E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bufi: Rama nuk është më kryetar i PS, Ulqini: Ai nuk duhet të rikandidojë, kemi nevojë për lider të ri

 

Gjatë një interviste në “Ora News”, me gazetarin Alfred Peza, anëtari i Asamblesë Kombëtare, nënkryetari i Kuvendit, Ylli Bufi theu heshtjen dhe bëri përgjegjës Edi Ramën për humbjen e PS-së në këto zgjedhje.
Sipas tij, Rama nuk duhet të rikandidojë, pasi projekti i tij dështoi.
Emri juaj ka qenë një nga më të përfolurit që munguat në lista, bashkë me Fatos Nanon dhe të tjerë. Pse ju nuk ishit në këto lista?
Mua më është prerë dy herë mandati i deputetit, një herë në 1996 mandati im u ndërpre nga ligji i gjenocidit të hartuar nga zoti Sali Berisha, kur unë dhe disa të tjerë nuk kandiduam dot. Dhe së dyti, tani nga zoti Rama. Atëherë unë e dija pse mua m’u pre mandati. Ndërsa tani unë nuk e di pse nuk u kandidova. Sepse nuk më është komunikuar asnjëherë një gjë e tillë. Mua më ka bërë përshtypje një fakt, se kur është diskutuar projektligji për pastërtinë e figurave në ambientet e PS-së, është folur mjaft dhe Rama ka qenë dakord për ta miratuar atë. Por mesa duket kur në projekt u përjashtuan politikanët nga hetimi, zoti Rama nuk ishte dakord, sepse nuk e ndihmonte atë në ato spastrime që ai donte të bënte në PS. Pra, kam përshtypjen se këto dy momente kanë të njëjtën filozofi, filozofinë e përjashtimit të njerëzve që s’do t’i kesh as bashkëpunëtorë as në krah. 
Kur e morët vesh se nuk ishit në listë?
E mësova vetëm në orët e fundit kur kryesia e vendosi në orët e vona të asaj nate.
Kush ua komunikoi?
Askush, e mësova nga disa burimet e mia. Askush nuk më njoftoi, as kryetari, as ndonjë nga kolegët e mi. Zoti Rama as pranoi të më takonte dhe as të më shpjegohej për listën e PS-së, pasi e dimë se ai funksionon vetëm me sms. Veprime të tilla i bëjnë ata që thonë se nuk jam politikan.
Si ishte kjo listë, a ishte konkurruese dhe fituese?
Mendoj se ripërtëritja e kandidaturave në PS është krejt normale. Që nga fillimi i legjislaturave 50% e kandidaturave ka qenë me të rinj. Do të ishte e natyrshme ripërtëritja e kandidatëve, por nuk jam dakord me politikat e reja që u trumbetuan, por nuk jam dakord me disa kandidatura që s’kanë asnjë lidhje me PS-në, sepse nuk je i besueshëm në elektoratin e majtë.
Çfarë ka ndodhur realisht në PS?
Rezultati i zgjedhjeve nuk u lidh me faktin se çfarë u bë mirë dhe çfarë nuk u bë mirë. Humbja ka lidhje me faktin se si Rama ka drejtuar PS-në gjatë katër viteve. Rama kishte një kontratë me PS-në, sepse ishte një njeri që vinte nga jashtë saj, nisur nga afërsia shpirtërore me PS-në. Flitet për kontratë, sepse në këto katër vjet gjithçka në PS është personalizuar me emrin e zotit Rama, ai ka imponuar gjithçka, strukturat, forumet, deri dhe në debatet televizive, apo konferencat e shtypit. Ai i ka komanduar.
Thuhej që Rama erdhi me një filozofi të re. Ai përqafoi një filozi të caktuar në funksion të disa ideve të veta personale. Kjo nuk mjafton për të drejtuar një forcë politike, si PS-ja.
Çfarë janë këto filozofi të Ramës, a i janë kërkuar shpjegime atij?
