E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bindja e Kuzhes: “Fitoj me të rinjtë”



Humbja dinjitoze me Portugalinë (1-2) për eliminatoret e Kampionatit Botëror, duket se ka krijuar një klime besimi te trajneri kroat Josip Kuzhe përpara miqësoren me Gjeorgjisë (të mërkurën, 10 qershor, 19:00), e para nga seria prej tre takimesh nën drejtimin e teknikut Josip Kuzhe, duke llogaritur edhe ato me Qipron (12 gusht) e Skocinë (tetor ose nëntor). Kroati mesa duket është familjarizuar edhe me median shqiptare, duke dhënë asaj luksin e të qenit të lirshëm para tij në konferencën për shtyp para ndeshjes me Gjeorgjinë (hotel “Dyrrah”), ndryshe nga “ngërçi” që krijonte ftohtësia dhe neglizhimi fyes i paraardhësit të tij, Ari Hanit. Edhe pse në dukje të parë Gjeorgjia duket si një kundërshtar ndaj të cilit ish-trajneri i Ruandës do të ketë lirinë e plotë për të eksperimentuar, duke filluar që nga porta me Ujkanin në vend të Hidit, apo një mesfushë argëtuese me Hykën e Bylykbashi, e deri te vija e parë sulmuese me dy të “mbeturit”, Salihin e Kapllanin, Kuzhe e konsideroi si shumë të vështirë takimin. Pasi trajneri i pestë i huaj i “epokës Duka”, nëse pranoi me “dhimbje” humbjen me Portugalinë e ish-ndihmësit të Aleks Fergusonit, nuk mund të kapërdijë një dështim me Gjeorgjinë e aregjentinasit Hektor Kuper, i cili deklaroi qartë nga aeroporti i Rinasit se kishte ardhur në Shqipëri jo për të kryer shëtitjen e radhës, por për të fituar. Në ndeshjen kundër Gjeogjisë do të mungojnë pesë lojtarë titullarë: Lorik Cana, Ervin Skela, Klodian Duro, Besart Berisha, Isli Hidi, të cilët kanë marrë lejë nga trajneri Kuzhe dhe Federata Shqiptare e Futbollit, por trajneri shpreh bindjen e tij: “Kam lojtar të rinj të talentuar dhe fitoj me ta”.

Zoti Kuzhe, Gjeorgjia përveç një miqësoreje, e para për ju si trajneri i Shqipërisë, ju jep edhe mundësinë për të eksperimentuar pas takimit zyrtar me Portugalinë (1-2). Sa i rëndësishëm do të jetë rezultati i kësaj miqësoreje, përveç aspekteve të tjera nisur edhe nga fakti se shumë të rinj priten të aktivizohen në këtë takim?
Më vjen mirë që kemi një ndeshje miqësore në program. Qëllimi ynë është të testojmë disa lojtarë të rinj, futbollistë që nuk e patën shansin të aktivizoheshin kundër Portugalisë apo në ndeshje të tjera zyrtare. Objektivi tjetër i rëndësishëm i takimit me Gjeorgjinë është ndërtimi i një ekipi, me të cilin do të përpiqem të ruaj atë atmosferë të bukur e cilësi që treguan disa prej futbollistëve titullarë në takimin me Portugalinë, e që mungojnë në këtë miqësore. Dua ta ruaj e t’i jap vazhdimësi asaj pune që krijuam.

Disa ditë pas ndeshjes me Portugalinë, kur tani jeni edhe me i ftohtë, si e konsideroni atë.
Në fakt, mund të them se do të isha pak egoist në raport me vendimet e mia, nëse do të hidhja në fushë lojtarët më të mirë që pata në dispozicion, si (Ervin) Skela, (Erjon Bogdani), çka ishte disi edhe në kundërshtim me filozofinë time për të ndërtuar një ekip të ri. Gjithsesi, tani kemi mundësi të vazhdojmë me programin tonë për të ardhmen, për të testuar shumë nga lojtarët e rinj.

Ju tashmë keni pasur kohën e mjaftueshme të kryeni disa seanca stërvitore me lojtarët e rinj që keni thirrur e të krijoni një opinion tuajin.

Në të vërtetë, nëse doni ta kuptoni plotësisht një trajner, duhet të kuptoni se ai kërkon të gjejë një balancë midis lojtarëve më me përvojë, të luajë mirë të bëjë të lumtur tifozët, por gjithashtu t’u krijojë edhe mundësinë lojtarëve të rinj premtues. Mendoj se me grupin që kemi në dispozicion do të kemi natyrshëm disa vështirësi kundër Gjeorgjisë. Por, unë jam një trajner që u besoj lojtarëve të rinj. Natyrisht, kjo ishte dhe një çështje kohe, shumë e shkurtër përpara ndeshjes me Portugalinë, por gjithsesi ne po punojmë në këtë drejtim. Gjithsesi, vendimi im është të punoj fort e të luaj me lojtarët e rinj dhe besoj se ata do të jenë në lartësinë e duhur.

