Rubio kërkon të ulë euforinë para ndeshjes me Vllazninë
Trajneri spanjoll i Tiranës, Hulian Rubio Sançez, natyrisht që, përveç seriozitetit dhe kërkesës së lartë ndaj skuadrës së tij, në kohën e lire, apo gjatë kryerjes së ndonjë ushtrimi gjen rastin të hedhë edhe ndonjë batutë me lojtarët e tij. Spanjolli Rubio është një trajner me eksperiencë dhe është përshtatur shumë mirë me klimën bardheblu, madje ka arritur të fitojë zemrat e lojtarëve, por edhe të tifozëve të Tiranës, për mënyrën si ka ndërtuar raporte mjaft të mira me lojtarët dhe stafin e tij. Tri fitoret e fundit kanë sjellë harmoni dhe optimizëm te Tirana e Rubios, mirëpo ky i fundit ka filluar që të mendojë me kohë për transfertën e vështirë me Vllazninë, ku synimi kryesor mbetet marrja e një rezultati pozitiv, pse jo do të guxohet edhe për fitore. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen me Vllazninë. Është një sfidë e vështirë, megjithatë mua më gëzon fakti që i kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe duhet të shfrytëzojmë momentin e mirë që po kalojmë, – u shpreh trajneri i bardhebluve, Hulian Rubio. Ndërkohë, në analizën që zhvillon para çdo seance, ai u ka kërkuar lojtarëve të tij që ta vlerësojnë kundërshtarin e radhës, sepse Vllaznia është një rival për trofe këtë sezon.
Lojtarët Dje, kryeqytetasit kanë përfunduar procesin aerobik dhe janë stërvitur në kompleksin Skënder Halili. Pavarësisht mungesave të disa titullarëve, trajneri Rubio nuk e ka pasur të vështirë të testojë kontigjentin në një ndeshje brenda familjes. Madje duke qenë se pjesën më të madhe të titullarëve i ka stërvitur gjatë këtyre ditëve, ai dje i është kthyer ushtrimeve me topin. Lojtarët jo vetëm që janë argëtuar, por vihet re se të rinjtë, si Selaci, Morina, Tushe, Taku, Peposhi, Burreli po trajtohen shumë mirë nga futbollistët me eksperiencë dhe trajneri spanjoll, madje po përfitojnë eksperiencën e duhur për të ardhmen. Madje Rubio deri më tani ka guxuar që të aktivizojë në ndeshje të rëndësishme edhe disa prej tyre, si: Taku, Tushe, Peposhi e Morina, që janë e ardhmja e sigurt për klubin e Tiranës.
Terreni Për shkak të shirave të vazhdueshëm që kanë rënë dy ditët e fundit, terreni në Skënder Halili ka qenë i lagësht, madje gjithë seanca e djeshme është zhvilluar nën reshjet e shiut, dhe kjo i ka bezdisur jo pak futbollistët kryeqytetas. Stërvitja është zhvilluar në fushën me bar natyral të kompleksit bardheblu. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar aspak trajnerin Rubio dhe lojtarët e tij që të zhvillojnë një stërvitje me ngarkesë të plotë. Spanjolli Rubio dje ka zhvilluar një ndeshje kontrolli mes lojtarëve, që ka shërbyer edhe si një matje pulsi për të gjithë futbollistët që ka pasur në dispozicion. Ndërkohë, skuadra do të bëjë pushim sot, për tiu rikthyer stërvitjes ditën e hënë.
Tirana, dy sezone pa fituar në Loro Boriçi
Sfida e së shtunës së ardhshme që do të zhvillohet në Loro Boriçi në orën 16:00. Padyshim që mund të konsiderohet si kryendeshja e javës së pestë e kategorisë superiore. Tirana dhe Vllaznia janë skuadrat më të rëndësishmë të futbollit shqiptar, ndaj kjo përballje pritet të ketë interes të madh nga sportëdashësit e të dyja ekipeve. Mirëpo, ndryshe nga kuqeblutë që kanë fituar në kryeqytet, si kur janë drejtuar nga Edi Martini para dy sezonesh, ashtu edhe nga Mirel Josa vjet, Tirana ka dy sezone që nuk fiton në Loro Boriçi. Bëhet fjalë për sezonin 2009-2010, kur skuadra drejtohej nga Alban Tafaj dhe Gjergji Muzaka ka qenë autori i golit të vetëm që i dha fitoren kryeqytetasve. Gjithsesi, historia tashmë është ndryshe, madje bardheblutë momentalisht po gëzojnë një formë më të mirë se shkodranët. Kryeqytetasit kanë nëntë pikë në katër javë, ndërsa kuqeblutë kanë gjashtë pikë. Të dy ekipet kanë ndryshuar shumë në përbërje po ti krahasosh me një sezon më parë, ndaj do të kërkojnë të marin maksimumin në ndeshjen e radhës. Bardheblutë duan fitoren për tu konsoliduar në vendin e parë, ndërsa kuqeblutë duan të mposhtin kryeqytetasit dhe të marrin vendin e parë në renditje. Gjithsesi, arma më e fortë për të dy ekipet mbetet sulmi, ku Vllaznia ka në përbërje kualitete, si Sukaj, Sinani e Vajushi, ndërsa Tirana ka dy shkodranët Bala dhe G. Lika, por edhe talentin Morina.