Ne ishim absolutisht dakord me nevojën e një ndryshimi. Por çfarë solli Rama në PS në këto katër vjet. Ndryshimet në statut ishin ca ndryshime mekanike për të lëvizur strukturat dhe për të mbajtur kryetarin në pushtet. PS-ja sot nuk ka një program politik që e ka pasur dikur, por nuk ka as program qeverisës. Rama në fushatë bëri atë monolog të gjatë që bëri në të gjithë Shqipërinë. PS-ja ka pasur program vazhdimisht që prej ‘91 dhe në çdo kongres është rinovuar.
Zoti Rama është shprehur jo vetëm se nuk keni program qeverisës, por ai është bërë nga ekspertët më të mirë të huaj?
Janë shkruar shumë gjëra si program, por elektoratit nuk iu servir një program qeverisës. Se çfarë ka në sirtar kjo, mund të jetë një gjë tjetër. Por ne si elektorat nuk kemi parë asgjë. Ky program duhej të debatohej me strukturat e PS-së në radhë të parë e më pas me elektoratin. Por programi qeverisës nuk mund të shkruhet nga njerëz që nuk kanë qeverisur asnjëherë.
Me Edi Ramën do bëhet opozita e ardhshme, apo pa të?
Ky është debati i sotëm. Sepse Rama e personalizoi fushatën. Rama nuk duhet të rikandidojë, nuk duhet të bëjë kontratë të re. Megjithëse ai thotë se unë po dëgjoj, do të thotë se ai nuk dëgjon. Sepse ai nuk po dëgjon se projekti i tij ka dështuar dhe s’duhet të vazhdojë projekti i tij përtej të majtës dhe të djathtës, sepse ndryshe do humbim zgjedhjet vendore. Projekti përtej të majtës dhe të djathtës ka dështuar absolutisht.
Në Asamble ishte e paqartë, a është ndërprerë mandati i tij apo jo?
Ajo që u tha në Asamble ishte një servirje e njohur që ndodh shpesh, një mënyrë e kamufluar për të thënë të vërtetën. Aty u lexuan nene të statutit dhe nuk u tha se Asambleja administron sot ndërprerjen e mandatit të kryetarit. Asambleja duhet të administronte ose dorëheqjen e zotit Rama, ose ndërprerjen e mandatit. Nuk u administrua as njëra, as tjetra. Kongresi duhet të mblidhet jo për të dhënë një qëndrim për zgjedhjet, por për të administruar kandidaturat, pas dorëheqjes në Asamble.
A është sot zoti Rama kryetari i PS-së deri në kongres?
Zoti Rama nuk është kryetar, sepse këtë mandat ia ka ndërprerë statuti i PS-së. Ai kryen detyra deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Edhe në fushatë ai do të jetë kryetar në detyrë. Këtë ai duhet t’ua thotë socialistëve. Ajo që është morale është kjo; duhet të ikë zoti Rama apo jo. Zoti Rama nuk e thotë këtë, ai thotë se do flasë. Kur do të flasë?!
Çfarë roli po luan Gramoz Ruçi në këto momente?
Zoti Ruçi është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, për funksionin dhe përvojën e gjatë që ka në PS, ashtu si dhe zoti Xhafa, për funksionin që ka dhe eksperiencën që ka. Në të gjitha procedurat që janë ndjekur, jam i bindur se zoti Rama i ka bërë në bashkëpunim të ngushtë me të dy këta. Unë mendoj se këshillimet e tyre ndaj Ramës nuk janë korrekte. Këtë e pashë dhe në fjalën e zotit Xhafa dhe në qëndrimet e zotit Ruçi. Nëse zoti Rama jep llogari para kongresit, siç dhe u tha, se ai vetë nuk foli, zoti Ruçi dhe Xhafaj apo zoti Islami duhet të shprehin qëndrimin e tyre në Asamble dhe për mua ata duhet të ishin dorëhequr dhe të linin zotin Rama vetëm në kongres, që për mua nuk ka asnjë kuptim.
