E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina kundërshton takimin Obama-Dalai Lama

Çfarëdo takimi mes presidentit të SHBA-së, Barack Obama, me udhëheqësin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lamën, do të dëmtonte marrëdhëniet bilaterale, ka tërhequr sot vërejtjen Kina, duke përsëritur sërish refuzimin e Pekinit për të diskutuar për statusin e Tibetit me përfaqësuesit e Dalai Lamës.

“Takimi i Obamës me Dalai Lamën do të minonte seriozisht themelet politike të marrëdhënieve mes Kinës dhe SHBA-së”, tha Zhu Veiqun, nënkryetar i Frontit të bashkuar për punë të Partisë Komuniste të Kinës, i cili ishte përgjegjës për negociatat e fundit me përfaqësuesit e Dalai Lamës.

Kjo vërejtje Obamës ju tërhoq, pas sinjaleve të fundit të përcjella nga zyrtarët amerikanë, se Obama së shpejti mund të takohet me Dalai Lamën-takim ky të cilin zyrtarët kinezë dëshirojnë ta parandalojnë para vizitës në Washington të presidentit kinez, Hu Jinatao, me gjasë në muajin prill.

Zhu theksoi se argumentet, se Dalai Lama është vetëm një figurë religjioze, janë të gabuara, duke shtuar se ai është “kryesues i një lëvizje separatiste”.

Deri me tani nuk është kumtuar ndonjë datë për takimin e mundshëm mes Obamës dhe Dalai Lamës, por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Mike Hammer, theksoi muajin e kaluar se Obama i ka bërë të qartë Pekinit se synon të takohet me Dalai Lamën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›