E Diel, 1 Nëntor 2026

Bin Ladeni kishte njohuri për sulmet në Londër

Nga Express më 13 korrik 2011 në ora 12:44

Osama Bin Ladeni ka qenë në dijeni të planit të militantëve të Al Qaedes për atentatet në sistemin e transportit të Londrës, më 7 korrik 2005, por ky ka qenë operacioni i fundit që u finalizua, në të cilin ai ishte i përfshirë.

Këto janë konkluzionet e ekspertëve të qeverisë amerikane, sipas të cilëve provat tregojnë se numri një i Al Qaedes ishte i informuar mbi atë që do të rezultonte më vonë si plani i dështuar për të shpërthyer bomba në linjat ajrore nga Londra drejt SHBA-së, në vitin 2006.

Lajmin e konfirmojnë burime të sigurisë kombëtare amerikane, të cilat u referohen të dhënave që kanë mbledhur në vendin ku strehohej Bin Ladeni, në Abbottabad, Pakistan.

“Bin Laden kishte një përpikëri absolute. Kemi të gjitha arsyet për të besuar se ishte në dijeni të projekteve më të rëndësishme të Al Qaedes gjatë fazës së planifikimit, përfshirë këtu projektin për atentatet ajrore në 2006 dhe sulmet e 7 korrikut në Londër”, thanë burimet për agjencinë e lajmeve Reuters.

Në atentatet e 7 korrikut 2005 në sistemin e transportit londinez humbën jetën 52 civilë dhe qindra të tjerë u plagosën. Ky mendohet të ketë qenë operacioni i fundit i përmbushur, që u mbikëqyr nga Bin Ladeni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›