Përveç zotit Ruçi, Xhafaj dhe Islami kush tjetër mban përgjegjësi në PS për humbjen dhe që duhej të jepnin dorëheqjen?
Zoti Islami është sekretar zgjedhor, zoti Xhafaj sekretar i çështjeve ligjore, zoti Ruçi kryetar i shtabit qendror zgjedhor, janë funksione që kanë lidhje me rezultatin zgjedhor. Funksionet e tyre kanë përgjegjësi në këto zgjedhje, duhet të shpreheshin, duhet të kishin dhënë dorëheqjen.

Ulqini: Rama të mos rikandidojë, PS i duhet lider i ri

Musa Ulqini

Tridhjetë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme legjislative, tashmë që ato janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, ky institucion i lartë i Partisë Socialiste është vendi ku unë kam zgjedhur të shpreh mendimin tim, të vërtetën sipas meje për zgjedhjet e 28 qershorit dhe rezultatin që arriti Partia Socialiste në këto zgjedhje.
Unë isha i bindur për fitoren e socialistëve në këto zgjedhje, jo vetëm për shkak të dëshirës, por në radhë të parë për shkaqe që buronin nga një analizë realiste e situatës: qytetarët në shumicë e donin ndryshimin sepse ishin zhgënjyer nga korrupsioni që instaloi në vend qeveria Berisha, e cila erdhi në pushtet me flamurin e antikorrupsionit; media në shumicë e mbështeste opozitën; ndërkombëtarët ishin mjaft kritikë për maxhorancën qeverisëse; sistemi politik dhe Kodi Zgjedhor u ndryshuan sipas propozimeve të opozitës, etj. Pra, Partia Socialiste kishte shanse reale për të ardhur në pushtet. Sondazhet e publikuara në fillim të vitit nga agjenci prestigjioze sondazhesh, e rendisnin PS-në fituese të zgjedhjeve të ardhshme.
Por në mënyrë paradoksale, sa më shumë fushata i afrohej finishit, rezultatet e sondazheve flisnin për tendencë rënëse të kredibilitetit të PS-së tek votuesit shqiptarë, tendencë që u provua e vërtetë pas certifikimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. 
Unë mendoj që strukturat elektorale të PS, nga çasti i fillimit të votimit deri në certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve, bënë një punë të jashtëzakonshme për administrimin e procesit zgjedhor. Por tjetër është administrimi korrekt i procesit zgjedhor, sidomos respektimi rigoroz i procedurave administrative postzgjedhore dhe tjetër është përpjekja e bërë nga kryetari i partisë në deklaratat e tij publike paszgjedhore, për ta paraqitur rezultatin e votimit në një prizëm të gabuar, jashtë realitetit, atij realiteti që të gjithë e kemi dëshiruar. Deklarime të tilla si: “Ne jemi forcë e parë politike në vend, kemi shumicën e votës popullore, por jo shumicën e mandateve për shkak të sistemit, kemi fituar më shumë vota se në vitin 2005, do të ishim parti qeverisëse po të mos tradhtonte LSI, kemi fituar por na i vodhi votat Berisha, kemi fituar por nuk u administrua si duhet vota nga komisionerët socialistë”, etj, kanë synuar të fshehin humbjen e PS dhe të keqpërdorin emocionet e  socialistëve.
Atë që nuk ua thamë shqiptarëve dhe veçanërisht socialistëve për 30 ditë me radhë, duhet t’ua themi sot. Ne sot duhet të kemi kurajën qytetare t’u themi socialistëve, se shqiptarët nuk e  votëbesuan Partinë Socialiste si parti qeverisëse për 4 vitet e ardhshme. Kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë duhet thënë hapur. Sot është dita gjithashtu të theksojmë disa prej shkaqeve madhore përse ne nuk jemi sot parti qeverisëse, edhe pse i kishim të gjitha shanset për një fitore të sigurt.
