Policia e Londrës e lidhur me News of the World?
Një komision parlamentar britanik pritet të kërkojë sqarime nga zyrtarë të policisë së Londrës, se përse ata nuk i vazhduan hetimet para dy vjetësh mbi një rast përgjimi telefonash, nga gazeta News of the World.
Skandali i përgjimit të telefonave po mbizotëron medien britanike. Sipas njoftimeve Mbretëresha Elizabeth dhe ish kryeministri Gordon Brown, mund të kenë qenë objekt përgjimesh nga kompanitë në pronësi të magnatit të shtypit, Robert Murdoch.
Brown tha se ishte befasuar kur mësoi se gazetat e Murdochut po bashkëpunonin me njerëz, që sipas tij ishin me të kaluar kriminale, për të siguruar informacione personale rreth tij.
Shtypi britanik njoftoi të hënën se oficerë policie i kishin dhënë gazetës News of the World të dhëna të paautorizuara për familjen mbretërore, ndërsa dikush, i lidhur me gazetën Sunday Times të Robert Murdochut, kishte arritur të hynte në llogarinë bankare të ish-kryeministrit Brown.
Familja mbretërore nuk ka pranuar të bëjë komente. Ndërkohë policia londineze akuzoi disa individë, pa i identifikuar ata, për përpjekje për të sabotuar hetimet.