E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliçan, një pallat në prag të shembjes rrezikon 200 jetë njerëzish

Pesë vjet më parë rrezikoi jetën e banorëve që banonin në të, ndërsa sot rrezikon jetën e banorëve të lagjes, pasi mund të shembet nga dita në ditë. Një pallat pesëkatësh shumë pranë ish-uzinës së armëve në Poliçan vazhdon të qëndrojë i braktisur në mes të një lagjeje të qytetit. Pallati ka pësuar krisje në pjesën më të madhe të tij dhe rrezikon të shembet nga dita në ditë, pasi toka në të cilën është ndërtuar rrëshqet vazhdimisht. Pesë vjet më parë, në pallat jetonin 60 familje, jeta e të cilave u vu në rrezik serioz. Krisjet e shumta që pësoi pallati detyruan banorët të largoheshin. Disa prej tyre vazhdojnë të jetojnë në shtëpi me qira, shumë të tjerë kanë emigruar, ndërsa vetëm për tre familje bashkia siguroi banesa. Por, tashmë dhe pse i braktisur, pallati vazhdon të jetë një kërcënim për lagjen në të cilën ndodhet. Shumë pranë godinës tashmë të braktisur ndodhen edhe dy pallate të tjerë. Një rrugicë e ngushtë e lagjes ndan pallatin e rrezikshëm nga dy pallatet ku jetojnë 200 njerëz. Ngjarja e rëndë e ndodhur në Gjirokastër ka rikthyer te banorët e Poliçanit frikën e shembjes së pallatit të braktisur. Ai ndodhet shumë pranë dy pallateve të tjerë, ndërkohë që pozicioni i tij është shumë i rrezikshëm. Në rast shembjeje, pallati i braktisur vë në rrezik jetën e banorëve të tjerë të lagjes. Banorët thonë se godina e pallatit që qëndron në mes të lagjes është një rrezik serioz për jetën e tyre. Banorët e lagjes e shikojnë pallatin si një kërcënim për jetën, ndërsa u duhet të lëvizin gjatë gjithë ditës shumë pranë tij, në rrugicën e ngushtë që e ndan nga dy pallate të tjerë pesëkatësh. Shqetësimi më i madh mbetet për fëmijët të cilët luajnë përpara pallatit, madje shumë herë hyjnë në ambientet e ndërtesës së braktisur për të luajtur. Ndërkohë, burime pranë zyrës së urbanistikës në Bashkinë e Poliçanit bëjnë me dije se shembja e pallatit është një rrezik i evidentuar tashmë. Por, si zgjidhje e vetme shihet mundësia për shkatërrimin pjesë-pjesë të tij, duke mos lejuar shembjen natyrale të tij. Por, mungesa e fondeve për të ndërhyrë për këtë problem ka bërë që pallati të mbetet një rrezik permanent për banorët që jetojnë afër tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›