E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Mjekësi jep siguri absolute për demontimin

Inspektimi i linjave të demontimit të armëve e predhave luftarake ka çuar dje ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, në uzinën ushtarake të Mjekësit, rreth 10 kilometra në juglindje të qytetit të Elbasanit. Nuk është se në këtë uzinë ngrihen për të parën herë linjat e demontimit, por si duket tragjedia e Gërdecit ka bërë që të inspektohet një vend i tillë, përveçse linjave të ngritura u janë shtuar edhe shumë elemente sigurie dhe kompjuterizimi. Ministri i Mbrojtjes, i shoqëruar nga drejtues të kësaj uzine dhe specialistë të mirëfilltë ushtarakë në fushën e demontimit, ka parë nga afër të gjitha linjat e demontimit ku është ndalur në secilën prej tyre për t‘u bindur për vazhdimësinë e këtij projekti nën masa të rrepta sigurie. "Bindem se uzina e Mjekësit jep garancitë absolute të vazhdimit të projektit të demontimit të armëve në vendin tonë dhe për këtë qëllim, Ministria e Mbrojtjes është duke dhënë fonde pjesë-pjesë për vazhdimësinë e kësaj pune", ka pohuar Oketa. Në fakt, Mjekësi ka demontuar me miliona fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe granata e sasi të mëdha predhash luftarake, edhe pse ka punuar me sezone. Vendndodhja e uzinës, infrastruktura dhe njerëzit e kualifikuar kanë bërë që në këtë uzinë të mos ndodhë as edhe incidenti më i vogël gjatë këtij procesi për afro tetë vjet me radhë. Linjat aktuale, ku pas vatrës kryesore të shpërthimit me mjete moderne ekzistojnë tri mure mbrojtëse, japin edhe një herë sigurinë dhe garancinë e këtij procesi. Javën që vjen pritet që të nisë demontimi i predhave 160 mm e më pas të gjitha kalibrat e tjerë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›