E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta-Dejiang: Shqipëria, destinacion turizmi për Kinën



Kina synon hapjen e Institutit të Konfucit në Shqipëri si dhe ta kthejë Shqipërinë në një destinacion turistik për Kinën. Në përvjetorin e 60-të të vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, delegacioni kinez i nivelit të lartë i përfaqësuar nga zv.kryeministri kinez, z. Dejiang, u prit dje nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Ministri Meta vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe transmetoi ftesën për zyrtarët më të lartë të shtetit kinez, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, kryetarit të Asamblesë Popullore dhe ministrit të Punëve të Jashtme për të vizituar Shqipërinë. “Synimi ynë i përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dëshmohet edhe nga numri i madh i biznesmenëve dhe kompanive kineze që shoqërojnë zv.kryeministrin Dejiang, si dhe nga marrëveshjet me karakter ekonomik që u nënshkruan sot (dje)”, - u shpreh z. Meta. Më tej, Meta ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë për njohjen e një Kine të vetme, atë të Republikës Popullore të Kinës. Zv.kryeministri Dejiang shprehu gatishmërinë e qeverisë kineze për inkurajimin e ardhjes së investitorëve kinezë në Shqipëri, si dhe rikonfirmoi vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë në fushat e teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjitikës dhe infrastrukturës. Dejiang kërkoi një prani më të madhe të biznesmenëve shqiptarë në Kinë, me qëllim përmirësimin e bilancit të shkëmbimit tregtar në favor të eksporteve shqiptare. Dejiang theksoi gjithashtu synimin e stimulimit të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, duke shprehur në këtë kontekst dëshirën për hapjen e Institutit të Konfucit në Shqipëri si dhe e informoi z. Meta rreth vendimit të qeverisë kineze për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik për Kinën. Z. Meta i dhuroi z. Dejiang një seri të veçantë pullash postare me rastin e 60-vjetorit të marrëdhënieve, kurse z. Dejiang i dhuroi ministrit Meta një album fotografik dedikuar 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Po dje, zv.kryeministri i Kinës u prit edhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›