E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bill Clinton koordinator ndërkombëtarë për Haiti

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, aktualisht i dërguar special i OKB-së në Haiti, do të emërohet koordinator ndërkombëtarë për të kryesuar përpjekjet për shpërndarjen e ndihmave në Haiti, pas tërmetit që shkatërroi këtë shtet, kanë njoftuar zyrtarë të OKB-së.

Duke folur në kushte anonimiteti, për shkak se vendimi ende nuk është kumtuar zyrtarisht, diplomatët dhe zyrtarë të OKB-së theksuan se Clintoni është favoriti kryesor për t’u emëruar si koordinator i ndihmave dhe përpjekjeve për rindërtim në Haiti.

“Kumtesa zyrtare e vendimit me gjasë do të bëhet gjatë kësaj jave”, tha një zyrtar i OKB-së. Një zyrtar tjetër theksoi se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, do ta emërojë formalisht Clintonin, i cili do ta përfaqësojë OKB-në në nivelin strategjik dhe do të koordinojë ndihmat, asistencën financiare dhe procesin e rindërtimit.

Disa diplomatë të Këshillit të Sigurimit theksuan se Clinton gëzon përkrahjen e fuqishme të shteteve anëtare të OKB-së.

Ata theksuan se ish-presidenti amerikan është personi më i përshtatshëm për këtë funksion, ngase ai mund të gërshetojë autoritetin e OKB-së me përvojën dhe lidhjet e tij në radhët e administratës së SHBA-së.

Clinton edhe ashtu ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet në Haiti dhe ai e ka vizituar këtë shtet pas tërmetit, për të parë nga afër përmasat e shkatërrimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›