E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ferrin e Dantes me zjarrin e dashurisë

Autori i Lajmit: red.
Pas heshtjes dhe pasivitetit shpirtëror të piktorëve në Tiranë, abstraksioni i piktorit Adrian Dule të drejton në kështjellën ku mbretëron shpirti dhe gjendjet nëpër të cilat lundron ai. Piktori dhe shkrimtari Dule, këtë herë në ekspozitën e tij nuk na ka treguar forcën e fjalës dhe metaforat poetike, por këto të dyja i ka ngrirë në tablo. Në galerinë “Boart”, piktori ka rrëfyer “zjarrin”, “flakët” prezente në shumë tablo herë të kujtojnë ferrin e Dantes dhe herë të tjera dashurinë e flaktë e të përjetshme. Kombinim dhe bashkime ngjyrash perfekte gjallërojnë në muret e kësaj galerie, ndërsa përjeton ekzaltimin shpirtëror.
Në tablotë e tuaja shohim se ngjyra që mbizotëron është e kuqja e zjarrit, që në impaktin e parë të kujton ferrin. Pse kaq shumë të kuqe në tablotë tuaja, çfarë keni pasur dëshirë të demonstroni?
Tërësia e pikturës dhe paraqitja e pikturës, pavarësisht rrymës dhe pavarësisht mjetit që përdor gjithmonë shprehin gjendje, shprehin një gjendje të caktuar dhe gjendjet kam parasysh kryesisht emocionale të krijuesit. Gjendjet emocionale të atij që krijon jo gjithmonë konvergon me gjendjet emocionale të atyre që i shohin sepse njerëzit jo të gjithë janë njëlloj. Kështu nëse e kuqja dikujt i kujton ferrin, dikujt tjetër dashurinë. Nëse dikujt e verdha i kujton xhelozinë, dikujt tjetër i kujton hënën dhe i duket romantike. Edhe një ngjyrë e thjeshtë pa sinjifikuar një objekt të caktuar tek ne krijon të tjera gjendje dhe të tjera situata. Ndërthurja e ngjyrave dhe e linjave është thjesht ajo melodia që artisti ka në vetvete për të shprehur emocionet. Njerëzit mendojnë kur shohin një tablo nëse e gjejnë veten apo nuk e gjejnë veten, ju pëlqen apo jo.

Cila është filozofia që ndiqni kryesisht në pikturat tuaja?
Kur themi një pikturë, jo vetëm pikturë por një krijim figurativ nuk duhet t i shikojmë gjërat në atë kuptimin e thellë shumë dhe filozofik. Nuk mendoj se filozofia ndodhet në një vepër arti, në një pikturë. Në vizatimet e shpellave të vjetra, piktori nuk ka dashur të rrëfej ndonjë teori apo kuptim filozofik. Këto piktura janë naive, por njëkohësisht janë edhe tregimtare, tregojnë diçka të caktuar. Ndërsa ne sot kërkojmë filozofinë duke menduar ç ka dashur të tregoj piktori, e kërkojmë këtë më shumë se ç duhet. Për mendimin tim në një pikturë rregulli i parë është estetik, të rrijë bukur estetikisht. Nëse rri bukur estetikisht me ambientin dhe njerëzit atëherë fillon dhe shpalos vlera.

Jeni shkrimtar dhe piktor. Si i alternoni dhe si i ndërthurni këto dy arte?
Piktura ka poezinë e saj dhe ka linjën e vet poetike që nuk thuhen me fjalë por ndihen kur i sheh po ashtu edhe poezia ka pikturën e vet. Me të vërtetë një poezi ka një linjë poetike sikur bën një pikturë, por në fakt poezia nuk përbën pikturë por nëpërmjet saj krijon një imazh. Po ashtu edhe piktura ka poezinë e vet nëpërmjet krijimit të linjave, kombinimit të ngjyrave e kështu me radhë, gjithmonë kur nuk ka një subjekt të caktuar. Sepse mund të ketë një subjekt historik për shembull si “Kostandini me Doruntinën” apo diçka tjetër. Aty ndryshon puna sepse varet se çfarë shpreh ti në atë subjekt të caktuar, në mënyrë simbolike apo në mënyrë realiste.

Ku fillon piktori dhe mbaron poeti Adrian?
Një kufi të saktë nuk ka, por ku fillojnë dihet se ku fillojnë të dyja. Ku mbaron njëra dhe fillon tjetra është një fill shumë i hollë. Edhe kjo ka të bëjë me gjendjen emocionale të krijuesit. Në momentin që të vjen një ide apo mendim thua se këtë do ta bëj më mirë në telajo. Të dyja kanë metafora shumë të fuqishme. Edhe arti figurativ ka metaforën e vet. Por ndarjen e dy gjinive e bën vetë, ku e ndjen veten se do të shkarkoje metaforën më të fuqishme, ku e ndien veten më mirë. Kush nga këto gjini ta jep metaforën më të fortë që ti ke brenda vetes. Në momentin që ta jep poezia mbështetesh aty. Kalimi nga një gjini tek tjetra është gjithmonë në mënyrën e të shprehurit të metaforës, ndjenjës, emocionit në tërësi apo një ndjenje të caktuar.

