E Diel, 1 Nëntor 2026

Binishi: Pogradeci duhet ta tregojë veten edhe në transfertë!

Nga Gavrosh PAPA

Liqenorët pogradecarë kanë kaluar një javë të ngjeshur stërvitore, me nga dy seanca në ditë. Trajneri Ylli Çekiçi i ka lënë të tijtë pushim ditën e sotme, për tia rifilluar avazit. Morali i futbollistëve pogradecarë është i lartë. Bie në sy një klimë mjaft pozitive dhe miqësore mes lojtarëve, çka tregon se fryma e grupit është mbi gjithçka. Megjithë ”luftën”e ashpër për një vend në formacion, tashmë që infermieria liqenore është zbrazur e gjitha, të gjithë kanë pranuar verdiktin e trajnerit Çekiçi, duke dhënë maksimumin e vet në kohën që janë aktivizuar. Kjo panoramë të bën të mendosh se Pogradeci nuk do të shkojë për plazh në ujë të kripur fundjavën e ardhshme në Vlorë, por për të luajtur shanset e veta në javën e pestë të kampionatit. Administratori Nesti Binishi, i pyetur për ecurinë e ekipit në këto katër javë kampionat, por edhe për pritshmëritë e transfertës me Flamurtarin, shprehet: Sigurisht, Pogradeci ka hyrë me ambicie në këtë sezon të ri. Është shpejt për të dalë në konkluzione, sepse janë luajtur vetëm katër javë kampionat, por nga sa shihet, mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Vlerësoj veçanërisht frymën e grupit që ekziston te Pogradeci, nga e cila do të vijë edhe suksesi. Hap pas hapi do të punojmë për të realizuar objektivat tona, për të qenë dinjitozë në superligë, për të mbetur pjesë e saj, jo për të qenë shëtitës mes më të mirëve. Për lojtarët janë krijuar kushte të shkëlqyera nga presidenti Shkëmbi, si nga ana e infrastukturës stërvitore, edhe për pagesat. Ne jemi ekip dinjitoz dhe ambicioz jo vetëm në deklarata, por edhe në realitet, në infrastrukturën si klub dhe në fushën e lojës. Deri më tani jemi të kënaqur përgjithësisht nga ecuria e ekipit. Duke parë edhe dëmtimet e shumta, që na kanë penalizuar, 6 pikët e grumbulluara nuk janë pak. Gjithsesi, Pogradeci ka akoma për të dhënë, më e mira e tij nuk është parë ende. Sidomos në ndeshjet në transfertë, ekipi duhet të ndryshojë mentalitet e performancë, sepse vetëm me fitore në shtëpi nuk i kemi gjërat shumë në vijë. Lidhur me transfertën në Vlorë, e vlerësojmë maksimalisht Flamurtarin, si një ndër ekipet më të forta të superligës, pretendent serioz edhe për fitimin e kampionatit. Kjo na e bën shumë të vështirë detyrën tonë në javën e pestë, gjithsesi nuk do të dorëzohemi pa nisur ende loja. Do të luajmë shanset tona në Vlorë, të bëjmë një paraqitje dinjitoze, pastaj të shpresojmë edhe për ndonjë pikë.

Portieri Hoxha dëmtohet me ekipin Shpresa

Një lajm i keq për stafin teknik të ekipit pogradecar: është dëmtuar portieri Sulejman Hoxha. Gardiani i liqenorëve është dëmtuar në seancën e fundit stërvitore të Kombëtares U-21, ndërkohë që ishte planifikuar nga trajneri Artan Bushati për të qenë mes shtyllave kuqezi në transfertën kundër Polonisë. Hoxha është lënduar seriozisht në shpatull, dëmtim ky që do ta mbajë atë të paktën tri javë larg fushave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›