E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bindet “gjeli” Han, kthehen Bogdani e Berisha



Nervozizmi i shfaqur nga trajneri Han, sidomos gjatë pjesës së dytë në ndeshjes miqësore në fitoren 2-0 kundër Lihteshtejnit (gola të Hykës e Kapllanit), sidomos për atë “sorollatje” në ndërtimin e lojës, por dhe me mungesës së efikasitetit, padyshim që do të sillte “përmendjen” e “tulipanit holandez”, se eksperimenti i mosthirrjes së Erjon Bogdanit rezultoi një dështim i plotë. Njëzet e katër orë pas kolegut të tij suedez, Lars Lagerbak, edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, holandezi Ari Han, shpalli listën prej 21 lojtarësh, të cilët janë grumbulluar për dy ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2010: kundër Suedisë (6 shtator) dhe Maltës (10 shtator), dy takime që do të luhen në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Fitorja 2-1 në miqësoren kundër Suedisë katër vjet më parë (18 shkurt 2004) konsiderohet si një nga të çmuarat e futbollit shqiptar, por ballafaqimi i tretë zyrtar kundër nordikëve, ai i 6 shtatorit ka tjetër shkallë vështirësie. Suedia e Zlatan Ibrahimoviçit është kundërshtari i parë dhe i fundit i Shqipërisë (14 tetor 2009) në ndeshjet eliminatore të Grupit 1, ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Danimarka, Hungaria e Malta.
Të gjithë e konsiderojnë grupin tonë si “grupin e hekurt” midis nëntë grupeve të zonës europiane për eliminatoret e Kampionatit Botëror, pasi në Grupin 1 takohen tre gjigantë: Portugalia, Suedia, Danimarka, që do të luftojnë midis tyre për dy vendet e para. Hungaria, Shqipëria e Malta, që do të synojnë nga ana e tyre për një performancë sa më të mirë.
LISTA - Në ndryshim nga lista e 18 lojtarëve të thirrur për ndeshjen miqësore kundër Lihteshtejnit, ajo që spikat në listën e “madhe” prej 21 lojtarësh kundër Suedisë së fortë e Maltës modeste, është prania emrave të Erion Bogdanit (krijoi shumë polemika mungesa e tij në miqësoren me Lihteshtejnin), rikthimi pas një viti mungesë i Besart Berishës (për shkak të dëmtimit në miqësoren me Maltën, gusht 2007) dhe rithirrja e Ilion Likës (i thirrur për herë të fundit nga Oto Bariç për ndeshjet me Bjellorusinë e Rumaninë në eliminatoret e Euro 2008).
LEGJIONARËT – Vetëm katër lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar bëjnë pjesë në listën e 21 lojtarëve të thirrur: Ansi Agolli e Andi Lila (të dy nga Tirana), Elis Bakaj (Partizani) e Endri Vrapi (Elbasani). Gjeografikisht është Gjermania që sundon te 17 lojtarët e thirrur: Lala (Hanover 96), Skela (Energi Kotbus), Kapllani (Karlsruhe), Hyka (Mainc 05). Gjithsesi, harta e vendndodhjeve të legjionarëve kuqezi na çon në Itali (Bogdani), më pas në Francë (Cana), në Norvegji (Berisha), Austri (Salihi), për të kaluar e gjitha më pas në Lindje: Dallku, Curri, Bulku (të tre në Ukrainë), Lika në Çeçeni, Beqaj, Hidi, Duro (të tre në Qipro), Vangjeli në Greqi e Teli në Turqi.
LARGIMET - Po të shohim lojtarët e thirrur nga holandezi Ari Han për eliminatoret dy ndeshjet e parë të Botërorit 2010 nuk mund të mos vësh re se mungojnë golashënuesi më i mirë historik i Shqipërisë Alban Bushi (14 gola), Altin Haxhi (luan ende në nivel të pëlqyeshëm në Qipro) e Nevil Dede (i transferuar në Kinë). Mesa duket Kombëtarja për këta është një kapitull i mbyllur.

