Berisha: Gjirokastra si Gërdeci, papërgjegjshmëri njerëzore
Gjirokastra, ashtu si Gërdeci, konsiderohen papërgjegjshmëri njerëzore që nuk duhen përsëritur. Janë hequr kështu paralele mes tragjedive të Gjirokastrës dhe Gërdecit nga Kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili ka zgjedhur Durrësin për të deklaruar se të dyja ngjarjet me viktima dhe pjellë e kësaj qeverie e paraardhëseve të saj janë pakujdesi njerëzore. Kur sapo janë përcjellë për në banesën e fundit viktimat e tragjedisë së Gjirokastrës, kreu i ekzekutivit, ndërsa ka përuruar përfundimin e punimeve të godinës së re të PMNZSH-së dhe sheshit rreth saj në Portin e Durrësit ka folur për dy ngjarjet e mëdha të këtij viti. "Rreziqet bënë hatanë e Gërdecit, e cila hetohet dhe do të hetohet pa asnjë mëdyshje, duke nxjerrë çdo përgjegjësi. Të grumbullosh qindra tonelata barut në një vend, pavarësisht nga se udhëhiqesh, dëshmon shkallën më absolute të papërgjegjshmërisë njerëzore", ka deklaruar Kryeministri Berisha, ndërsa ka folur për rreziqet që u kanosen qytetarëve nga moszbatimi i ligjit për ndërtimet dhe prania e karburanteve në sasi të konsiderueshme në qytete. Në këtë mënyrë kanë marrë një përgjigje komentet e bëra për atë që ndodhi në Gjirokastër dhe angazhimin kryeministror për të zbardhur deri në fund përgjegjësit e saj, si dhe qëndrimin e diskutueshëm të qeverisë për Gërdecin dhe hetimet që po bëhen për të. Berisha ka deklaruar se jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe për Gërdecin do të hetohet deri në fund për të nxjerrë përgjegjësitë dhe në këtë mënyrë i ka dhënë bekimin organit të akuzës dhe drejtueses së tij, Ina Rama, për të vazhduar hetimet mbi këto ngjarje të rënda që morën jetë njerëzish dhe nxorën në pah realitetet e frikshme të një vendi të vogël, ku mbi të gjitha respektohet paraja. Në Durrës, ndërsa ka ndjekur një demonstrim të zjarrfikësve portualë, Berisha ka deklaruar se qeveria që ai drejton është në fazën e hartimit të një platforme për mbrojtjen e qytetarëve nga rreziqet. "Mos u ambientoni me rrezikun, po denoncojeni atë", ka qenë mesazhi i Berishës, i cili ka tingëlluar si jashtë kontekstit shqiptar për çdo qytetar që është përballur me zyrat e ankesave dhe veprimin e askujt për të ndërhyrë. Aktualisht, jo vetëm në Gjirokastër ku ndodhi gjëma, por edhe në shumë qytete të tjera ka raste të ngjashme pallatesh të plasaritura, për shkak të ndërtimeve pa kriter pranë tyre dhe gërmimeve deri në themele të kateve të para. Strukturat nuk funksionojnë dhe ankimet qytetare bien në vesh të shurdhër, ndërsa gjëmat argumentohen me papërgjegjshmëri njerëzore, a thua se shteti nuk ekziston. Sipas kreut të qeverisë, rreziqet në vendin tonë janë rreth tri herë më të mëdha se normalja dhe prandaj është parë i domosdoshëm hartimi i një strategjie, platforme të re nga qeveria, ndaj rreziqeve që na kanosen në jetën e përditshme. Për të ulur rrezikun, Berisha ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë dhe të ngrenë zërin për çdo problem që konstatojnë: "Ju garantoj se qeveria po bën përpjekje për një qëndrim të ri ndaj rreziqeve në përgjithësi, për një platformë që mbron dhe duhet të mbrojë qytetarët, por në këtë kontekst është i domosdoshëm roli i qytetarit dhe qëndrimi i tij ndaj këtyre rreziqeve. Ju garantoj se fjala juaj nuk do të ngelet në vesh të shurdhër. Problemi mund të mbyllet midis dy zyrtarëve, por nuk mund të mbyllet kurrë në të gjithë hierarkinë shtetërore", premtoi Berisha, duke lënë të kuptohet se qeveria këtej e tutje do të jetë më e vëmendshme dhe më aktive ndaj rrezikut që u kanoset qytetarëve, ndërsa moria e rreziqeve është ende e pranishme në pjesën më të madhe të qyteteve të vendit në formën e ndotjes mjedisore me pasoja në shëndet, në formën e pallateve, ku rrojnë njerëz me të njëjtin shqetësim si banorët e pallatit të Gjirokastrës deri pak orë para shkërmoqjes së apartamenteve të tyre të banimit, në formën e TEC-eve që do të shtohen, por që nuk do të ulin urinë për energji etj. Ndërkaq, në takimet në Durrës Berisha vazhdoi dhe replikën me liderin socialist, Edi Rama, duke i kujtuar se ndryshimi vjen me vepra, si investimet që bëhen në fshatra dhe jo me "mashtrime, trillime, falsifikime e shpifje". Ndërkaq, Berisha ka deklaruar se në vitin 2009 do të realizohet edhe rritja e pensioneve të fshatit.