Biletat, urbanët kërkojnë tjetër rritje të çmimit
Edhe pse çmimi i biletës u rrit me 50 për qind për transportin urban brenda Tiranës, situata nuk duket e përmirësuar, madje alarmante. Kështu e kanë cilësuar dje gjendjen e linjave të transportit brenda qytetit Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas. Shoqata ka paralajmëruar falimentimin e transportit urban në Tiranë dhe ka kërkuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë që të mbledhë në një tryezë të përbashkët drejtuesit e ministrive të linjës dhe Bashkisë së Tiranës për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për qytetarët dhe mosfalimentit të kompanive që merren me transportin e kryeqytetit. Kërkesa kryesore e tyre lidhet me rritjen e çmimit të biletës, me synim përmirësimin e shërbimit, si dhe marrjen e masave për subvencionimin nga ana e shtetit ndaj atyre personave që udhëtojnë falas. Duke marrë shkas nga situata, Dhoma e Tregtisë kërkon nga institucionet e linjës, përfshi edhe Bashkinë e Tiranës, që të gjendet një zgjidhje për këtë handikap të krijuar. Në takimin e zhvilluar dje, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkoi decentralizim të kompetencës për caktimin e çmimit të biletave të udhëtimit, për të garantuar fleksibilitet në varësi të ndryshimit të çmimeve të naftës. Miratimi i skemës për kompensimin e vlerave për kategorinë e qytetarëve që udhëtojnë falas, caktimi i organit shtetëror, që me përgjegjësi duhet të pajisë qytetarët me dokument identifikimi (për përfituesit falas), si dhe rritja e çmimit të biletës në vlerën që të garantojë investimet për rritjen cilësore të shërbimit, janë elementet bazë të zgjidhjes për transportin urban, kryesisht atë të Tiranës. "Të gjitha këto e kanë një zgjidhje me projektvendimin që është hartuar nga qeveria shqiptare që në nëntor të vitit të kaluar, por që deri tani nuk ka marrë formën e duhur për zbatim. Ky projekt konsiston në përcaktimin e qartë të skemës për kompensim të qytetarëve që udhëtojnë falas, duke sjellë kështu edhe një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi", u shpreh dje Dhoma e Tregtisë. Deri tani nuk ka një miratim të këtij projekti. Drejtuesit e ministrive përkatëse u shprehën që do të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për këtë problem, por mbetet Ministria e Punëve Publike ajo që nuk e ka bërë të qartë skemën e subvencionimit të këtyre kompanive përkatëse. Por as Bashkia e Tiranës, edhe pse kërkon që për pensionistët, për invalidët, apo qytetarë të tjerë të ketë transport falas, nuk ka kërkuar një zgjidhje nga pushteti qendror.