E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e të varfërve mbeten pa shkollë

Pakkush mund ta dijë, por para çeljes së vitit shkollor një pjesë e fëmijëve kanë mbetur pa u regjistruar në kopsht dhe shkollë. Në rastin më të mirë, ata mund të regjistrohen një vit më vonë, por nëse prindërit e tyre nuk shlyejnë taksat pranë njësive bashkiake, vitin e ardhshëm i mbetet të harrojnë fëmijërinë e të mendojnë të gjejnë punë...

Njësitë bashkiake jo vetëm në kryeqytet, sipas udhëzimeve nuk kanë lëshuar certifikata, vërtetime banimi, në rast se qytetarët nuk kanë paguar taksën vendore, për banesën, pastrim gjelbërimin, kuotën për shërbimin e televizionit publik shqiptar. Një pjesë e mirë e qytetarëve që jetojnë nën minimumin jetik nuk kanë paguar këto taksa, jo për 2009-ën dhe 2008-ën, por edhe për vite me radhë. Kjo është një pengesë e cila ka sjellë edhe "ngrirjen" e shumë fëmijëve në shtëpi, sepse mungesa e dokumentacionit nuk lejon që ata të regjistrohen në shkollë.

Këto të dhëna janë vënë në dukje nga Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara, sektor që ka referuar se një pjesë e fëmijëve nuk kanë mundur të regjistrohen në shkollë ose sepse nuk kanë pasur një certifikatë, ose sepse nuk kanë dorëzuar dokumentin që vërteton ciklin e vaksinimit.

"Ka nga ata fëmijë të cilët nuk janë regjistruar në shkollë sepse prindërit e tyre janë të varfër. Kjo do të thotë se u është mohuar e drejta e arsimimit, si e drejtë universale vetëm sepse në këtë rast, statusi i fëmijës varet nga statusi i prindërit. Nëse prindërit janë të varfër, atëherë fëmija nuk ka mundësi të ndjekë shkollën, nuk ka mundësi të blejë libra, nuk ka mundësi të arsimohet. Veç kësaj pike, një tjetër problem që ka sjellë pengesë në regjistrimin e fëmijëve në shkolla dhe kopshte ka qenë edhe mungesa e kartelës së vaksinimit", deklaroi juristja Rezarta Abdiu, drejtuese e Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara. Sipas saj, një pjesë e madhe e fëmijëve të paregjistruar, të cilët nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë, janë edhe anëtarët e komunitetit rom dhe atij egjiptian.

Jo vetëm për arsye të mungesës së certifikatave, por edhe për arsye të kartelës së vaksinimit, ata nuk kanë mundur të nisin vitin shkollor 2009-2010. Pavarësisht se komuniteti rom dhe ai egjiptian njihen si dy komunitete me probleme në procesin e regjistrimit, e drejta e shkollimit për të qenë pjesë e komunitetit të nxënësve është universale, e cila nuk mund t‘i mohohet askujt.

Një pjesë e shkollave dhe kopshteve nuk kanë pranuar të regjistrojnë as fëmijë që nuk kanë pasur certifikata dhe as ata që nuk kanë pasur kartelën e vaksinave. Njëkohësisht edhe njësitë bashkiake nuk kanë bërë tolerime për lëshim dokumentesh identifikimi për të gjithë ata që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit. Sipas punonjësve të njësisë bashkiake numër 1, në Tiranë, në pjesën më të madhe të rasteve janë bërë për prindër të cilët janë lutur dhe përgjëruar që fëmijët e tyre të mos mbeten pas shkollë.

Burokracitë, apo pengesat e hasura për regjistrimin e fëmijëve në kopshte dhe shkolla konsiderohen si stimuluese për largimin e të vegjëlve nga bankat e shkollës dhe humbjen e tyre të fëmijërisë, duke menduar për të gjetur një punë për të ndihmuar familjen dhe jo për të qenë pjesë e komunitetit të nxënësve, si të gjithë bashkëmoshatarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›