Shabani, rekordmeni i te kuqeve “kandidon” për fanellën kuqezi

Agim Shabani, kosovari 19-vjecar me pasaportë norvegjeze konsiderohet një nga talentet e reja të futbollit shqiptar. Shabani është duke luajtur për ngjyrat e skuadrës norvegjeze Fredrikstad në Premier League. Qendërmbrojtës shqiptar – shpeshherë aktivizohet edhe si mbrojtës i majtë – luajti ndeshjen e parë zyrtare të tij për Fredrikstad në finalen e Kupës së Norvegjisë në vitin 2006, në të cilën Fredrikstad fitoi 3-0 kundër Sanderfjord. Qysh atëherë, Agimi është një lojtar i rregullit i formacionit. Me ekipin e dytë, Shabani ka shënuar edhe disa gola. Për Fridrikstad gjatë sezonit 2007 luajti edhe mesfushori Agim Gashi.
Shabani është formuar në klubin Trosvik të qytetit Fredrikstad, ku janë edhe rrënjët e shumë prej lojtarëve të rinj të Fredrikstad. Shabani (183 cm) është i njohur për rekordin e tij absolut, pasi gjatë sezonit 2007, ai morri tre kartonë të kuq në tri kompeticione të ndryshme dhe këto brenda katër ditësh: të parin e mori në Premier League kundër Stromsgodset, një ditë më pas me formacionin rezervë të Fredrikstad në Ligën e Dytë Norvegjeze kundër Lillehammer. Dy ditë më pas, Fredrikstad luajti kundër Nybergsund në Kupën Norvegjeze dhe sërish Shabani u ndëshkua me karton të kuq. Gazeta norvegjeze "Dagbladet" madje e botoi atëherë si një nga lajmet më të rrallë.
"Mbrojtësi për momentin është grumbulluar me përfaqësuesen norvegjeze U-19, por janë të gjitha gjasat që ai të thirret me Kombëtaren A të vendit nordik", - shkruan Arben Tahiri, një përfaqësues i grupimit të njohur "Tifozat kuqezi" për Skandinavinë, i cili jeton në Norvegji. "Shabani dallohet për lojën e tij të fortë fizike, sidomos në duelet me kokë", - shton Tahiri për "Albania-sport".
Fredrikstadt e përfundoi kampionatin norvegjez në vendin e 8-të me 36 pikë, po aq sa Valerenga e vendit të pestë. Kampion në Norvegji u shpall Bran Bergen, ku para një sezoni luajti me sukses edhe sulmuesi shqiptari Migen Memelli.