Bill Klinton mund të interpretohet nga Rasëll Krou
Aktori Rasëll Krou është afër marrëveshjes për të interpretuar rolin e ish-presidentit amerikan Bill Klinton në filmin “The Special Relationship”. Pjesëmarrja ose jo e aktorit australian në këtë film do të konfirmohet në janar, por një burim i afërt me producentët ka thënë për revistën britanike “Daily Express” se Krou është aktori favorit për të interpretuar Klintonin, edhe pse në vështrim të parë kjo nuk duket si zgjedhja ideale. Filmi do të trajtojë raportet mes ish-presidentit të SHBA-ve Klinton dhe ish-kryeministrit britanik, Toni Bleir. Rolin e Bleir do ta interpretojë aktori Majkëll Shin, i cili e ka interpretuar të njëjtin personazh në filmin “The Queen”, prodhim i vitit 2006.
Hudson: “Do të rri vetëm për një kohë të gjatë”
Keit Hudson e do aq shumë jetën e pavarur, saqë është betuar se do të qëndrojë vetëm sa më gjatë që të mundet. Aktorja e filmit “Almost Famous” ka qenë e martuar me këngëtarin e grupit “Black Crows”, Kris Robinson, kur ishte vetëm 20 vjeçe, por pas disa problemeve ata u ndanë në vitin 2007 dhe prej asaj kohe ndihet shumë mirë me pavarësinë e saj dhe gjendjen mendore. Në këtë mënyrë ajo nuk planifikon të ketë ndonjë lidhje serioze në një të ardhme të afërt. “Jam duke u kënaqur shumë me faktin që jam vetëm. Kënaqem shumë edhe kur kam ndonjë lidhje, mirëpo shumë më mirë ndihem kur nuk jam e ‘detyruar’ ndaj dikujt. Prandaj kam vendosur të mos martohem sa më gjatë që të mundem”, - ka thënë aktorja për revistën britanike “In Style”.
Albumi i ri i “No Doubt”, në vitin 2010
Grupi i riformuar i Guen Stefanit, “No Doubt”, e ka shtyrë incizimin e albumit deri për vitin 2010 me qëllim që të përqendrohen në turneun e tyre të rikthimit. Vokalistja e grupit së fundi ka njoftuar se në vitin që po vjen, grupi do të fillojë turneun, dhe njoftoi për përgatitjen e albumit të ri. Edhe bateristi Adrian Jung ka konfirmuar se grupi është duke punuar për albumin e ri, por përfundimi i tij do të zgjasë pak më tepër se ç’pritej. “Kemi punuar për albumin e ri prej një kohe të gjatë dhe do të vazhdojmë punën edhe vitin e ardhshëm. Në pranverën që vjen do të fillojmë turneun, ndërsa kohë pas kohe do të punojmë edhe për këngë të reja”, - ka thënë bateristi.
18 Dhjetor 2008