Shkaqet e humbjes së PS
Së pari,
Që në fillim dua të theksoj shumë qartë se këto zgjedhje, për herë të parë në historinë e Partisë Socialiste, u personalizuan nga kryetari i saj si sfidë personale e tij. Kryefjala e gjithë fushatës elektorale nuk ishte PS, por Edi Rama. Në garë nuk ishte Partia Socialiste dhe Edi Rama, por vetëm Edi Rama. Çdo miting elektoral fillonte dhe mbaronte me himnin e fushatës, ku Edi Rama deklamonte: “Unë do ta fitoj këtë garë...”. Unë mendoj se elektorati shqiptar e pa me dyshim dhe gati me frikë identifikimin e një partie të madhe si PS, vetëm me emrin e një njeriu. Fantazmat e liderëve të gjithëpushtetshëm që kanë lënë aq gjurmë negative në memorien kolektive të shqiptarëve nuk kishin si shëmbëlltyrë të kohëve moderne vetëm Berishën e plotfuqishëm, por fatkeqësisht gjithnjë e më shumë i tillë filloi të ngjante edhe lideri i opozitës. Ja pse shqiptarët hezituan ta votëbesonin Edi Ramën si kryeministër të tyre.
Së dyti,
Ky personalizim dëmtoi edhe raportet me aleatët natyralë të Partisë Socialiste dhe ndikoi që koalicioni ynë të kthehej në një formalitet elektoral. Ndërkohë, sistemi i ri elektoral kërkonte domosdoshmërisht një koalicion sa më të gjerë dhe sa më funksional, sepse mandatet e deputetëve llogariteshin në bazë të votës së fituar nga koalicionet, jo nga partitë. Në këto zgjedhje konkurrimi ishte midis koalicioneve jo midis partive. Ndërsa sistemi favorizonte koalicionin më të madh dhe jo partinë më të madhe, Edi Rama, që erdhi në krye të PS-së në vitin 2005 me mision të bashkojë të majtën dhe ta sjellë atë në pushtet, bëri të kundërtën. Kontribuoi në fragmentarizimin e të majtës dhe nuk arriti të maksimalizojë votën e koalicionit që krijoi. Edi Rama e njihte shumë mirë Kodin e ri Elektoral, por ai besonte shumë se fitoren mund ta siguronte më shumë fryma, siç e quante ai, se sa koalicionet e zgjeruara me parti dhe individë influentë. Ja pse sot duken si fëminore, për të mos thënë spekulime dashakeqe, të gjitha justifikimet se humbëm për shkak të sistemit të ri zgjedhor.
Së treti,
Partia Socialiste për herë të parë në këtë fushatë nuk kishte një program të mirëfilltë elektoral, edhe pse për të u fol më shumë se asnjëherë. Për dy vjet me radhë ne bëmë një spektakël të vërtetë politik në emër të hartimit të programit të ri qeverisës. Kryetari ndërmori turin e njohur si “Dialogu me Shqipërinë”, një eksperiencë e panjohur më parë në historinë e partive politike shqiptare. Vetë Rama këtë tur e quante si ushtrim demokracie, si seanca dëgjimore me qytetarët, që kishte si qëllim hartimin e një programi qeverisës me kontributin e qytetarëve dhe për qytetarët.  U fol edhe për kontributin e ekspertëve të njohur ndërkombëtarë. Me dhjetëra tavolina dhe ekspertiza u organizuan në emër të hartimit të programit qeverisës. E megjithatë është shumë e vështirë për t’u kuptuar pse ky program i detajuar nuk u bë i njohur për zgjedhësit. Qytetarët shqiptarë prisnin me padurim të bënin dallimin mes nesh dhe PD-së, në radhë të parë me mënyrën se si ne do t’u jepnim zgjidhje konkrete problemeve jetike që i shqetësonin ata. Ne nuk u dhamë mundësi atyre ta bënin këtë dallim. Promovimi i programit elektoral ishte rasti që zgjedhësit të kuptonin paraprakisht thelbin praktik të “Politikës së Re” të Edi Ramës, përtej frazave të tilla si do të qeverisim së bashku etj. Kjo mjegullnajë që mbështolli programin qeverisës të Edi Ramës mesa duket mjegulloi jo pak edhe besimin e zgjedhësve ndaj tij.  