Me Suedinë
05.11.1988/ Tr. Shyqyri Rreli
Shqipëri-Suedi 1-2 (El.Kupa e Botës)
08.10.1989/ Tr.: Shyqyri Rreli
Suedi-Shqipëri 3-1 (El.Kupa e Botës)
18.02.2004/ Tr.: Hans P.Brigel
Shqipëri-Suedi 2-1 (Miqësore)
Bilanci: 3 takime; 1 fitore, 0 barazim, 2 humbje

Statistikat: Shqipëri-Suedi 1-2

Kundër Suedisë historia futbollistike na ka afruar tre ndeshje, ku kemi fituar vetëm një herë në miqësoren e e zhvilluar në Tiranë 2-1 (18.02.2004) kur atëherë Shqipëria drejtohej nga gjermani Hans-Peter Brigel. Dy humbjet i përkasin eliminatoreve të Kupës së Botës “Italia 1990”: 1-2 (05.11.1988, në Tiranë) dhe 3-1 (08.10.1989, në Suedi), dhe në të dyja ndeshjet trajner ka qenë Shyqyri Rreli.

Han, i treti kundër Suedisë

Han është trajneri i tretë i përfaqësueses sonë, që përballet me Suedinë pas Shyqyri Rrelit (2 herë) e gjermanit Hans Peter Brigel (1). Për trajnerin e gjashtë të huaj dhe të 19-tin në historinë 61-vjeçare të kombëtares sonë, holandezin Ari Han (240 mijë euro kontratë, plus shpërblimeve speciale për pikë të fituara), kjo është ndeshja e parë zyrtare. Han ka drejtuar në dy ndeshje miqësore: me Poloninë (e humbur 0-1 në Reutligen të Gjermanisë) e Lihtenshtejnin (të fituar 2-0 në Tiranë).

Lojtari Nde Gola Klubi

Portierë
Arjan Beqaj 31 0 Anorthosis (Qipro)
Isli Hidi 4 0 Alki Larnaka (Qipro)
Ilion Lika 14 0 Terek Grozny (Rusi)
Mbrojtës
Armend Dallku 21 0 Vorskla Poltava (Ukrainë)
Kristi Vangjeli 9 0 Aris Selanik (Greqi)
Debatik Curri 11 1 Vorskla Poltava (Ukrainë)
Endri Vrapi 2 0 Elbasani (Shqipëri)
Andi Lila 2 0 Tirana (Shqipëri)
Mesfushorë
Lorik Cana 25 1 Olimpik Marsejë (Francë)
Altin Lala 63 3 Hanover 96 (Gjermani)
Klodian Duro 41 2 Omonia Nik. (Qipro)
Ervin Skela 45 9 Energi Kotbus (Gjermani)
Admir Teli 2 0 Hacettepe (Turqi)
Ansi Agolli 1 0 Tirana (Shqipëri)
Elis Bakaj 2 0 Partizani (Shqipëri)
Jahmir Hyka 6 1 Mainc 05 (Gjermani)
Ervin Bulku 8 0 Krivbas Krivi (Ukrainë)
Sulmues
Edmond Kapllani 21 6 Karlsruhe (Gjermani)
Hamdi Salihi 5 1 Ried (Austri)
Besart Berisha 7 2 Rozenborg (Norvegji)
Erjon Bogdani 44 8 Kievo (Itali)

Botërori 2010
Kalendari i Grupit 1

06.09.2008: Shqipëri–Suedi
10.09.2008: Shqipëri-Maltë
11.10.2008: Hungari-Shqipëri
15.10.2008: Portugali-Shqipëri
11.02.2009: Maltë-Shqipëri
28.03.2009: Shqipëri- Hungari
01.04.2009: Danimarkë-Shqipëri
06.06.2009: Shqipëri-Portugali
09.09.2008: Shqipëri-Danimarkë
14.10.2009: Suedi–Shqipëri

