Bilbilat që luajnë me milionat

"Me dhjetë minuta vonesë dhe nesë vazhdohet sërish me akuza dhe deri në bojkotim të kampionatit". Kjo është kundërpërgjigja e "xhaketave të zeza" pas akuzave të bëra ndaj tyre ditët e fundit nga drejtuesit e klubeve të futbollit, ku ajo e presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj ishte edhe më e drejtpërdrejta dhe plot me fyerje. Shoqata "Bashkimi i Gjyqtarëve Shqiptare" e drejtuar nga ish-gjyqtari i njohur Tahir Kastrarit reagoi përmes nje deklaratë për shtyp dhënë mediave. "Ka disa javë që gjyqtarët janë vendosur në shënjestër të presidentëve dhe trajnerëve të skuadrave, të cilat atëherë kur nuk arrijnë rezultatet që kërkojnë, e gjejnë fajin te gjyqtarët", - deklaroi ashëpr Kasrtrati. "Këto janë akuza denigruese për figurën e gjyqtarëve, të cilët paguhen shumë herë më pak se trajnerët". Në fakt, ky argument i shefit të shoqatës së "xhaketave" nuk mund të bindë askend, as atë vetë, pasi trajnerët janë në jo pak raste viktima të gabimeve "njerëzore" të gjyqtarëve. Tahir Kastrati, i cili e ka varur prej kohësh "bilbilin në gozhdë" dhe ka gjykuar në kohën e varfër të "drejtësisë komuniste", paralajmëron se nëse vazhdohet sërish me akuza në adresë të gjyqtarëve, atëherë ata do të shkojnë deri në masën ekstreme, bojkotim të kampionatit.
Së fundit edhe një paralajmërim për presidentët që harxhojnë disa qindra milionë lekë: "Në emër të shoqatës, deklaroi se nëse presidentët apo trajnerët e klubeve do të vazhdojnë me akuza të tilla edhe në të ardhmen, atëherë do të detyrohemi që të shkojmë deri në bojkotim të kampionatit", tha Kastrati. Si masë paralajmëruese, shoqata vendosi që të gjitha ndeshjet e javës së 15-të të fillojnë me 10 minuta vonesë.
Ditën e hënë Ilir Shulku, shefi i sektorit të garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, është i bindur se akuzat që bëjnë drejtuesit e klubeve ndaj arbitrave janë të pavërteta dhe të pabazuara. "Drejtuesit janë të papërgjegjshëm, që akuzojnë arbitrat si të korruptuar apo të paaftë, ose që japin vendime të qëllimshme në dëm të skuadrave të tyre" - thotë ish-trajneri i Besës dy edicione me parë. "Ky është një turp shumë i madh, që e bëjnë drejtuesit e klubeve ndaj arbitrave". Bosët e disa prej klubeve të Superligës kanë kritikuar shumë ashpër gjykimin e "xhaketave të zeza", duke i shpallur "persona non grata" në qytetet e tyre. Drejtues të ekipit të Vllaznisë (përfshire presidentin Fushaj) protestuan ashpër në lidhje me gjykimin e ndeshjes me Partizanin ndaj arbitrit ndërkombëtar, Sokol Jareci, ku sipas tyre Vllaznisë iu mohua një gol i rregullt. "Akuzat bëhen gjithmonë nga ekipet që humbin dhe që fitojnë të nesërmen dhe i lavdërojnë. I tërë futbolli shqiptar është shndërruar në një amatorizëm, ku të gjithë akuzojnë njëri-tjetrin. Të gjithë nuk kanë fuqi të luajnë, por merren me akuza dhe kundërakuza. Në bazë të provave filmike dhe të të gjithë specialistëve, është e dukshme që futbollisti i Vllaznisë ka qenë në pozicion jashtë loje dhe anulimi i golit ka qenë i drejtë". Ilir Shulku tha se: "Deri tani, nuk ka asnjë gjykim të dyshimtë. Në 14 javë kampionat kemi pasur dy raste. Goli i anuluar nga Guce, në ndeshjen Partizani-Elbasani dhe një penallti e dhënë pa të drejtë nga gjyqtari Sopjani, në ndeshjen Tirana-Flamurtari. Në këto raste, kemi pasur gabime njerëzore, por jo të qëllimshme dhe të paramenduara për t'i bërë dëm njërit apo tjetrit ekip", - shtoi ai.