Së katërti,
Këmbëngulja e jashtëzakonshme dhe e përditshme për të stigmatizuar çdo kontribut, vlerë, arritje të klasës politike në përgjithësi dhe Partisë Socialiste në veçanti të këtyre 18 viteve në Shqipëri ka qenë, sipas meje, një përpjekje që nuk dha rezultatin që priste Edi Rama. Historia ka treguar se asgjë e re nuk mund të lindë nga hiçi. Nuk mund të kishte një Parti të re Socialiste, duke fshirë memorien historike të 18 viteve veprimtari të kësaj partie. Si mund të quhet politikë e vjetër kontributi i jashtëzakonshëm i PS në historinë e pluralizmit shqiptar gjatë 5 viteve të opozitës së saj të parë (1991-1997), kur në kushtet e një represioni të tejskajshëm të regjimit të Berishës, socialistët, jo vetëm i rezistuan në mënyrë demokratike këtij regjimi, por e rindërtuan atë me standarde   socialdemokrate evropiane, duke e bërë atë jo vetëm anëtare të Internacionales Socialiste, por edhe një parti të aftë qeverisëse, e cila qeverisi shqiptarët për 8 vjet rresht. Nihilizmi i tejskajshëm politik i Edi Ramës në emër të së ashtuquajturës politikë e re, jo vetëm nuk ngjalli entuziazëm tek votuesit shqiptarë, por në jo pak njerëz mohimi tërësor i kontributit 18-vjeçar të klasës politike shqiptare u përkthye në votë abstenuese ose votë kundër. Më 28 qershor zgjedhësit shqiptarë, nuk e votëbesuan “politikën e re”.
Së pesti,
Është paradoks, por i vërtetë fakti që, Edi Rama iu kundërvu që në fillim frymës demokratike dhe lirisë së njohur në funksionimin institucional të Partisë Socialiste, në emër të projektit të tij të ri, edhe pse kjo frymë dhe kjo liri e solli në krye të PS-së. FRESSH–i, FGS-ja, Grupi Parlamentar i PS-së dhe institucionet e tjera e humbën me kalimin e muajve dhe të viteve forcën, individualitetin, peshën dhe shkëlqimin që kishin më parë. Gjithnjë e më shumë Partia Socialiste po quhej partia e Edi Ramës. Zvetënimi i demokracisë së njohur brenda PS, në emër të forcimit të karizmës së liderit të ri, e zbehu në mënyrë të konsiderueshme në sytë e qytetarëve, avantazhin kryesor që Partia Socialiste kishte përkundrejt forcave të tjera politike në vend, mirëfunksionimi demokratik i saj. 
