E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZGJEDHJET E PJSESSHME, Komisionerët e PBDNJ-së do të zëvendësojnë ata të PS-së

Sipas Kodit Zgjedhor, i takon PBDNJ-së të ketë komisionerë sipas zbritjes së listës

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut duket se do të jetë forca që do të zëvendësojë anëtarët e munguar të socialistëve në të gjitha KZAZ-të gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Kur Partia Socialiste ka tejkaluar të gjitha afatet për të dërguar në KQZ propozimet për anëtarët e KZAZ-ve, sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, shprehet kundër bojkotit të këtyre zgjedhjeve. “Zgjedhjet parciale nuk janë pikë e nxehtë për PBDNJ-në. Ne mendojmë të marrim pjesë brenda të gjitha rregullave dhe t’u bëjmë thirrje zgjedhësve të marrin pjesë në votime. Edhe ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit. Mbrojmë bindjen se këto zgjedhje nuk arritën standardet dhe tjetërsuan vullnetin e popullit, por ne jemi gjithashtu në një bindje që bashkëfajtori për këtë devijim të rezultatit të votimit është edhe PS-ja. Ne jemi për hapjen e kutive të votimit, respektimin e institucioneve, pjesëmarrjen në Parlament dhe të mos bëhen kaprico duke sabotuar institucionet”, - u shpreh Solis.

Mbledhja
Gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së Ristani u bëri thirrje partive politike të opozitës të zbatojnë detyrimin ligjor, duke lënë afatin e fundit të hënën e ardhshme. Kodi Zgjedhor parashikon se KZAZ-të përbëhen nga 7 anëtarë, nga të cilët 2 do t’i ketë PD-ja, 2 PS-ja, 1 LSI-ja dhe 1 PBDNJ-ja, ndërsa kryetari zgjidhet me short midis PD e PS. Sipas kodit, në rast se partitë nuk e ushtrojnë të drejtën për të paraqitur kandidaturat në afatin e përcaktuar, atëherë kjo e drejtë u takon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend, pas të parave. Në rastin konkret, kur PS-ja nuk i ka dorëzuar ende kandidaturat, i takon PBDNJ-së ta ushtrojë këtë të drejtë. PS-ja ka deklaruar bojkotin e zgjedhjeve duke e lidhur me problemet që, sipas saj, u vunë re në zgjedhjet e 28 qershorit, për të cilat opozita kërkon hetim parlamentar dhe hapjen e kutive të votimit. Më 15 nëntor zhvillohen zgjedhje të pjesshme në disa komuna dhe në një njësi bashkiake në Tiranë, pas zgjedhjes së krerëve të tyre si deputetë të Kuvendit të ri.

Bojkoti
Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit në shenjë proteste ndaj refuzimit të maxhorancës për të hetuar manipulimet e ndodhura në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Vendimi është marrë me shumicë votash në mbledhjen e tri ditëve më parë të Kryesisë, e cila është zhvilluar në orët e pasdites dhe pa praninë e medias. Vendimi për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit do t’i kalojë tashmë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila do ta shqyrtojë dhe miratojë atë. Në mbledhjen e Kryesisë së PS-së nuk kanë munguar debatet dhe përplasjet e qëndrimeve në lidhje me pjesëmarrjen ose jo të socialistëve në zgjedhjet e 15 nëntorit. Ben Blushi, Andis Harasani dhe Arben Malaj, përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste, e kanë cilësuar shumë të gabuar vendimin për bojkotin e këtyre zgjedhjeve. Madje, pas mbledhjes, Blushi e ka kritikuar hapur bojkotin, duke thënë se Kryesia kishte marrë një vendim personal të Edi Ramës.

Komisioni i Venecias kundërshton ligjin e lustracionit

Komisioni i Venecias kundërshton ligjin e lustracionit që është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë muajit dhjetor të vitit të shkuar. “Ligji për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës dhe zyrtarët e zgjedhur bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe, si pasojë, me parimin e sundimit të ligjit”, - thotë Komisioni i Venecias. Komisioni argumenton se mandatet janë më të mbrojtura me Kushtetutë, sesa nga ky ligj për Presidentin e Republikës, deputetët, anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Ministrave.
Ligji i lustracionit, i konsideruar nga pikëpamja juridike, i zakonshëm dhe joorganik, nuk mund të ndryshojë procedurat që parashikon Kushtetuta. Komisioni i Venecias shton se ky ligj ka të meta, pasi përfundimi i mandatit të një zyrtari duhet të përbëjë pasojën e hetimit të përveçëm të bashkëpunimit në fjalë me regjimin komunist dhe nuk duhet të jetë i përhershëm.
Nga ana tjetër, Komisioni vlerëson se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të shprehet mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji, përderisa lustracioni nuk parashikon mekanizma zëvendësimi. Më 20 shkurt 2009, Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për t'u deklaruar nëse ky ligj ishte antikushtetues si dhe mbi konfliktin e interesit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për t'u shprehur mbi ligjin e lustracionit.

G99-a proteston kundër TVSH-së: “Është kthyer në opozitë të opozitës”

TIRANË – Lëvizja politike G99 ka nisur protestën e parë kundër qeverisë “Berisha”, duke shënjestruar Televizionin Publik Shqiptar. Me dhjetëra aktivistë të kësaj force politike, të kryesuar nga lideri i saj, Erjon Veliaj, kanë protestuar para ndërtesës së RTSH-së gjatë ditës së djeshme. Në mbështetje të kësaj proteste ka dalë edhe Sindikata e Minatorëve. “Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë të flitet në TVSH për Marrëveshjen me Greqinë, për pensionet e minatorëve, për rritjen e çmimit të energjisë dhe nuk mund të pranojmë që ky institucion të merret vetëm me opozitën e opozitës. Ftojmë qytetarët që të protestojnë ndaj TVSH-së, që po trajtohet si pronë private e zotit Berisha”, - tha Veliaj.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›