E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, 35 mijë familjeve iu mohua e drejta e votës në zgjedhje



Jonida Tashi

Plot 35 mijë qytetarë janë privuar nga e drejta dhe dëshira për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë që, shkaktarët kryesorë për këtë situatë alarmante evidentohen ngujimet, hasmëritë dhe gjendja e tyre konfliktuale, shtuar edhe neglizhencën e qeverisë, për t’i krijuar atyre kushte në këmbim të votës. Nëpërmjet një raporti të posaçëm auditimi për zgjedhjet, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, hedh dritë mbi numrin e votuesve shqiptarë që nuk kanë pasur mundësi për të votuar, për shkak të fenomenit të gjakmarrjes. Në një konferencë të posaçme, të mbajtur dje për publikimin e këtij raporti, kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Gjin Marku bëri të ditur se së shpejti kjo organizatë do t’i përcjellë Parlamentit, partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare një raport auditimi nga zonat që janë të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes. Sipas Markut, misionarë të këtij Komiteti në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit organizuan një ekspeditë në këto zona, duke konstatuar mohimin padrejtësisht të së drejtës së votës për rreth 35 mijë persona, duke fajësuar për këtë situatë klasën politike në tërësi. “Me informacionet e mbledhura nga misionarët tanë në zonat e prekura nga gjakmarrja, përgjatë 100 ditëve të ekspeditës së organizuar, Komiteti do të përgatisë një raport auditimi, të cilin do t’ia përcjellim Parlamentit, partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare, që mbështesin misionin tonë për pajtimin e gjaqeve”,- deklaroi kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Ekspedita 100 ditore e misionarëve të Pajtimit është zhvilluar nga data 20 mars deri në 30 qershor 2009.
Raporti
Misionarët e pajtimit, krahas aktivitetit të tyre të përditshëm, kanë asistuar në të gjitha takimet e liderëve të partive politike me qytetarët, duke konstatuar se asnjë parti nuk kishte hartuar në programet e saj eliminimin e hasmërive dhe të vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje apo mbështetjen ndaj procesit të pajtimit. Ekspedita ka konstatuar gjithashtu, se qeveria shqiptare dhe administrata lokale nuk kishin marrë asnjë masë për tu siguruar të drejtën e votës familjeve të ngujuara. Bazuar në shifrat e raportit të ekspeditës, nga e drejta e votës u privuan për shkak të hasmërive 1450 familje të ngujuara e të fshehura nga gjakësi. Po kështu, 12 500 familje që e kanë lejen e banimit në fshat dhe janë larguar për shkak të konfliktit për tokën në qytet, nuk kanë shkuar për të votuar në qendrën ku janë regjistruar në fshat, për të shmangur ballafaqimin dhe përplasjen me njerëzit e konfliktuar. Nga ngujimet, hasmëritë dhe gjendja e tyre konfliktuale janë privuar nga e drejta dhe dëshira për të votuar rreth 35 000 qytetarë. Sipas kreut të Komitetit, në 30 ditët e muajit qershor puna është përqendruar edhe tek sensibilizimi i qytetarëve për një pjesëmarrje sa më të kulturuar në fushatën elektorale e në votime. Fatkeqësisht, misionarët e Komitetit të Pajtimit, kanë vërejtur edhe se eksponentët e partive politike kanë nxitur shpesh herë me fjalimet e kontaktet e tyre përplasje mes grupimeve dhe individëve të ndryshëm duke stimuluar edhe vrasjet, numri i të cilave erdhi gjithnjë e në rritje edhe pse Policia e Shtetit ishte në nivel të lartë përgjegjësie, si gjatë fushatës ashtu edhe në procesin e votimit dhe numërimit të votave.
Konflikti
Ekspedita e Komitetit të Pajtimit ka konstatuar se më shumë se 50 për qind e familjeve në fshat janë në konflikt për tokën, ndërsa në qytete e metropole konfliktet janë të natyrave të ndryshme, por përsëri dominojnë ato për pronën dhe ndërtimet e paligjshme. Sipas vëzhgimit të misionarëve të pajmit, vrasjet më problematike në metropole janë ato për nderin dhe trafikimin e femrave, të grindjeve të çastit, si dhe të hasmërive të transferuara nga zonat rurale. Ndërkohë që, vonesat e legalizimit të ndërtimeve informale janë një problem shqetësues që vazhdojnë të sjellin konflikte dhe probleme të natyrave të ndryshme sociale. Ekspedita ka evidentuar që ky problem mbetet shqetësim i qytetarëve në të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe kërkon që ti propozohet qeverisë së re që procesi i legalizimeve të jetë prioriteti kryesor së bashku me kthimin e kompensimin e pronave. Sipas drejtuesit të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Ligji Nr.7501, i cili nuk pranohet për tu ndryshuar nga dy partitë e mëdha parlamentare, duhet të amendohet për pjesët e tokës së lëna djerr dhe të quajtura padrejtësisht shtetërore në hartë së bashku me pyjet për rreth këtyre tokave, mbasi ato i përkasin në pronësi familjeve që kanë banuar aty ose vazhdojnë të banojnë. “Familjet që kanë pranuar ndarjen e tokës sipas Ligjit Nr.7501, nuk e kanë regjistruar një pjesë të madhe të tokës nga frika e taksave, por e kanë rrethuar edhe pse komisioni i ndarjes së tokës e ka lënë në hartë shtetërore, duke krijuar konflikte me të afërmit dhe fqinjët. Këto pjesë tokash dhe pyjesh përreth të quajtura shtetërore duhet të regjistrohen në pronësinë e familjeve që i kanë zotëruar ato, veçanërisht në pronësinë e familjeve që janë aktualisht në fshat dhe kanë përfituar sipas Ligjit Nr.7501 nëse ai mbetet ne fuqi”,- shkruhet në raport. Gjin Marku argumenton se ligji duhet të përcaktojë se këto sipërfaqe do jenë pa taksim deri në momentin që ato kthehen në produktive. Ndërsa porsa i përket rregullimit të pronësisë së tokës dhe pyjeve në fshat, sipas tij, ai është i domosdoshëm jo vetëm për shmangien e hasmërive e konflikteve të vazhdueshme prej 20 vitesh, por edhe për ruajtjen e këtyre pasurive nga degradimi, nga tjetërsimi apo përfitimi i padrejtë mbi to. “Shteti edhe pse në hartat topografike e vendimet e komisioneve të ndarjes së tokave i ka të përcaktuara si shtetërore, këto prona nuk mund t’i prekë, sepse do shkaktonte ngjarje të paprecedentë”,- shprehet kreu i Komitetit.