Sot kthehet keniani Situma, por pa Aritën
Duke filluar nga dita e sotme e deri të mërkurën, bardheblutë do të fillojnë të plotësohen. Bëhet fjalë për lojtarët që janë thirrur nga ekipet përfaqësuese. Kështu, i pari që pritet të mbërrijë është mesfushori shkatërrues nga Kenia, Xhejms Situma, i cili dje ishte pjesë e kombëtares së tij në ndeshjen me Ugandën. Situma u largua me kokën e tij, pasi trajneri Rubio kishte dëshirë që ta përfshinte në 18-shen e ndeshjes me Flamurtarin një javë më parë, por lojtari u largua para kohe për tu grumbulluar me Kenian. Gjithsesi, trajneri Rubio, kur u pyet nëse do të ketë ndonjë ndëshkim për Situmën, u shmang të përgjigjej, duke jua lënë topin drejtuesve të vendosin nëse do ta gjobisin apo jo lojtarin. Por, Situma duket se do të vijë i vetëm, sepse bashkëpatrioti i tij, sulmuesi Moses Arita, duket se nuk e ka bindur aspak stafin drejtues gjatë kohës që qëndroi në kryeqytet, duke i mbyllur para kohe hesapet me 24 herë kampionët.
Portieri Mustafa divorcohet me bardheblutë
Portieri shkodran me eksperiencë Arjon Mustafa, i cili iu bashkua Tiranës para një muaji, duket se e ka mbyllur para kohe aventurën me kryeqytetasit. Ish-portieri i Vllaznisë, Partizanit, Besës, Kamzës, Lushnjës dhe Elbasanit, Mustafa, është largura, duke e lënë Tiranën vetëm me dy portierë, që stërviten nga trajneri Astrit Nallbani. Fjala është për gardianin Ilion Lika, i cili është titullar, si dhe portieri me perspektivë, Elidon Selaci, edhe ky i ardhur gjatë verës pas eksperiencave me Besën, Luzin, Besëlidhjen dhe Shkumbinin.
Gilman Lika, lojtari më i mirë i muajit shtator
Gilman Lika, falë paraqitjes së tij në kampionat, por edhe me kombëtaren, ka fituar çmimin Lojtari më i mirë i muajit shtator. Ky çmim i është dhënë atij nga shoqata Sporti na bashkon, që ka përmbledhur votimin e katër gazetave të përditshme sportive në vendin tonë. Gilman Lika, padyshim ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të kampionatit, ku është dalluar jo vetëm në mesfushë, por ka shënuar edhe dy gola të rëndësishëm deri më tani: në Krujë ndaj Kastriotit (eurogol), si dhe ndaj Pogradecit, me 11-m. Vetë mesfushori Gilman Lika ndihet i lumtur për çmimin që ka marrë dhe beson se ky do të jetë një sezon çmimesh dhe trofesh për të dhe skuadrën e Tiranës, ku ai luan. I kontaktuar nga Sporti shqiptar, dje pasdite, Gilman Lika ka pohuar: Unë i falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar mua dhe me kanë vlerësuar, duke më dhënë çmimin si futbollisti më i mirë i muajit shtator. Shpresoj që ky të jetë sezoni i sukseseve për mua dhe Tiranën. Këtë çmim kam dëshirë ta ndaj me të gjithë shokët e mi te Tirana dhe familjen time, sepse edhe ata kanë pjesën e tyre në këtë sukses, – tha mesfushori Lika, i cili u aktivizua si titullar në ndeshjen e së shtunës ndaj Francës, nga trajneri Josip Kuzhe.
