Festivali “Teatri ndryshe”, mbërrin në Podujevë
Podujeva ka pritur të premten edicionin e dytëtë festivalit të teatrit, “Teatri ndryshe”, i cili do të zgjatë deri më 10 qershor. Për gjashtë mbrëmje publiku do të ketë mundësi të shohë disa shfaqje në skenë të hapur dhe të mbyllur, të cilat në këtë festival sjellin risi të hulumtimit të shprehjes skenike. Podujeva ishte mbrëmë mikpritëse e artistëve nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Kosova, ku u organizua edhe hapja zyrtare e Festivalit gjithëkombëtar ambiental “Teatri Ndryshe”. Ky festival po mbahet nën patronazhin e kryetarit të komunës së Podujevës Agim Veliu. Regjisori Agron Gërguri, i cili është themelues dhe drejtues i këtij festivali, sivjet ka shtuar përpjekjet që ky festival të ketë karakter më të gjerë dhe pos shfaqjeve nga Kosova aty do të jenë edhe shfaqjet nga Shqipëria e Maqedonia. Në festival veç shfaqjeve garuese për çmimet e festivalit, përzgjedhjen e të cilave e ka bërë dramaturgu dhe regjisori Haqif Mulliqi, do të jetë edhe një shfaqje mysafire “Një përkujtim në kafe teatër” e regjisorit Haqif Mulliqi, e cila do të jepet në natën finale të festivalit. Në kuadër të festivalit do të ketë edhe debate pas shfaqjeve, për shfaqjet dhe për probleme të zhvillimit të teatrit, por do të ketë edhe aktivitete të tjera përcjellëse si, punëtori teatrore, ekspozita të artit figurativ, video prezantime, ekspozita të fotografive dhe performanca të tjera artistike. Gjithashtu në kuadër të festivalit do të ketë edhe prezantime librash që janë botuar mbi teatrin. Është planifikuar që kësaj here të prezantohen dramat e Milazim Krasniqit dhe dramat e sapo botuara të Ekrem Kryeziut. Ende nuk janë bërë të njohura shfaqjet pjesëmarrëse, (Festivali nuk ka një site zyrtar) ndërsa mësohet se Shqipëria do të ketë një prezencë me komedinë gri “Ana” e Angelo Longoni, me aktorët Romir Zalla dhe Marin Orhanasi, me regji të Alfred Trebickës, e cila do të jetë pjesëmarrëse në Festivalin e Teatrit në Podujevë, Kosovë.
“Nostalgjia e kinemasë” në ekranin e madh
45 filma, prodhime të kinematografisë botërore, pjesë e fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, të cilët kanë qarkulluar nëpër ekranet e kinemave tona në vitet ’70 – ’80 do të shfaqen për 15 ditë para publikut shqiptar. “Nostalgjia e kinemasë” është aktiviteti, i cili nisi të premten për të vijuar deri më 18 qershor, në sallat e kinemasë “Imperial”. “Nostalgjia e kinemasë”, një nismë e AQSHF-së synon të rizgjojë tek publiku i moshës së tretë tashmë, emocionet e dikurshme që u kanë dhënë këto filma, por edhe t’ua paraqesë më të rinjve. Kjo është një mënyrë e mirë për të tërhequr drejt magjisë së kinemasë të dy brezat, kjo edhe sepse filmat e përzgjedhur janë perla të kinematografisë botërore. Për këtë arsye aktiviteti quhet “Nostalgjia e kinemasë” sepse synon të rizgjojë tek publiku i moshës së tretë tashmë, emocionet e dikurshme që u kanë dhënë këto filma, por edhe tua paraqesë më të rinjve të cilët i njohin si tituj, por nuk kanë pasur më rast t’i ndjekin në kinema këto filma. Kjo është një mënyrë e mirë për të tërhequr drejt magjisë së kinemasë të dy brezat, kjo edhe sepse filmat e përzgjedhur janë perla të kinematografisë botërore. Shpërndarja e filmave do të jetë 3 tituj në ditë me nga 2 herë shfaqje, paradite dhe pasdite sipas programit bashkangjitur.
“AniFestRozafa”, i pari festival i filmit të animuar
Ishte fundi i dhjetorit 1975, kur në ekranin e kinemasë shqiptare do të shfaqej një film i pazakonte dhe i çuditshëm për publikun shqiptar. Ishte filmi i parë i animuar për fëmijë “Zana dhe Miri”. Ishin dy autorë të rinj në moshë, që kishin ëndrra, dëshira dhe pasion për të hapur një dritare të re në kinemanë shqiptare, por ata nuk mund ta merrnin me mend, se ajo kohë e shpenzuar në atë film, do të ishte sot guri i themelit për 200 filma animuar shqiptarë. Në vijim të aktivitetit të krijuesve të animacionit, në vendin tonë vjen “AniFestRozafa”, që është i pari festival i përvitshëm ndërkombëtar i filmave të animuar për fëmijë, që do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës. “AniFestRozafa” është i vetmi festival me karakter konkurrues në këtë gjini. Krijuesit e filmit të animuar dhe fëmijët artistë, të cilët merren me realizimin e filmave të animuar nga e gjithë bota, janë të mirëpritur të prezantojnë punët e tyre.
7 Qershor 2010