Kërkesat e Komisionit të Pajtimit Mbarëkombëtar për qeverinë

Shqipëria edhe pse ka një bazë ligjore për neutralizimin e fenomenit te gjakmarrjes që nga klasifikimi i gjakmarrjes si vrasje e cilësuar me dënimin maksimal, dënimin e detyrimit për ngujim, deri tek ligji për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve, përsëri fenomeni vazhdon të mbetet një rrezik i madh për shoqërinë shqiptare. Kjo vjen sepse nuk ka një strategji të përbashkët të shtetit me organizatat joqeveritare të profesionalizuara për këtë çështje. Gjakmarrja ka tkurrur veprimin e ligjit, të Policisë dhe të organeve të Drejtësisë, sepse kanë frikë të përballen me të.
Edhe sikur të zbatoheshin ligjet, përsëri duhet një strategji me objektiva e synime të qarta për të eliminuar hasmëritë që lindin si shkak i mentalitetit kanunor
Së pari, duhen eliminuar hasmëritë që shkaktohen nga ligjet, duke korrigjuar ligjet dhe vendimet e qeverisë.
Së dyti, strategjia duhet të përmbajë bashkëpunimin efikas të faktorëve shtetërorë më ato të shoqërisë civile. Strategjia duhet të parashikojë masat për parandalimin e këtij fenomeni si nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve me pajtim ashtu edhe forcimit të autoritetit të shtetit ligjor, rritjes së sigurisë së shtetasve, zhvillimin ekonomik të zonave rurale, edukimit ligjor dhe ndërgjegjësimit të opinionit për të besuar vetëm tek shteti.
Rritja e bashkëpunimit midis strukturave të pushtetit dhe shoqërisë civile për evidentimin, ndërmjetësimin dhe zgjidhjen në kohën e duhur të konflikteve, për pajtimin dhe nxjerrjen nga ngujimi të njerëzve të pafajshëm duhet të shoqërohet edhe me intensifikimin e punës së Policisë në komunitet, dokumentimin e konflikteve, arrestimin e autorëve të vrasjeve dhe të atyre në kërkim, shmangien e ngjarjeve me burim gjakmarrjen, informimin e drejtë të opinionit mbi gjakmarrjen dhe Kanunin.
Ekspedita kërkon që plani strategjik të implementohet në një proces gjithëpërfshirës që garanton mbështetjen e gjithë qytetarëve, faktorëve të shoqërisë civile, komuniteteve vendore, grupeve të interesit, strukturave akademike e shkencore të vendit, spektrit politik e fetar shqiptar, etj.
Ekspedita kërkon që parandalimi i konflikteve të jetë baza e realizimit të strategjisë kundër gjakmarrjes. Për këtë, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar në bashkëpunim me të gjithë rrjetin e bashkëpunimit do kërkojë përmirësimet në Ligjin Nr.7501 mbi tokën, në ligjin mbi kthimin e kompensimin e pronave si dhe në të gjitha nenet e kodit penal që lidhen me krimet kundër jetës, pronës dhe dinjitetit të personit.
Përmirësimi i ligjeve dhe Kodit Penal do bëhet mbas një debati të hapur me publikun dhe përfshirjen e të gjithë faktorëve për të kontribuar. Mbas debatit në publik këto ligje do diskutohen dhe miratohen në bashkësitë qytetare të të gjithë territorit të Shqipërisë për të marrë miratimin dhe mbështetjen për zbatim.

Raporti për zgjedhjet në shifra
35 000 qytetarë janë privuar nga e drejta për të votuar nga ngujimet, hasmëritë dhe gjendja e tyre konfliktuale
12 500 familje që e kanë lejen e banimit në fshat dhe janë larguar për shkak të konfliktit për tokën në qytet, nuk kanë votuar
1450 familje të ngujuara e të fshehura nga gjakësi janë privuar nga e drejta e votës u privuan për shkak të hasmërive
50 për qind e familjeve në fshat janë në konflikt për tokën, ndërsa në qytet konfliktet janë të natyrave të ndryshme
100 ditë ka zgjatur ekspedita e misionarëve të Pajtimit Kombëtar për zgjedhjet

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›