Suedia
Portierë: Andreas Isakson (PSV Eindhoven), Johan Uiland (Elfsborg)
Mbrojtës: Andreas Granqvist (Groningen), Petter Hanson (Stade Rennes), Daniel Majstorovic (AEK Athens), Olof Mellberg (Juventus), Mikael Nilsson (Panathinaikos), Maks von Schlebrugge (Brondby), Fredrik Stoor (Fulham), Oscar Uendt (FC Copenhagen)
Mesfushorë: Daniel Andersson (Malmo), Viktor Elm (Kalmar), Samuel Holmen (Brondby), Kim Kallstrom (Lyon), Sebastian Larsson (Birmingham), Tobias Linderoth (Galatasaray), Anders Svensson (Elfsborg), Christian Uilhelmsson (Al-Hilal)
Sulmues: Markus Berg (Groningen), Zlatan Ibrahimovic (Inter), Henrik Larson (Helsingborg), Markus Rosenberg (Verder Bremen)

Statistikat me kundërshtarët tanë në Grupin I

PORTUGALIA - Tri janë ballafaqimet e deritanishme: 2 zyrtare (3-0, 2-0) dhe një miqësore (5-3). Në kujtesë ka mbetur një fakt i hidhur: Neptun Bajko dha dorëheqjen nga posti i trajnerit të Kombëtares shqiptare pikërisht pas humbjes 3-0 në “Qemal Stafa”, më 9 tetor 2006, ku ish-trajneri i Partizanit, e ndjeu veten të tradhëtuar nga lojtarët e tij. Edhe Astrit Hafizi dështoi në ballafaqimin e dytë duke humbur 2-0 në Lisbonë. Në ballafaqimin e tretë në bankinë ishte Hans Peter Brigeli.
DANIMARKA – Legjenda e madhe e trajningut shqiptar, Loro Boriçi, është tekniku i parë shqiptar që është përballur me Danimarkën: humbëm 4-0, më 29 qershor 1963. Ndeshja e kthimit, katër muaj më pas, rezultoi një kryevepër e jo e tij, por e Zuber Konçit, i cili ka regjistruar edhe fitoren e vetëm kundër danezëve (1-0) me golin e legjendës shqiptare Panajot Pano. Në katër të tjerat kemi pësuar humbje. Për eliminatoret e Kupës së Botës 1994: 4-0 Shqipëri 4-0 dhe 1-0 në stolin kuqezi ka qenë, Bejkush Birçe. Ndërsa për eliminatoret e Kupës së Botës 2006: humbëm 2-0 dhe 3-1 nën drejtimin e Hans Peter Brigelit.
HUNGARIA – Takimi i parë kundër tyre është zhvilluar 51 vjet më parë, më 20 gusht 1947, ku pësuam një humbje të pastër 3-0 për Kampionatin e Europës Qëndrore, kur përfaqësuesja jonë drejtohej nga Ljubosha Broçiç. Ndeshja e kthimit (23.05.1948) prodhoi një barazim 0-0. Në bankinën kuqezi ishte trajneri Adem Karapici. Ballafaqimi i tretë dhe i fundit regjistroi edhe humbjen më të thellë të Shqipërisë në një ndeshje ndërkombëtare: 12-0, më 24 shtator 1950.
MALTA - Kundër kësaj skuadre kemi dhe statitistikat që peshojnë nga ana jonë: 3 fitore në pesë ballafaqime. Katër trajnerë shqiptarë: Bajko, Hafizi, Zhega (2 herë) dhe i fundit Bariç janë ndeshur kundër skuadrës ishullore. Teorikisht ekipi më i dobët i grupit tonë, ndaj të cilit kemi fituar edhe në miqësoren e fundit: 3-0, më 22 gusht 2007.

Shqipëria me ekipet e grupit 1
Me Portugalinë
Bilanci: 3 takime; 0 fitore, 0 barazim, 3 humbje

Me Danimarkën
Bilanci: 6 takime; 1 fitore, 0 barazime, 5 humbje

Me Hungarinë
Bilanci: 3 takime; 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje

Me Maltën
Bilanci: 5 takime; 3 fitore, 1 barazim, 1 humbje

28 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›