E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria, mbështetje Berishës për integrimin



Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Bruksel për një vizitë njëditore, ku mori pjesë në takimin e PPE, siguroi mbështetjen e Kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov për integrimin e Shqipërisë në BE. Z. Berisha dhe z. Borisov vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy qeverive dhe dy vendeve, të cilat bazohen në një mirëkuptim tradicional midis dy popujve. Kryeministri Borisov e uroi përzemërsisht Berishën për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe rikonfirmimin në detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Borisov e siguroi Kryeministrin Berisha për përkrahjen e plotë dhe mbështetjen e fuqishme të Bullgarisë për hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave. “Në takim u rikonfirmua angazhimi dhe vendosmëria e të dy qeverive për të thelluar dhe zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët në veçanti në fushën ekonomike dhe në inkurajimin e investitorëve bullgarë për të investuar në Shqipëri dhe për të shfrytëzuar me sukses potencialet që vendi ynë ofron” – thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë. Gjithashtu, të dy kryeministrat shprehën vendosmërinë dhe angazhimin për të punuar së bashku për promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit si dhe bashkëpunimit t gjithanshëm e të frytshëm në rajon në kuadër të nismave rajonale dhe vizionit të përbashkët të integrimit në BE për vendet e Ballkanit si dhe forcimin e mëtejshëm të stabilitetit dhe sigurisë në Rajon. Në takim u ra dakord për intensifikimin e shkëmbimeve të vizitave të nivelit më të lartë midis dy vendeve dhe në këtë kontekst Kryeministri Borisov e pranoi me kënaqësi ftesën e Berishës për një vizitë të shpejtë në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›