E Diel, 1 Nëntor 2026

HRW: “EULEX-i të hetojë krimet me motive etnike”

BE-ja të arrijë marrëveshje me shtetet anëtare për trajtimin e rasteve. Mungesa e vullnetit politik, shkak për ngecjen e shqyrtimit të krimeve të luftës

Blerina Olldashi
Organizata “Human Rights Watch” i ka bërë thirrje misionit europian në Kosovë EULEX që të hetojë dhe padisë krimet me motive etnike si dhe krimet në kohën e luftës. Në një letër të hapur drejtuar shefit të misionit Iv de Kermabon, organizata sugjeron se EULEX-i duhet të përgatisë strategjinë e hetimit të krimeve të luftës duke vënë rastet më serioze në prioritet pasi mungesa e vullnetit politik ka ndikuar në ngecje të dukshme të shqyrtimit të krimeve të luftës, si dhe vendosjen e dëshmitarëve të mbrojtur jashtë Kosovës. Hulumtuesja e “Human Rights Watch” për Ballkanin Perëndimor, Vanda Troszysnka-van Genderen, është shprehur se për shkak të mungesës së vullnetit politik ka qenë shumë e vështirë vendosja e dëshitarëve të mbrojtur jashtë territorit të Kosovës. “Deri tani ka qenë e vështirë vendosja e dëshmitarëve të mbrojtur jashtë Kosovës. Ka munguar vullneti për t’i mbrojtur ata që duhet të dëshmonin për krimet e luftës, krimin e organizuar dhe të tjera”,- tha Troszysnka-van Genderen. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë gjatë nëntë viteve të administrimit ka grumbulluar një varg informacionesh për krimet e luftës që janë kryer nga të gjitha palët e përfshira në Kosovë.
Pjesë e angazhimeve lidhur me këtë çështje është edhe mbrojtja e dëshmitarëve për rastet e caktuara, gjë që, sipas Troszysnka-van Genderen, ka ngecur jo vetëm për shkak të mungesës së vullnetit politik, por edhe për shkak të mosadresimit të duhur të problemeve teknike. “Mendoj se këtu kanë ndikuar dy çështje: e para është mungesa e vullnetit politik, ndërsa e dyta është më shumë një çështje teknike”. Në letrën e hapur që i ka dërguar shefit De Kermabon, organizata ka kërkuar hetimin urgjent të rasteve të krimeve me motive etnike, si dhe trajtimin e mungesës strukturale në sistemin kosovar të drejtësisë. “Ajo që i sugjerojmë Bashkimit Europian është të bëjë marrëveshje individuale ose grupore me shtetet europiane për të krijuar një kornizë bashkëpunimi për trajtimin e këtyre rasteve”,- u shpreh Troszysnka-van Genderen. EULEX-i konfirmoi marrjen e letrës, por ende nuk është dhënë një përgjigje zyrtare për letrën. Ekspertët kosovarë të drejtësisë në Prishtinë thonë se aspekti ekonomik ka ndikuar që në të kaluarën të mbroheshin vetëm dëshmitarët që kanë dëshmuar në raste të ndjeshme të krimeve të luftës në Kosovë. EULEX-i do t’i trashëgojë dosjet e krimeve të luftës dhe dosje të tjera nga UNMIK-u, bazuar në ligjin ndërkombëtar.

Haga dënon ish-ministrin Haraçia dhe Bajrush Morinën

Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar dje ish-ministrin e Kulturës në Kosovë Astrit Haraçia dhe bashkëpunëtorin e tij, Bajrush Morina. Në vendimin e trupit gjykues, Haraçia u dënua me pesë muaj burg ndërsa Morina me tre muaj për mospërfillje të gjykatës dhe presion ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Kryetari i trupit gjykues tha se në vuajtjen e dënimit do të llogaritet edhe koha prej 36 ditësh, të cilën të pandehurit e kanë kaluar në paraburgim.

Rusia mund të jetë pjesë e EULEX-it

Edhe pse kundërshtare e Kosovës dhe misionit të vendosur atje, Rusia mund të jetë pjesë e EULEX-it. Brukseli zyrtar nuk përjashton mundësinë që Rusia një ditë t’i bashkohet misionit EULEX në Kosovë. Një zyrtar i lartë i BE-së në Bruksel ka deklaruar se Rusia mund të jetë pjesëmarrëse në misionin EULEX. Por, sipas tij, zyrtarisht nga Moska nuk ka mbërritur asnjë kërkesë në Bruksel që t’i bashkohet misionit të BE-së. Ndërkohë thuhet se nga Kanadaja ka mbërritur kërkesa që t’i bashkohet EULEX-it dhe se kjo kërkesë është në proces e sipër të negociimit.

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›