Por rasti më domethënës i sjelljes autoritare të Edi Ramës, larg frymës së njohur të lirisë në PS, është procedura që ai zgjodhi për të hartuar dhe publikuar listën e re të deputetëve. Nuk është rasti sot të shprehem për kriteret që Edi Rama përdori për të listuar deputetët e ardhshëm. Por sot dua të theksoj se, mënyra se si u procedua për shpalljen e kësaj liste la një shije të hidhur tek shumë zgjedhës. Si është e mundur që lista e deputetëve, lista e ekipit fitues të miratohet dhe të shpallet në mesnatën e ditës së fundit të afatit ligjor? Si është e mundur që Edi Rama, përfaqësuesi i politikës së re që përgatitej të ishte kryeministër i shqiptarëve dhe të qeveriste vendin në mënyrë demokratike, ua ndërpreu karrierën politike të tjerëve në momentin e fundit, në mënyrë aspak transparente e demokratike?  Në këtë çështje kaq të ndjeshme për zgjedhësit, Edi Rama nuk bëri diferencën e pritur me Berishën. Ai aplikoi të njëjtin standard antidemokratik si Berisha dhe politika e re e tij në këtë çështje ngjante po aq anakronike dhe autoritariste sa ajo e Sali Berishës. Edi Rama duhet ta shpallte ekipin e tij të deputetëve shumë ditë përpara afatit ligjor. Në këtë mënyrë të gjithë ata që nuk ishin përfshirë në këto lista, por ishin të përfshirë në politikën e PS, do të kishin mundësi ta vazhdonin karrierën e tyre politike në forma të tjera, edhe duke konkurruar si të pavarur. Kjo është demokracia. Edi Rama nuk kishte arsye të frikësohej nga kjo gjë, sa kohë që ai mendonte se këta individë nuk i shtonin asnjë votë projektit të tij. Procedura e shpalljes së kandidatëve për deputet u perceptua negativisht nga shumë zgjedhës dhe nuk ndikoi në shtimin e votave pro projektit të Edi Ramës.
Si përfundim, thelbi i fitores sonë që bazohej në tre arsye kryesore: “Një lider, një program dhe një ekip i ri”, për shkak të arsyeve të mësipërme nuk e rriti avantazhin tonë kundrejt kundërshtarit tonë kryesor në tre muajt e fundit të fushatës elektorale. Ja pse në të gjitha sondazhet e publikuara në tre muajt e fundit të fushatës elektorale, Partia Socialiste kishte kurbën e saj në rënie.
Edi Rama nuk mund të fajësojë sot askënd për humbjen e projektit të tij. Përkundrazi, ai u ka një borxh të madh të gjithë mbështetësve të tij, që i dhanë mbështetje të plotë dhe pa hezitim, duke mos u bërë pengesë në asnjë nga nismat e tij, sepse besuan tek premtimi i tij se në këtë mënyrë ai do të sillte PS–në në pushtet. 

Sfidat e ardhshme të PS-së
Së pari
Ne duhet të njohim rezultatin e zgjedhjeve, të certifikuar nga të gjithë përfaqësuesit e PS në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor.
Së dyti,
Të gjitha shkeljet e standardeve të këtyre zgjedhjeve nga Qeveria dhe përfaqësuesit e saj duhen listuar dhe t’u bëhen prezent të gjithë faktorëve ndërkombëtarë, që monitorojnë proceset demokratike në Shqipëri.
Së treti,
Nuk duhet vënë në diskutim zbatimi i statutit të partisë, i cili qartësisht kërkon ndërprerjen e mandatit të kryetarit të partisë, kur partia nuk i fiton zgjedhjet legjislative. Personalisht jam kundër rikandidimit të Ramës si kryetar i PS. Moskandidimi i tij është në radhë të parë në të mirë të PS dhe të ardhmes së saj. Ne nuk mund t’u bëjmë sfidë shqiptarëve me vazhdimin e një projekti që ata nuk e votuan. Ne duhet të përgatitemi për garën e ardhshme elektorale me një projekt tjetër. Dhe një projekt tjetër kërkon një lider tjetër. Kështu funksionojnë rregullat e demokracisë brenda partive serioze, kudo në botën demokratike. Fati i PS është shumë më tepër se fati i një individi, qoftë ky edhe kryetar partie. Unë mendoj se rotacioni politik i liderit është një mekanizëm i fuqishëm suksesi në demokraci. Rrotacioni i liderit nuk është mosmirënjohje e partisë ndaj tij, por është përgjegjësi për të ardhmen e forcës politike. Partia Socialiste i ka të gjitha potencialet njerëzore dhe politike brenda vetes për të kryer rrotacione politike në mënyrë transparente dhe demokratike.