Cili do të jetë formacioni që do të luajë kundër Gjeorgjisë?
Është në zakonin tim të mos e them para se të realizoj seancën e fundit stërvitore. Natyrisht, kam disa ide të përgjithshme. Dhe shumë lojtarë të rinj do të jenë në ndeshjen me Gjeorgjinë. Kjo më pas do të reflektohet edhe me ndeshjen kundër Qipros në muajin gusht, ku do të ndërtojmë edhe bazën për ndeshjet zyrtare kundër Danimarkës e Suedisë.

Ju keni krijuar bindjen tuaj për 2-3 lojtarë të rinj. Sa besoni te ata për t’u dhënë një shans atyre?

Natyrisht që kam shumë besim. Jam shumë i lumtur t’i jap një shans të tillë (portieri Samir) Ujkanit, por dhe lojtarrëve të tjerë si (Emiljano) Vila, por dhe lojtarëve të tjerë të së ardhmes si (Jahmir) Hyka, (Gjergji) Muzaka. Nuk dua të flas për (Hamdi) Salihin, pasi ai tani e ka krijuar pozicionon e tij në ekipin Kombëtar.

Një nga vështirësitë e Shqipërisë është krijimi i një lojë sulmuese për të krijuar raste, por dhe për të shënuar.
Së pari unë jam shumë i gëzuar me golin që shënuam kundër Portugalisë (Bogdani 28’), pasi kishim realizuar së fundi vetëm kundër Maltës në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës. Qëllimi ynë është të krijojmë një profil ofensiv. Për këtë jam duke punuar në lidhje me sistemin e lojës, që duhet të aplikojmë, dhe për ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Kemi Salihin e Kapllanin, që janë shumë të rrezikshëm në sulm, por dhe anësorë të mirë si Muzaka e Hyka. Besoj se jemi duke ndërtuar taktikën e duhur, por gjithsesi, po përpiqem të krijoj një organizim të mirë të lojës e të forcoj përqendrimin e lojtarëve.

Sa e njihni Gjeorgjinë si ekip, a keni ndonjë informacion për kundërshtarin?
Natyrisht, që nuk e njoh Gjeorgjinë si ekip, por njoh disa lojtarë të tyre të cilët luajnë në Gjermani, Angli, Rusia apo në kampionate të tjera. Janë futbollistë të mirë dhe luajnë një futboll të bukur. Nuk janë lojtarë të këqij. Kanë trajner të mirë, i cili ka qenë i suksesshëm në karrierën e tij dhe që do të përpiqet të mos dështojë në Tiranë.

Ëndrra “Europian”

Pak ditë më parë Kuzhe deklaruoit se “ëndrra ime është të çoj në Europian Shqipërinë”. Por, është kjo një deklaratë rutinë, nga ato të cilat sistematikisht i kanë bërë gjithmonë trajnerët, apo keni besim se mund t’ia arrini? “Kjo është ëndrra ime. Gjithsesi, është detyra ime të flas në mënyrë pozitive. Nga ana tjetër, ne duhet të vendosim një objektiv. Dhe synimi nuk është vetëm të marrim pjesë në kualifikuese, por të jemi të suksesshëm. E di se duhet të flas për gjëra realiste, por disa herë trajneri duhet të shprehet edhe me deklarata të tilla, për të sjellë më shumë optimizëm në ekip. Detyra ime është që në muajt e ardhshëm të gjej futbollistë të mirë e talentuar. Më duhet që ta pohoj edhe njëherë tjetër se Shqipëria ka potencial. Shqipëria mund të luaj një futboll të bukur. Kur pranova të marr detyrën e dija se ne ishim në klasin e katërt në Europë, po të bëj një ndarje të tillë përsa i përket niveleve të skuadrave. Por, është në karakterin tim të fitoj e të jem i suksesshëm në kualifikuese”, - tha Kuzhe.

3
fitoret e Shqipërisë kundër Gjeorgjinë janë realizuar të gjitha në “Qemal Stafa”, teksa në impiantin ndërkombëtar kryeqytetas ka fituar 2 herë edhe Gjeorgjia. Fitoret janë arritur nga Astrit Hafizi (2-1, Euro 2000) dhe dy herë nga Hans Peter Brigeli (3-1 dhe 3-2 për Euro 2004 dhe Botërorin 2006).

