Obama shpallet “Njeriu i Vitit” nga “Time”
Revista “Time” ia ka dhënë çmimin e saj të përvitshëm “Personi i Vitit” Presidentit të ri të SHBA-ve, Barak Obamës. “Zotit Obama iu dha ky titull pasi pati guximin që në një moment të zymtë të paraqiste një plan ambicioz për të ardhmen”, - thotë revista amerikane. Sipas kësaj reviste, shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë ka treguar aftësitë e tij që i kanë bërë amerikanët të shpresojnë se ai mund ta shkëpusë Amerikën nga problemet”. Vitin e kaluar, fitues i çmimit u shpall ish-Presidenti rus, Vladimir Putin.
IZRAEL
24 turistë rusë vdesin në aksidentin me autobus
Së paku 24 turistë rusë kanë gjetur vdekjen në Izrael pas rrëzimit të autobusit të tyre afër vendit turistik në Detin e Kuq, Eilat. Dhjetëra të tjerë u lënduan, ndërsa 15 prej tyre u plagosën rëndë. Një zyrtar izraelit tha se autobusi ishte duke i çuar turistët nga aeroporti për në Detin e Kuq dhe kishte rënë në një humnerë afër rrugës. Grupi me turistë rusë kishte ardhur nga qyteti i Shën Petërburgut. Në vendin e ngjarjes mbërritën ambulanca dhe helikopterë ushtarakë.
BRITANI E MADHE
Do të tërhiqen 4100 trupa nga Iraku
Kryeministri britanik, Gordon Braun, bëri të ditur dje se Britania do t’i tërheqë 4100 trupat e saj nga Iraku jo më vonë se 31 maji i 2009-s. Braun e bëri të ditur këtë njoftim në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Nuri al Maliki, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Irak. Ndërkohë, në dy shpërthime të ndara u vranë 18 dhe u plagosën më shumë se 50 veta në Bagdadin Qendror. Në mesin e viktimave kishte edhe policë.
18 Dhjetor 2008