares së Argjentinës, më pas me veshje mbrëmje dhe në fund me bikini.
Seksi Xhenifer pas fitores : “Jam shumë krenare dhe e lumtur, që unë jam kampione”. Juria ishte shumë prestigjioze, ku midis të tjerëve ishin, Klaudia Efenberg, ish-gjyqtari i FIFA-s, Valter Eshvajler, kampioni i botës në vitin 1990, Pier Litbarski, por dhe ish-ylli i Bajernit, holandezi i njohur, Roj Makaj. Bukuroshja bionde: “Është gjithmonë e vështirë për mua, pasi zëmra ime rreh njëlloj si për Gjermaninë ashtu dhe për Argjentinën, por në këtë Botëror do të mbështes Argjentinën.
Edhe një shigjetë e ëmbël nga Sherman: “Argjentina në raport me ekipet e tjera ka futbollistët më joshës”.

Botërori, tani dhe çështje... prezervativësh

FIFA hodhi poshtë akuzat e disa shoqatave afrikanojugore të luftës kundër Sida-s, sipas së cilave ajo kishte bllokuar shpërndarjen e prezervativëve në stadiume dhe në parqet e tifozëve gjatë finaleve të Kupës së Botës. “As FIFA dhe as komiteti lokal organizator nuk e kanë bllokuar këtë aktivitet të luftës kundër hepatitit HIV’, - thuhej në një komunikatë të FIFA-s. Qeveria e futbollit botëror theksoi se “dy milionë prezervativë dhe broshura informacioni për Sida-n do të shpërndahen gjatë Botërorit”. Shoqata kishin bërë akuza të ashpra të enjten, ndërsa pandemia e virusit famëkeq ka kapur 5.7 nga 48 milionë banorë që ka Afrika e Jugut.

Franca, Henri e nis nga bankina

Sulmuesi më prodhimtar francez e ka humbur vendin e titullarit. Në vend të tij do të luajë sulmuesi i Çelsit, Nikolas Anelka

Sulmuesi më prodhimtar francez, me 51 gola në 121 ndeshje, dhe ish-kapiteni i skuadrës, Tieri Henri, i nisi nga stoli të tri ndeshjet miqësore në prag të Botërorit dh e parashikohet të bëjë të njëjtën gjë në finalet e Kupës së Botës për fituesit e vitit 1998 dhe finalistët e vitit 2006. 32-vjeçari, i cili nuk kaloi një moment të mirë te Barcelona sezonin e kaluar, tha se ai personalisht nuk ka asnjë problem pas humbjes së vendit të tij në vijën sulmuese në favor të Nikolas Anelka. “Kjo është logjike në futboll”, - tha Henri për gazetarët. “Në katër muajt e fundit, unë nuk kam luajtur shumë. Është një lojtar në sulm në vendin tim dhe ky është Niko. Unë e pranoj këtë”. Franca humbi miqësoren e fundit 1-0 me Kinën. Trajneri Domenek, gjithsesi, pa gjëra pozitive. “Unë mendoj se ne jemi duke u përmirësuar”, - tha ai për gazetarët, duke shtuar se Franca luajtur më mirë se në fitoren 2-1 kundër Kosta Rikës dhe barazimin 1-1 kundër Tunizisë.
“Unë nuk mund të them se ishim perfekt, por diçka më mirë”.
Franca ndodhet në grupin A, ku i duhet të përballët me organizatoren e Botërorit, Afrikën e Jugut, Meksikën dhe Uruguain. “Ne do të jemi të gatshëm kur të luajmë ndeshjen e parë (kundër Uruguait, 11 qershor). Do të rregullojmë gjithçka para asaj ndeshjeje”.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›