Sarkozi për Greqinë: “Në demokraci vendosin zgjedhjet, jo protestat”
Presidenti francez Nikola Sarkozi, duke iu referuar protestave të dhunshme dhe situatës së tensionuar në Greqi, ka theksuar: “Në demokraci nuk vendosin protestat dhe demonstratat, por zgjedhjet”. Greqia është republikë dhe në një republikë ekzistojnë institucionet demokratike, zgjedhjet dhe një qeveri e ligjshme. Kur populli kërkon ndryshim, ky ndryshim bëhet nëpërmjet zgjedhjeve”. “E njoh shumë mirë Greqinë dhe me të vërtetë më erdhi keq kur pashë skenat në rrugët e Athinës. Për të gjithë Europën, Greqia është djepi i kulturës dhe kur shikojmë akte të tilla dhune dhe grabitjeje në një vend si Greqia, me të vërtetë kjo gjë mallëngjen dhe trondit paralelisht të gjithë botën”, - tha kreu i shtetit francez. Në Greqi protestat janë zhvilluar edhe dje. Një grup prej 50 studentësh hynë me forcë në vendin ku ndodhet Akropoli dhe varën një banderolë ku shkruhej “Rezistencë”. Në një banderolë tjetër shkruhej: “18 dhjetori është dita ndëreuropiane e aleancës. Dilni të gjithë në rrugë”. Protesta simbolike, që nisi në orët e para të paradites, vazhdoi rreth një orë. Një grup të rinjsh hynë forcërisht edhe në ndërtesën e Konfederatës së Përgjithshme të Punëtorëve të Sektorit dhe kërkuan lirimin e të arrestuarve në protestat e ditëve të fundit.
18 Dhjetor 2008