E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrë-Kalimash, tuneli ruhet nga 50 zjarrfikës

Qeveria miratoi dje ngritjen e një stacioni të Policisë për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimit në tunelin Thirrë-Kalimash. Vendimi i Këshillit të Ministrave erdhi pak ditë pas "shembjes" së vogël të pjesës së sipërme të tunelit që lidh Shqipërinë me Kosovën. Rruga Durrës-Kukës, e cila udhëhoqi fushatën e demokratëve në zgjedhjet e 28 qershorit, do të ketë një ekip të specializuar prej 50 vetash që do të kujdesen për mirëmbajtjen e tunelit Thirrë-Kalimash. Për shërbimet e personelit, qeveria ka vendosur në dispozicion 10 milionë lekë të reja. Numri limit i punonjësve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, në qarqe, ka arritur gjithsej në 739 persona. Në sektorin e PMNZSH-së së Qarkut Kukës, me vendim qeverie është shtuar stacioni i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, në tunelin Thirrë-Kalimash. Për mbrojtjen e tunelit do të jenë në dispozicion 27 zjarrfikës, policë dhe shpëtues, 17 shoferë zjarrfikëseje, 4 komandantë turni, një komandant stacioni ose oficer dhe një shef oficer. Qeveria vendosi që në tunelin Thirrë-Kalimash, në anën që lidhet me qytetin e Kukësit, të ngrihet stacioni i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si pjesë e sistemit të Drejtorisë së Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Emërimi, titullimi, transferimi dhe lirimi nga detyra e oficerit të stacionit të PMNZSH-së në këtë objekt të bëhen nga ministri i Brendshëm. Plotësimi me personel shërbimi i këtij stacioni do të bëhet nga prefekti i qarkut, me propozimin e shefit të stacionit të PMNZSH-së së objektit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 8766, datë 05.04.2001, "Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin", dhe me aktet e tjera nënligjore, të dala në zbatim të tij. Organizimi, drejtimi dhe formimi profesional i personelit të këtij stacioni do të bëhen nga shefi i PMNZSH-së së objektit dhe të kontrollohen nga drejtoria e PMNZSH-së. Efekti financiar për ngritjen dhe funksionimin e stacionit të PMNZSH-së arrin vlerën 10 milionë lekë për shpenzime personeli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›