E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuhiu: Do luaj për Kosovën

 

Leonard Karaj

Është definitive. Talenti shqiptar i U-21 të Austrisë dhe skuadrës së SV Riedit Atdhe Nuhiu nuk do të luajë për kombëtaren shqiptare. Megjithëse në shumë intervista të mëparshme futbollisti kosovar ka pohuar se “vdes” të luaj për Shqipërinë, tjetër gjë ka konfirmuar ai në një intervistë për të përditshmen shqiptare të Maqedonisë, “Lajm”. Sulmuesi i Riedit ka theksuar se nuk do të luajë për Kombëtaren shqiptare pasi mund të humbasë nënshtetësinë austriake. Por ai nuk ka ngurur të theksojë se të njëjtën gjë do ta bënte me shumë qejf nëse do t’i kërkohej nga Kombëtarja kosovare e futbollit. “Nuk mund të luaj për Shqipërinë, sepse do ta humbja shtetësinë e Austrisë. Ata më kanë ftuar, por unë e kam refuzuar, megjithatë kontaktet nuk i kemi humbur. Dëshira ime është të luaj për Kosovën, për të cilën do ta sakrifikoja edhe shtetësinë austriake”, ka pohuar lojtari i cili shënoi dy gola në ndeshjen e Shpresave Austri-Shqipëri para dy muajsh.
Ndërkohë Nuhiu vazhdon të shkëlqejë te skuadra e SV Riedit. Të mërkurën ai shënoi një dy golash tjetër kundër FC Magna duke zënë edhe një vend në formacionin më të mirë të javës. Në shtatë ndeshjet e zhvilluara deri më tani ai ka shënuar pesë gola, duke i rënë në sy madje edhe trajnerit të Kombëtares austriake, Didi Konstantini. Ndërkohë nuk kanë munguar edhe ofertat e shumta në drejtim të futbollistit edhe nga skuadra të Premier Leagues angleze. “Unë jam lojtar i Austria Karntenit, por për një vit jam huazuar në Ried. Me Karntenin kam kontratë për dy vite me mundësi vazhdimi edhe për 1 vit tjetër. Marrëveshja më përfundon në qershor të 2010-ës. Tani kam shanse të ftohem edhe nga trajneri i Austrisë, Didi Konstantini për miqësoren e 18 nëntorit me Spanjën në Vjenë. Menaxheri më ka thënë se kam disa oferta nga skuadra të Premierligës angleze, të cilat do të më ndjekin në takimin miqësor kundër Spanjës, kuptohet nëse do të jem i ftuar”, ka konfirmuar Nuhiu.
Ndërkohë mësohet se futbollisti është ftuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të luajë për fanellën kuqezi por ai ka nguruar ndonëse në media, në intervista të shumta ka thënë se dëshiron veçse të luaj për Shqipërinë.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›