Kuper: “Fitore me Shqipërinë”

Gjeorgjia mbërriti në Shqipëri me një synim as më pak e as më shumë, por fitoren. Këtë e bëri të ditur trajneri argjentinas i saj, Hektor Kuper. “Ne luajmë gjithmonë për të fituar, kjo është në filozofinë e lojës sonë, pavarësisht se në Shqipëri kemi ardhur me gjashtë mungesa të lojtarëve titullarë. Di gjë Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë dhe këtë e ka treguar në ndeshjet e këtyre viteve të fundit. Njoh disa lojtarë shqiptarë si Bogdani e Tare, në kohën që dhe unë isha trajner në Serinë A në Itali”, - tha argjentinasi 54-vjeçar Hektor Kuper, i cili ka drejtuar më parë edhe Interin, Parmën, Valencian Gjeorgjia, kombëtarja e së cilës ndodhet në vendin e 105-të në ranglistën e FIFA-s për muajin qershor 2009, 13 vende pas Shqipërisë (92), zhvilloi dje një stërvitje njohëse në “Qemal Stafa”. Në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, Gjeorgjia ndodhet në një grup me Italinë, Irlandën e Veriut, Bullgarinë, Qipron e Malin e Zi. Në shtatë takime ka grumbulluar vetëm 3 pikë, duke zënë vendin e fundit: 3 barazime, 4 humbje është bilanci i Gjeorgjisë. Në listën e lojtarëve të thirrur ka disa lojtarë që luajnë si në Rusi, Gjermani, Itali, Angli, Letoni.

TAKIMI I PARË

Takimi i parë është luajtur gati 15 vjet më parë, më 14 dhjetor 1994, një ndeshje e humbur 0-1 në “Qemal Stafa” dhe i vlefshëm eliminatoret e Kampionatit Europian 1996. Trajneri i përfaqësueses sonë ishte në atë takim Neptun Bajko, ashtu si katër muaj më pas në Tbilis, ku humbëm 2-0.

TAKIMI I FUNDIT

Takimi i fundit i Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë ka qenë nën drejtimin e Hans-Peter Brigelit, në barazimin 0-0 në miqësoren e luajtur, më 22 mars 2006 në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe ndeshja e fundit e Brigelit me përfaqësuesen tonë. Takimi u realizua falë miqësisë së Brigelit me trajnerin gjerman të Gjeorgjisë, Klaus Topmëler.

STATISTIKAT

Statistikat e 10 ndeshjeve të para flasin tërësisht për gjeorgjianët, të cilët kanë fituar dyfishin tonë: 6 ndeshje, kundrejt 3 të Shqipërisë, ndërkohë që është fiksuar vetëm një barazim. Pesë prej 10 takimeve janë luajtur në Tiranë, ndërkohë që katër prej tyre janë luajtur në Gjeorgji dhe një tjetër në fushën neutrale të Maltës për turneun ndërkombëtar “Rothmans”.

TRAJNERËT

Gjermani Hans Peter Brigel, është dhe tekniku që është ndeshur më shumë me Bjellorusinë: 5 ndeshje, me një bilanc 2 fitore, 1 barazim e 2 humbje. Kroati Josip Kuzhe do të jetë trajneri i katërt i Shqipërisë dhe i dyti i huaj që do të drejtojë Kombëtaren shqiptare në një sfidë me Gjeorgjinë. Nga trajnerët shqiptarë të Kombëtares, Astrit Hafizi është ndeshur 3 herë (1 fitore, 2 humbje), ndërsa Neptun Bajko dy herë (2 humbje).

NDESHJET ME GJEORGJINË

ZYRTARE

ELIMIN. EURO 1996

14.12.1994: Tr.: N.Bajko
Shqipëri-Gjeorgji 0-1

26.04.1995: Tr.: N.Bajko
Gjeorgji-Shqipëri 2-0

ELIMIN. EURO 2000

05.09.1998: Tr.: A.Hafizi
Gjeorgji-Shqipëri 1-0

09.10.1999: Tr.: A.Hafizi
Shqipëri-Gjeorgji 2-1

ELIMIN. EURO 2004
06.09.2003: Tr.: H.P.Brigel
Gjeorgji-Shqipëri 3-0

10.09.2003: Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 3-1

ELIMIN, BOTËRORI 2006

08.09.2004: Tr.: H.P.Brigel
Gjeorgji-Shqipëri 3-2

04.06.2005: Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 2-0

TURNE NDËRKOMBËTARË
“Kupa Rothmans”, Maltë
08.02.1998: Tr.: A.Hafizi
Shqipëri-Gjeorgji 0-3

MIQËSORE
22.03.2006 Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 0-0

Bilanci në total: 10 ndeshje; 3 fitore Shqipëria, 1 barazim, 6 fitore Gjeorgjia. Golaverazhi: 8-16

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›