Vondra: “I gjithë Ballkani do t’i bashkohet BE-së”
Numri dy i qeverisë çeke, Aleksandër Vondra, ka deklaruar se i gjithë rajoni i Ballkanit do të integrohet në BE, përfshirë shtetin e ri të Kosovës. Megjithatë, Vondra theksoi se më parë duhet të zgjidhen problemet që ekzistojnë në këtë rajon, për të cilat Çekia do të kujdeset në mënyrë të veçantë gjatë presidencës së BE-së. “I tërë Ballkani Perëndimor do t’i bashkohet BE-së, ne po punojmë në këtë drejtim. Por më parë duhet të zgjidhen çështjet e mbetura pezull si ajo e Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë e të tjera”,- pohoi Vondra. Zëvendëskryeministri çek theksoi se samiti që do të zhvillohet në muajin mars mes ministrave të Jashtëm të BE-së do të ketë si temë çeshtjet e Ballkanit. Ai shtoi se prioritetet e Republikës Çeke gjatë presidencës së BE-së do të bëhen të ditura nga kryeministri Topolanek në janarin e vitit të ardhshëm.
18 Dhjetor 2008