E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushaj: “Në Shqipëri nuk ka lojtarë për kampionatin italian”



Vllaznia do të përballet sot me Napolin në “San Paolo” (ora 21:00) në ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminator të Kupës UEFA. Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, deklaroi për radion napolitane “Kiss Kiss Napoli”: “Të luajmë në Napoli nesër (sot) në stadiumin e Maradonës do të jetë një nder. E dimë se do të jetë e vështirë, por nuk do të nisemi të dorëzuar. Kemi ardhur për të bërë një ndeshje të mirë, e dimë se kemi mundësinë ta bëjmë, ta provojmë të përmbysim rezultatin 3-0 të ndeshjes së parë do të jetë një sipërmarrje e madhe, por përse të mos e provojmë. Napoli më është dukur një skuadër shumë e fuqishme dhe e kujdesshme. Në ndeshjen e parë Vllaznia gaboi diçka, sidomos në pjesën e dytë dhe sipas mendimit tim ky 3-0 ishte i gënjeshtërt, edhe pse ne nuk e kemi merituar. Nga Napoli më pëlqeu Denis (sulmues), shumë i fortë fizikisht e i shpejtë, Ieco (portieri) dhe Paolo Kanavaro (mbrojtës). Në Shqipëri nuk kemi lojtarë të mëdhenj për kampionatin italian, ose të paktën lojtarë për klube të mëdha, kjo sepse nivelin ynë teknik nuk është kompetitiv deri në atë pikë që të rrisë sportistët tanë më mirë”.
Takimi i parë në “Loro Boriçi” i përfunduar me humbjen 0-3 (2 gola të Pias, Denis) nuk lë shumë shpresa për kualifikim.
Trajneri Agim Canaj përveç mungesës së tre lojtarëve Sukaj, Lika, Teli (tashmë pjesë e skuadrës turke Hacettepe), do të ketë dhe mungesën e sulmuesit çek Miroslav Kausal, ndërkohë që Kaçi ende nuk është rikuperuar plotësisht. I gatshëm për Vllazninë do të jenë edhe dy ganezët Xhejms Boadu (luajti ndeshjen e parë në Shkodër) dhe Adano Muhamed. Blerja e fundit e Vllaznisë, Paulin Dhembi nuk do të luajë në Napoli, pasi mesfushori korçar ka luajtur në Kupën UEFA me Partizanin. Trajneri Agim Canaj në konferencën e tij të fundit për shtyp tha: “Do të kërkojmë të marrim një rezultat sa më të pranueshëm në Napoli. Do të përpiqemi të paraqitemi sa më denjësisht. Nuk do të shkojmë për turizëm në Itali”. Vllaznia është në një krizë goli pasi ka 360 minuta pa shënuar në katër ndeshjet e fundit, përfshirë ndeshjen e kthimit me sllovenët e Koperit (0-0) në turin e parë të Kupës UEFA, finalen e Superkupës me Dinamon (0-2), ndeshjen e parë me Napolin (0-3) në turin e dytë të Kupës UEFA dhe atë me Tiranën (0-0) në javën e parë të sezonit 2008-2009. Vllaznia - pesë ndeshje në harkun e 15 ditëve - pas ndeshjes me Napolin, do të përballet të shtunën me Partizanin në Tiranë, pavarësisht se presidenti Fushaj kishte kërkuar shtyrjen e ndeshjes.

Kaka

Gazeta britanike “Daily Mail” bëri të ditur se Çelsi është gati të vendosë në tavolinë 101 milion euro për të marrë shërbimet e brazilianit Kaka të Milanit. Miliarderi Abramoviç, ka përgatitur një kontratë prej 250 mijë eurosh në javë.

Pavljuçenko

Ylli rus Roman Pavljuçenko u transferua nga Spartaku i Moskës te klubi anglez Totenhem Hotspërrs. “Mund të konfirmoj se jam transferuar te Spërsat”, - tha 26-vjeçari, i cili shënoi tre gola në Kampionatin Europian 2008.

Kahn

Oliver Kahn ende nuk e ka të qartë se më do të merret në të ardhmen. “Tani për tani po bëj atë, që mua jep më shumë kënaqësi. Nuk dua të nxitohem. Koha do të më tregojë se çfarë do të jetë më e mira për mua”, - thotë ish-portieri i Bajernit të Munihut.

Silva

Hamburgu bleu mbrojtësin gjigant brazilian Aleks Silva (1.92m), fitues i medaljes së bronztë olimpike në “Pekin 2008”. 23-vjeçari është blerë 6.2 milionë euro. Lojtari është thirrur për ndeshjen e Brazilit kundër Bolivisë për kualifikueset e Botërorit 2010.

Vidiç

Mbrojtësi i Mançester Junajted, Nemanja Vidiç është i pakënaqur nga Premier Liga angleze. “Unë nuk do të qëndroj të jetoj në Angli, kjo është e sigurt”, - tha serbi për revistën ruse “Fooball Ëeekly”.

Ronaldo
Ylli brazilian i papunë, braziliani Ronaldo, mund të veshë fanellën e Mançester Sitit në Premier Ligë. Lajmi jepet nga “Daily Telegraph”. Tre herë kampioni i botës është pa ekip, qysh pas mbarimit të kontratës me Milanin.

28 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›