E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë kohë më parë

"… Shumë ngrehina në Gjirokastër duket se kanë qenë ndërtuar prej të pafeve venedikas, sepse në to mund të shihen portretet e Shën Markut, i cili është simboli i Venedikut. Sipas regjistrit administrativ të Sulejman Khanit, Gjirokastra është has, që i përket pashait të Delvinës dhe administrohet nga një vojvodë. Ajo ka një kadi me nivel page prej 180 akçesh… Ndër zyrtarët e tjerë të këtij qyteti janë shejhyilsami, nakibyleshrafi, qehajai i spahijve, komandanti i jeniçerëve, inspektori i financës, tagrambledhësi, qehajai i qytetit, nëpunësi i taksës për frymë, kryearkitekti, subashi, dizdari i kalasë dhe 200 trupa garnizoni. Kalaja është një ndërtim i hershëm prej guri, i ngritur përgjatë një kreshte shkëmbi të lartë, ka një perimetër prej 1400 hapash dhe shtrihet nga lindja në perëndim, në një gjatësi prej 600 hapash të gjerë dhe në një gjerësi prej 100 hapash. Bedenat e gjatë e të ngjeshur i japin pamjen e një anije galerë…
… Qyteti i Gjirokastrës jashtë kalasë (varoshi). Përballë portës lindore të kalasë, teposhtë një bregu të pjerrët është mëhalla e të pafeve, e quajtur Kyçyk Varosh (Qyteti i Vogël) Përbëhet prej 200 shtëpish ogurzeza, por me plot hapësirë. Nën shkëmbinjtë në veri të kalasë gjendet pazari i vjetër, i quajtur Pazari i Kalasë, me 40 dyqane të vogla. Ky pazar ka porta druri në të dyja pikat fundore, shumë të ngjashme me ato të bezisteneve, të cilat rojtarët i mbyllin çdo natë. Me t‘u mbyllur këto porta, nga kjo anë nuk mund të dilet nga qyteti e të hyhet në kala. Mund të hyhet vetëm nga porta në anën e sheshit të namazgjahut. Më teposhtë, në Byjryk Varosh (Qyteti i Madh), është pazari i Memi Beut, i ndërtuar tani së fundmi, prandaj dhe këtë anë e quajnë Varoshi Memi Beg. Ai përbëhet prej 150 shtëpish moderne me çati prej rrase, stolisur me vreshta e kopshtije. Janë saraje hijerënda. Në këtë mëhallë gjendet gjithashtu selia e gjykatës së sheriatit, edhe kjo bamirësi e Memi Beut.
Qyteti i Madh i vjetër. Qyteti jashtë kalasë është i ngritur mbi tetë kodrina e lugina përqark kalasë, me shtëpi shumëkatëshe prej guri, të gjitha me çati me rrasa dhe me vreshta e kopshtije. Secila nga këto shtëpi, të ndërtuara për bukuri, ka kullë. Avllitë e oborreve të këtyre shtëpive janë me një lloj graniti të bardhë, të latuar prej mjeshtërish gurëgdhendës, si të ishin tulla Ankaraja nga një brum i vetëm. Avlli të tilla kanë si shtëpitë e të pasurve ashtu edhe ato të të varfërve. Gurë të tillë të prerë me kënde nuk gjen gjetiu mbi dhe përveçse në qytetet Tire e Manisa të Anadollit…".
(Më gjerë: Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mal i Zi, Ohër, Shtëpia botuese "55", Tiranë 2008, përktheu Abdurrahim Myftiu).

Henri Holland, 1813

"… Në Gjirokastër mbërrita mbasdite. Ky qytet, një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në Shqipëri, ndodhet në një pozicion shumë të veçantë në rrëzën e maleve në anën perëndimore të luginës, në një vend ku një sërë gropësirash të thella i afrohen njëra-tjetrës. Qyteti përbëhet nga disa lagje të veçuara. Grupe shtëpish qëndrojnë në lartësi të shkëputura, ose mbulojnë majat e shpateve të ngushta që ndahen nga gropësirat. Numri i shtëpive të gjitha së bashku, shkon afërisht në 4000, që të jep idenë se këtu jetojnë rreth 20000 frymë. E gjithë kjo popullsi është, pothuajse, shqiptare myslimane dhe thuhet se nuk ka më shumë se 140 familje të krishtera në qytet.
Pozicioni i Gjirokastrës në një sipërfaqe kaq shumë të pabarabartë, i jep vendit një pamje madhështore, efekt ky që rritet nga përmasat e shtëpive të disa prej banorëve më të rëndësishëm të qytetit. Mbi shpatin qendror, ku ndodhet pjesa më e madhe e qytetit, ngrihet kalaja e re. Kur të përfundojë ajo do të jetë një ndërtesë e madhe dhe shumë e fortë në raport me fortifikimet turke. Kur Ali Pasha shtiu në dorë Gjirokastrën, në fillim të vitit 1812, filloi punën për rregullimin e kalasë së vjetër. Punimet vazhdojnë me shpejtësi të madhe dhe gati 2000 punëtorë punojnë vazhdimisht… Jo vetëm pushteti politik, por gjithë pasuritë e qytetit iu dorëzuan Ali Pashës, në llogari të të cilit kanë hyrë taksat e menjëhershme të vjelura në vend, që janë pa dyshim po aq të larta sa në shumë qytete të tjera të zotërimeve të tij,. Marrja e këtij territori i ka undësuar Vezirot natyrshmë, shumë kënaqësi dhe ai vazhdimisht më foli për këtë, në një mënyrë mbresëlënëse të shprehuri. Biri i tij më i vogël dhe më i dashur, Sali Beu, është dërguar të qëndrojë në Gjirokastër, i emëruar si guvernator, megjithëse nuk është më shumë se njëmbëdhjetë vjeç. Kjo është bërë ndoshta me qëllimin për të mësuar djalin me traditat shqiptare, të atij populli që ai mund ta udhëheqë në të ardhmen dhe gjithashtu për ta mbrojtur atë nga zhburrërrimi në Janinë.
Me të mbërritur në Gjirokastër, shkova drejt e në kala dhe urpita nga Hasan Aga, komandanti dhe udhëeqësi shqiptar i Sali Beut. Ky ishte nga Tepelena, një burrë i moshuar por me pamje burrërore dhe mbresëlënëse. Në dhomën e tij unë gjeta katër a pesë nga funksionarët më të rëndësishëm të qytetit të veshur me luks të madh.
Njëri prej tyre ndiqte dhe drejtonte edukimin e Sali Beut. Koridoret për te dhoma ishin populluar nga luftëtarë shqiptarë. Unë kisha disa letra të veçanta të Vezirit për Hasan Agën, i cili më priti me shumë përkujdesje. Ai më siguroi strehë te njëra nga familjet e para greke të vendit dhe gjatë mbrëmjes, me anë të shërbyesve, më dërgoi një dhuratë që përbëhej nga dy dele, dy kallëp sheqer dhe një çantë të madhe me kafe…".
(Me gjerë: Henri Holland, Mjek tek Ali Pasha, Migjeni, Tiranë 2008, përktheu Arbëra Dobi).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›