E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Durrësit kap në Tiranë dy hajdutë

"Novogatori" durrsak çon në pranga dy minorenë nga Tirana, që akuzohen për vjedhje kasetofonash. Një ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar me emrin e pajisjeve të vjedhura, "Novogator", shërbimet e policisë së Durrësit vunë në pranga dy adoleshentë, të cilët dyshoheshin për kryerjen e një sërë vjedhjesh të kasetofonave nëpër makinat e parkuara ndanë rrugëve në Durrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, të arrestuarit janë B.S., lindur dhe banues në Tiranë dhe K.H., lindur në Selanik dhe banues në Tiranë. Të dy janë 17-vjeçarë dhe lëviznin me një automjet tip "Reno 5", për të kryer vjedhjet e tyre. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin në qytetin bregdetar të Durrësit, së bashku ata kanë kryer vjedhjen e shumë kasetofonave në automjete. Vetëm të premten, më 1 maj, dy të arrestuarit kanë vjedhur një numër të konsiderueshëm kasetofonash. Të dy autorët u kapën në shtëpitë e tyre në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip "Reno 5", me targë TR5404G, të cilin dy djemtë e përdornin për të lëvizur mes Tiranës dhe Durrësit dhe për të kryer vjedhjet. Automjeti u braktis së bashku me sendet e vjedhura në Lagjen Nr.6 të Durrësit, në kohën që ata u vunë në ndjekje nga policia. Automjetet e dëmtuara prej tyre ishin të tipeve të ndryshme dhe u përkasin të gjitha shtetasve nga Durrësi dhe vetëm një prej tyre një shtetasi nga Kamza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›