“Good morning Balkan” tërheq vëmendjen në Austri
Petrika GROSI
Me ftesën e Erhard Busek, president i European Forum Alpbach, ka qenë Claudia Schmidt, ministre e Kulturës se Austrisë, hapësja e edicionit të shtatë të ekspozitës ndërkombëtare “Good morning, Balkan”. Në këtë ekspozitë që tashmë është shndërruar në shumë më tepër se kaq, marrin pjesë artistë të talentuar nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Bashkimit Europian. Ideatori, Fatmir Velaj tregon për gazetën “Albania”, se kësaj here Shqipëria paraqitet në “Good morning Balkan” me piktorin Zini Veshi, “enfant terrible” i artit shqiptar në fundvitet ’80, i cili prej mëse dhjetë vitesh jeton e punon në Nju Jork (SHBA). Ai merr pjesë në këtë edicion të “Mirëmëngjes Ballkan” me veprën e përmasave të mëdha, të titulluar “Three in the tube”.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin personalitete të larta të jetës politike, ekonomike e shoqërore europiane si dhe të ftuar nga SHBA-të, Rusia, vendet arabe, etj. E pranishme ishte edhe Ursula Plassnik, ministre e Jashtme e Austrisë, Dimitri Ruppel, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Rita Keberek, ministre e Jashtme e Lichtenstein, etj. Çdo gusht në Alpbach të Austrisë zhvillohen punimet e një nga më të famshmeve “think tank”, organizata në botë siç është European Forum Alpbach. Për të dytën herë pas suksesit që forum Weltoffen International, me qendër në Vjenë pati para dy vjetësh me ekspozitën “Shqipëria- e parë ndryshe”, ky forum do të ishte përsëri në qendër të vëmendjes europiane.
Erhard Busek në fjalën e tij përshëndetëse nuk do të harronte të përshkruante rëndësinë e kësaj iniciative si “…lëvizja më suksesshme kulturore për paraqitjen e artit të Juglindjes së Europës”, ndërkohë që ministrja e Kulturës së Austrisë, Claudia Schmidt theksoi mbi të gjitha rolin e rëndësishëm që luan arti e kultura në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. “Kjo ekspozitë është treguesi më i mirë për më shumë harmoni mes popujve dhe kulturave” -do të thoshte ministrja austriake. Pas saj, fjalën e mori kryetari i Forum Weltoffen International, piktori me origjinë nga Vlora, Fatmir Velaj. Ai u ndal mes të tjerash te rruga e gjatë dhe stacionet e ekspozitës ndërkombëtare “Good morning Balkan”, e cila ka qenë në Athinë, Bukuresht, Tiranë, Trieste, Prishtinë, Ohër, dhe që më 27 nëntor të këtij viti do të paraqitet me ftesën e presidentit të Austrisë, Heinz Fischer dhe në pallatin presidencial Hofburg në Vjenë.
28 Gusht 2008