“Mbretërit e rrugës” sjell Keanu Reeves në “Millenium II”
“Mbretërit e rrugës”, (Street kings) titullohet filmi i ri që do të shfaqet këtë javë duke filluar nga dje në sallën e kinema “Millenium II” në Tiranë. Si protagonist, kësaj here vjen Keanu Reeves (Kinu Rivs) në rolin e një dedektivi të zhytur mes korrupsionit, rreziqeve të rrugës, armëve, pijes, zjarrit e dhunës. Dedektivi Tom Ludlou quhet nga shokët e skuadrës “vrasës”. Nuk njeh rregulla, aplikon drejtesinë e tij, pi vodka nga mëngjesi deri në darkë, i paaftë për të marrë veten që nga vdekja e të shoqes, tre vjet më parë. Është një ujk i etur për gjak, gjithmonë i armatosur deri në dhëmbë në natën që nuk pret të Los Angeles-it. I mbuluar nga shefi i tij, “mbreti” Xhek Uondër. Por një ditë Tom përfundon në telashe për vdekjen e një kolegu, ish-shoku i tij, me disa prova që e përfshijnë drejtpërsëdrejti. Duhet kështu që edhe këtë herë të bëjë gjithçka veç duke hetuar mbi vetë policinë të korruptuar deri në palcë; Kështu ai do të zbulojë edhe një të vërtetë tjetër të madhe... Njerëzit vazhdojnë të mendojnë për Rivs, si djalin e këndshëm të Hollivudit, ndonëse ka bërë filma si “The Gift dr The Watcher”. Tani ai luan një polic i korruptuar, i cili më në fund ka kuptuar se po ecën në rrugë të gabuar, por, është tepër vonë për paskthim... Por edhe më interesante, është eksperienca e përshtatjes së Rivs me rolin e tij. Për këtë gjë siç shprehet vetë aktori i njohur “duhet të shkoja në një vend ku normalisht nuk jetoj. Për t’u përgatitur për rolin kam shkuar me patrullat e policisë, netëve në qoshet e errëta të lagjeve si South Central de Watts: një Los Angeles i rrezikshëm që nuk e njihja më parë. Pashë sesi një polic jeton në gjendje të vazhdueshme alarmi. U stërvita në poligonin e qitjes, si dhe kam bërë stërvitje për të bërë muskujt më të dukshëm”. Aktori vijon më tej se “Ky është një film i dhunshëm, por dhuna në kinema është gjithmonë një sajesë: duhet të jetë, e urrej dhunën e vërtetë, besoj se ajo e rremja, në një film si ky mund të shërbejë për të reflektuar. Jetoj në një vend ku e drejta për të pasur armë është e garantuar me kushtetutë, por nuk kam dhe nuk do t’i kem kurrë në duart e mia.”
Tre filmat e shtatorit në Kinema “Imperial”
Ndërsa në Kinema “Millenium” Keany Reeves vjen si protagonist në filmin e ri që projektohet duke nisur nga dita e djeshme, në kinemanë tjetër të metropolit shqiptar, “Imperial” gjatë muajit shtator do të vazhdojnë projektimin e tyre tre filma të zhanrit aksion e komedi. Më konkretisht, filmat e shtatorit në “Imperial” do të jenë “Fool’s gold” (Të çmendurit pas arit) me aktorët Kate Hudson, Donald Sutherland, “Kung Fu Panda”, animacioni i suksesshëm që mban firmën e prodhuesit “Dreamworks”, si dhe komedia më e fundit e Ben Stiller “Tropic Thunder” (Bubullima e Tropikut), e cila tashmë ka ngjallur mjaft polemika duke u akuzuar se tallet me njerëzit me aftësi mendore të kufizuara.
28 Gusht 2008