E Diel, 1 Nëntor 2026

Gvozdenoviç, një Ivan i tmerrshëm karikon Skënderbeun

Nga Leonard TREBICKA

Luaj ku të ketë nevojë ekipi dhe jam i gatshëm të bëj më të mirën. Kështu është shprehur, kur mbërriti në Korçë për të veshur fanellën e Skënderbeut, dhe deri tani e ka mbajtur fjalën. Themi këtë, pasi serbi Ivan Gvozdenoviç është një xhol për trajnerin Shpëtim Duro. Edhe pse roli i tij është mbrojtës i krahut të majtë, ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë në një rol tjetër, në ndeshjen e fundit në Laç, pavarësisht se Skënderbeu ka humbur. Gozdenoviç ka luajtur në vend të Bicajt, në qendër të prapavijës së kampionëve. Nga java në javë, Ivani, siç e thërrasin në Korçë, po ngrihet në lojën e tij, ndërkohë që kujtojmë se në momentin kur mbërriti te Skënderbeu, nuk gëzonte një formë të mirë fizike. Fundjavën e ardhshme, ndaj Kamzës, Gvozdenoviç pritet të luajë në krahun e tij të majtë, sepse Arapi do të shtyhet më tej në mesfushë dhe në këtë mënyrë Skënderbeu do të jetë më i plotë edhe në prapavijë, pas disa problemeve dëmtimesh dhe kartonësh, që kishte javët e fundit.

Analiza Serbi Gvozdenoviç ka analizuar katër javët e para të kampionatit të ri, për të cilat thotë se nuk u kanë buzëqeshur kampionëve. Madje, sipas tij, Skënderbeu nuk e meriton aspak vendin e 10-të: Nuk i shkon përshtat Skënderbeut një vend i tillë në klasifikim, kur dihet fort mirë se çfarë potenciali ka. Unë, së bashku me ekipin, po bëjmë të pamundurën për ta kthyer Skënderbeun sa më shpejt në krye. E përsëris, nuk është aspak e mirë që ndodhemi kaq poshtë në tabelën e klasifikimit, por ky është një realitet që duhet zhbërë në fushën e lojës, javët në vazhdim. Ajo ka ikur nuk kthehet më, e rëndësishme është të mos gabojmë më. Në Laç, në humbjen e parë që pësuam në kampionat, fati nuk qe me ne. Atje luajtëm vërtet mirë, kështu që më vjen keq që nuk morëm qoftë edhe një pikë. Nëse më pyesni mua, në këtë ndeshje i meritonim të trija pikët. Edhe gjyqtarët, sidomos në ndeshjet e fundit, po ndikojnë në rezultat, kështu që kërkojmë prej tyre të jenë më korrektë. Katër javët e para duhet ti harrojmë sa më parë, ti kthejmë sytë te sfida e radhës me Kamzën, ku duhet të shfaqemi të plotë dhe në potencialin tonë të vërtetë.

Kamza Skënderbeu do ta presë Kamzën në shtëpi, javën e 5-të, një ndeshje që në fakt në letër duket e lehtë, por nuk do të jetë e tillë në fushën e lojës: Një paralajmërim të tillë bën edhe Gvozdenoviç: I kemi parë ndeshjet se si kemi dalë, kur i kemi nënvleftësuar kundërshtarët. Të gjitha skuadrat, kur luajnë ndaj nesh, japin maksimumin. Edhe Kamzën e vlerësojmë maksimalisht, sepse do të vijë për tu mbrojtur në Korçë, ngaqë e kënaq edhe një pikë. Por, ne nuk duhet të pranojmë asnjë rezultat tjetër, veç fitores. Me një motivim të tillë, jam i bindur që do të marrim maksimumin. Skënderbeu duhet të punojë si grup dhe jo me individë. Nëse kjo ndodh, atëherë të jeni të bindur që edhe rezultatet do të vijnë.

