Bashkia e Fierit: Nuk kemi rrezik për shembje pallatesh
Ndërtesat në Fier janë të sigurta. Kjo ka qenë deklarata e përfaqësuesve të Bashkisë Fier, pas tragjedisë së Gjirokastrës. Ka qenë jo vetëm kryetari i Bashkisë Fier ai që e ka pohuar një fakt të tillë, por edhe shefi i urbanistikës pranë kësaj bashkie, Manol Goga. Sipas tyre, të gjitha lejet e ndërtimit të dhëna deri tani dhe punimet e kryera janë studiuar dhe monitoruar për të mos shkaktuar dëme te ndërtimet e tjera. "Ne kemi qenë gjithnjë vigjilentë, edhe gjatë zbatimit të projekteve dhe them me bindje të plotë se deri tani nuk kemi pasur raste kur një ndërtim të ketë dëmtuar një tjetër të mëparshëm. Ka pasur raste kur ndërtimet e një pallati shumëkatësh, madje i lartë, ka shkaktuar ndonjë plasaritje të lehtë në suvanë e ndonjë ndërtese të vjetër të ulët, por pa dëmtuar muraturën, apo bazamentin", ka thënë Manol Goga, shefi i zyrës së urbanistikës së Bashkisë Fier. Realisht, ngjarja e rëndë e Gjirokastrës që tronditi mbarë vendin ka transmetuar frikë dhe panik edhe në Fier. Kriteret e ndërtimit në Fier kanë qenë tepër të diskutueshme kohët e fundit edhe në media, pasi Fieri njihet si një qytet me një numër të lartë ndërtimesh shumëkatëshe, ndërkohë është i piketuar dhe si një rreth me një shkallë të lartë lëvizjesh tektonike. Ngjarja e Gjirokastrës ka tronditur banorët e Fierit, të cilët e dinë se qyteti ndodhet në një zonë me aktivitet sizmik, në të cilën nuk duhet të lejohen ndërtime mbi 8 kate. Deri tani shumë pallate në Fier i kanë kaluar 12 kate. Fakt ngushëllues për fierakët është vendimi i fundit i bashkisë së qytetit, që nuk parashikon ndërtime më të larta se tetë kate në të ardhmen.