Së katërti,
Sot Partia Socialiste ka nevojë për një ringritje të re, për rregulla të reja loje transparente e demokratike, për formësimin e saj si një parti e majtë moderne. Në fakt, Partia Socialiste sot më shumë se për një politikë të re ka nevojë për një moral të ri, që të ngjallë besim dhe shpresë tek socialistët dhe qytetarët e këtij vendi.
Së pesti ,
Unë jam në princip kundër bojkotit të institucioneve. Unë besoj se braktisja e Parlamentit nga grupi i ardhshëm parlamentar nuk i sjell asgjë të mirë në perspektivë Partisë Socialiste. Politika e bojkotit të Kuvendit, e aplikuar aq dendur në këto 19 vjet pluralizëm, nuk ka dhënë asnjë rezultat. Ne kemi një grup prej 65 deputetësh në Kuvend, që është një shans i madh për PS-në që të bëjë një opozitë të fuqishme dhe rezultative.
Dhe së fundi, dua t’u uroj sukses deputetëve të rinj të Partisë Socialiste në veprimtarinë e tyre të ardhshme parlamentare.

Zgjedhjet, Rama niset në SHBA

Aristir Lumezi

Kreu socialist ndodhet që prej dy ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burime të selisë rozë pohuan dje për gazetën “Panorama” se kreu socialist ka nisur tashmë takimet me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, në qendër të së cilave janë zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe standardet e munguara të tyre. që pas konferencës për shtyp, që zhvilloi në selinë rozë me mediat, Rama është nisur menjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte mbyllur më parë një axhendë takimesh me zyrtarë amerikanë. Me vete kreu socialist ka marrë dhe një dokumentacion të bollshëm ankimimesh zgjedhore, por dhe faktesh përmes të cilave do t’u paraqesë zyrtarëve amerikanë pretendimet e PS-së për manipulim të rezultatit zgjedhor, që nga administrimi i votës në KZAZ e deri tek institucionet qendrore si KQZ, por dhe Kolegji Zgjedhor. Përmes këtyre materialeve, Rama do të mbështesë dhe qëndrimin që Partia Socialiste ka vendosur të mbajë edhe pas Asamblesë Kombëtare lidhur me zgjedhjet, mosnjohjen e legjitimitetit të zgjedhjeve e për pasojë dhe të Parlamentit e Qeverisë të dalë prej tyre. Por mësohet se kreu socialist do të pritet dhe nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët kanë informacionin e nevojshëm për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Edhe këtu kreu socialist pritet të paraqesë qëndrimin e PS-së ndaj standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat sipas socialistëve nuk kanë të bëjnë me kodin zgjedhor apo sistemin e aplikuar për herë të parë në Shqipëri, por me vullnetin e qeverisë për të garantuar këto standarde. Sipas Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit nuk u lexua tërësisht vullneti i zgjedhësve, për shkak të ndërhyrjeve nga maxhoranca në procesin e administrimit të votës, me pasojë shtrembërimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Sipas Ramës, deformimi i procesit, ka filluar me presionin e jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë të pushtetit para fushatës dhe gjatë saj, presion i shfaqur në format nga më të ndryshmet, deri në eksesin kriminal të nxjerrjes të paligjshme nga burgjet të një numri të konsiderueshëm të dënuarish të rrezikshmërisë së lartë. Gjithashtu sipas selisë rozë ka pasur një mungesë deformuese transparence gjatë gjithë procesit të numërimit, gjë që është bërë e ditur edhe për publikun, nga vetë raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtar, në më shumë se 1/3 e qendrave të numërimit, gjë që kulmoi më pas me mohimin nga KQZ të së drejtës së ligjshme dhe demokratike. Turi i takimeve të Edi Ramës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvillohet pak javë para daljes së raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, ndërsa vëzhguesit e zgjedhjeve kanë nxjerrë dy raporte të ndërmjetme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›