Premtimi Përsa i përket objektivit të kampionëve dhe atë se kur e shikon skuadrën e tij në krye, Gvozdenoviç do të thoshte: U premtoj tifozëve të zjarrtë korçarë se kanë për ta parë shumë shpejt Skënderbeun në krye. Nuk mund të them një javë të caktuar, se kur do të ngjitemi në majë, por jam i bindur që do të vijë shpejt kjo ditë. Tirana dhe Teuta po e kryesojnë superligën për disa gabime që kemi bërë ne në këto 4 javë. Me kthesën që pritet të bëjmë që ndaj Kamzës, do ta kuptojnë të gjithë se duhet të na ndjekin nga pas në këtë kampionat, jot ë jemi në vendin e dhjetë.

Tirana Tashmë ka ditë që mediat janë duke folur në lidhje me atë që Gvozdenoviç po kërkon nga Tirana, ish-skuadra e tij sezonin e shkuar, borxhin prej 13.400 eurosh. Këtë kërkesë Ivani e ka bërë edhe në FSHF, prej nga akoma nuk ka marrë një vendim përfundimtar: Unë po kërkoj një të drejtë timen. Tirana më ka mbi 13 mijë euro borxh, pa mi dhënë nga sezoni i kaluar. Ndryshe nga çfarë flitet, su kam asnjë detyrim bardhebluve, ndaj pres vetëm drejtësi nga federata. Tirana nuk ka qenë korrekte me mua në detyrimet financiare kontraktuale, ndaj kërkoj që e drejta ime të vihet sa më shpejt në vendin e duhur.

Skënderbeu-Kamza, luhet të dielën e 16 tetorit

Edhe pse është ende herët, duhet thënë se ndeshja e javës së 5-të, mes Skënderbeut dhe Kamzës, është mësuar se kur do të luhet. Ditën e djeshme, në klubin Skënderbeu ka mbërritur njoftimi zyrtar nga ana e FSHF-së, e cila ka njoftuar se ndeshja me Kamzën do të luhet ditën e diel, më 16 tetor. Madje, më shumë se kaq, është mësuar edhe orari i ndeshjes, ora 18.00, çka do të thotë se përsëri në Korçë do të ndizen projektorët e stadiumit.

Biletat për Kamzën, më herët në treg

Klubi Skënderbeu, për të mos sjellë amulli në orët e fundit para ndeshjes, ka vendosur ti hedhë në treg të gjitha biltetat e ndeshjes me Kamzën më herët se çdo radhë tjetër. Të gjithë tifozët korçarë, qysh ditën e parë të javës që vjen, do të mund ti kenë në dorë biletat e ndeshjes Skënderbeu-Kamza. Pavarësisht se është akoma herët, drejtuesit e klubit kanë deklaruar se çmimet edhe për këtë ndeshje nuk do të ndryshojnë. Tifozët që qëndrojnë kryesisht në tribunën C, D dhe E, do të mund ta blejnë një biletë me 200 lekë të rinj. Biletat do të fillojnë të shiten nga e hëna në të gjitha pikat e gazetave në qytetin juglindor, por edhe në sportelet pranë stadiumit.

Fagu: Edhe një muaj dhe jam gati…

Mbrojtësi i krahut të djathtë të Skënderbeut, Erbim Fagu, që u mungon kampionëve që prej majit të këtij viti, ka disa javë që ka filluar stërvitjen, por pritet të jetë i gatshëm vetëm në mesin e muajit nëntor, pas atij operacioni të vështirë që kreu disa muaj më parë. Do të kthehem në ndeshjen ndaj Flamurtarit, në javën e 9-të të superligës, kur të luajmë këtu në Korçë. Tani për tani jam duke kryer vetëm vrapime, por pres që shumë shpejt të filloj kontaktet edhe me topin. Dua tu premtoj tifozëve se shumë shpejt do të më shikojnë në fushë, ku do të jap më të mirën për objektivin madhor të Skënderbeut, titullin kampion, – ka deklaruar mbrojtësi kryeqytetas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›