E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Zgjedhjet lokale të 2011-ës, provë për LSI-në

Lëvizja Socialiste për Integrim është e bindur në marrëveshjen e saj me Partinë Demokratike, duke pranuar se prova e vërtetë pas këtij hapi mbeten zgjedhjet lokale të 2011-ës. Por sipas kreut të kësaj partie, Ilir Meta, tanimë i dekretuar në postin e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, kjo provë do të kalojë me sukses për shkak se duke qenë në qeveri, LSI ka mundësi të zbatojë programin e saj. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me krerët e kësaj partie në rrethe dhe anëtarët e kryesisë, ku u është komunikuar gjithçka rreth marrëveshjes që është nënshkruar dhjetë ditë më parë me Kryeministrin Sali Berisha. "Besoj se, me angazhimin e LSI-së në qeverisje, të gjithë duhet të kuptojnë se forcimi i LSI-së mbetet një prioritet i pazëvendësueshëm dhe natyrisht që konfirmim i vendimit të marrë nga LSI-ja do të jenë zgjedhjet vendore të ardhshme, ku jam i sigurt që për lëvizjen tonë rezultati do të jetë jashtëzakonisht pozitiv dhe inkurajues, sepse qytetarët janë lodhur nga grindjet dhe problemet e mëdha të vëna re sidomos brenda Partisë Socialiste", deklaroi Ilir Meta.

Për të bindur drejtuesit vendorë mbi marrëveshjen me Berishën dhe suksesin që e pret LSI-në në 2011-ën, kreu i LSI-së u kujtoi atyre marrëveshjen që nënshkroi në 2006-ën me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, një marrëveshje që sipas tij nuk u zbatua në asnjë moment. "Ne vetë e dimë që bëmë një marrëveshje me këtë forcë politike në vitin 2006, e cila nuk jetoi më shumë sesa një vit, dhe për kaq kohë, me paterica, derisa u rizgjodh kryetar i kësaj partie në krye të Bashkisë së Tiranës. Një marrëveshje që nuk u respektua asgjëkund, në asnjë nivel. Ne nuk kemi kohë të humbasim me njerëz që nuk kanë asnjë përgjegjshmëri dhe asnjë lloj serioziteti", tha Meta, duke shprehur bindjen për të ecur përpara në këtë partneritet të ri, që është një risi për vendin e politikën shqiptare dhe që tregon se LSI-ja do të sjellë gjithmonë vlera pozitive, të reja, dhe me një karakter europianizues për politikën shqiptare, por edhe për vendin.

Më tej, kreu i LSI-së falënderoi krerët vendorë për kontributin e gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së të dhënë deri tani. Pikërisht në këtë moment, Meta kërkoi nga drejtuesit e rretheve sa më shumë angazhim për këtë stad të ri ku ka hyrë politika shqiptare, por edhe vetë LSI-ja, në mënyrë që të arrihet ridimensionimi i kësaj force si një forcë qeverisëse dhe e përkushtuar për reformat që i duhen vendit për të garantuar stabilitet, qëndrueshmëri, progres, dhe realizim të standardeve europiane gjatë këtyre katër viteve. "Por gjithashtu, dhe për të vazhduar punën për forcimin dhe rritjen e strukturave të LSI-së në të gjithë vendin, pas një analize që do të bëjmë në të gjitha rrethet, dhe në të gjitha njësitë vendore, sipas organizimit të LSI-së", nënvizoi kryetari i LSI. Ai vuri në dukje se vendimi për bashkëpunimin me PD ka qenë vendimi i duhur, i maturi, ka qenë më atdhetari, për të garantuar një qëndrueshmëri të vendit dhe një shpejtësi të re të reformave që na ndihmojnë edhe për të realizuar programin tonë të integrimit europian të vendit, por edhe ato premtime që ne kemi bërë për zhvillimin ekonomik dhe social e në mënyrë të veçantë për punësimin, për integrimin e moshës së tretë, dhe në të gjitha aspektet e tjera.

Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet në qeverinë e djathtë me tre poste ministrore: Ministrinë e Jashtme dhe postin e zv.kryeministrit të drejtuar nga Ilir Meta, Ministrinë e Ekonomisë të drejtuar nga Dritan Prifti dhe Ministrinë e Shëndetësisë të drejtuar nga Petrit Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›