Krijuesi ndihet si zot mbi veprat e veta. Po ju Adrian e keni këtë ndjesi kur shikoni një tablo tuajën?
Nëse do ta shohim në kuptimin figurativ, vërtetë që artisti ndihet si zot kur krijon, por zot i pjellës së vetë, i krijesës së vetë. Gjithmonë kur kalohet një limit quhet delirancë. Nëse dashurohesh me krijesën tënde e nuk i sheh defekte, sepse gjë të përkryer nuk ka, të përkthyera janë vetëm krijesat e Zotit lart. Artisti është një, po e quajmë kopje e vogël e zotit apo një qenie njerëzore krijuese. Nëse arrin të dashurohesh me veprën tënde atëherë kjo quhet delirancë dhe kështu nuk ecën asnjëherë përpara. Thjesht nuk je më artist. Gjithmonë në një vepër që krijon je ti në një gjendje, transmeton një gjendje dhe transmeton një mendim dhe krijon diçka. Normalisht që për momentin i duket sikur atë që ka bërë ai nuk e ka bërë njeri në botë, por pastaj me kalimin e atij momenti të parë kupton se ku ke defektet, mendon se ku duhet ta kishe bërë më mirë apo si mund të përdorje qoftë edhe mjeti më mirë.

Shohim që në ekspozitën tuaj ka shumë abstraksione. Është rryma juaj e preferuar apo e ndieni veten më komod në këtë kategori të pikturës?
Nuk kam ndonjë kategori të ndarë me thikë. Faktikisht unë edhe kur kaloj në kategori të tjera si portreti e të tjerë asnjëherë nuk i bëj realisht ashtu siç janë, sepse ç kuptim do të kishte. Ato ashtu reale i ka bërë zoti dhe ne nuk mund t i bëjmë dot më bukur. Rëndësi ka që ne të japim këndvështrimin tonë se si i shohim ato objekte, mënyrën se si ne i shohim ato. Pastaj nëse është një punim abstrakt apo ekspresionizëm abstrakt kjo nuk ka ndonjë farë rëndësie të veçantë.

Zakonisht vëzhguesit e ekspozitave të ekspresionizmit abstrakt, por nganjëherë edhe kritikë të artit e kanë konsideruar këtë kategori të pikturës si kaotike. Sikur gjithçka që japin këto piktura është kaosi shpirtëror i artistit apo i ambientit që e rrethon atë. Ju çfarë mendoni për këtë përcaktim?
Të rrimë shtrembër e të flasim drejt ne kemi kaluar një periudhë të gjatë në Shqipëri, që në botë nuk ndodh. Askush, të paktën për kohën që jetojmë nuk e përcakton si kaos pikturën abstrakte. Por ne e kemi këtë pasi prej 80 vjetësh u vu me dhunë arti i realizmit socialist, pra duhet të ishte hunda hundë, buza buzë, koka kokë, pra gjithçka në raporte fotografike, pa përjashtuar edhe faktin tjetër se duhet të ishin kazma, pushka, drapri e të tjera si këto. U injektua me dhunë tek populli që gjithmonë ta shikoj të bukurën tek arti realist. Por kjo nuk do të thotë se abstragimi, surealizmi e të tjerë ka më pak vlerë. Ky është handikapi që e vështirëson pak vlerësimin. Faktikisht nëse do të shohim sot në shtëpi të ndryshme do të shohim se qëndron i pranishëm arti abstrakt, dhe kjo sepse e ndiejnë veten aty. Por, çdo të thotë në fund të fundit art abstrakt, ai është arti që të krijon gjendje emotive dhe të jem një farë emocioni. Shumë herë nëse do të lexoje një poezi ajo mund të jetë shumë natyraliste si poezi, por nga metafora që përdoren e bëjnë si kaos poezinë. Por nëse vazhdon dhe vazhdon të lexosh poezinë fillon dhe kupton metaforat, kupton krahasimin. Po kështu është edhe arti abstrakt, pavarësisht se të duket si kaos dhe si një zhurmë. Ka edhe nga ata që nuk dinë të vizatojnë dhe hedhin bojë në telajo për të bërë diçka abstrakte. Një pikturë abstrakte amatore dallohet nga një profesioniste.

Çuditërisht në pikturat tuaja është i pranishëm “zjarri”. Rikthehem përsëri tek ferri i Dantes. Pse kaq shumë zjarr?
Ndoshta në atë periudhë që e kam bërë jam ndierë si në ferr, por e thashë edhe më parë, dikujt i duket si ferr, dikujt mund ti duket si dashuri, por sidoqoftë në çfarëdo gjendjeje të kem qenë, e thashë ose do kem qenë i dashuruar ose në ferr, por këto të dyja gjithsesi puqen në një pikë.

Realisht keni qenë në dashuri apo në ferr?
Premtoj se kur të bëj pikturën tjetër do ta mbaj mend dhe do e them.

Adrian, për ju është më e thjeshtë që gjendjet emocionale t i shprehni në poezi apo në telajo?
Nuk e di. Sinqerisht unë nuk mund ta përcaktoj dot. Kur lexoj poezitë e mia pas disa kohësh nuk më duket sikur i kam shkruar unë, por dikush tjetër sepse gjendja në të cilën i kam krijuar dhe ajo ç kam dashur të shprehë ka qenë e ndryshme. Po kështu më ndodh edhe me tablotë. Kam dashur të hedh diçka dhe e kam hedhur. Arti gjithmonë qoftë librat, poezia, romanet apo edhe tablotë gjithmonë janë si instrumente komunikues. Këto arte gjithmonë e mbajnë njëra tjetrën dhe të mbajnë ty si krijues gjithmonë në një gjendje të lirë shpirtërore. Është një shprehje e bukur e një filozofi të lashtë. I shkoi nxënësi mësuesit dhe i tha se po largohem nga ty. Dhe profesori e pyet po pse po largohesh. Po vetë më ke thënë, i tha nxënësi, që nëse rri në një vend qelbesh si uji kur rri në një vend dhe unë kam hall se nëse rri përsëri këtu qelbem. Po pse nuk bëhesh det që të mos qelbesh i tha profesori. Kështu nëse rri në një vend qelbesh, por nëse lëviz nuk qelbesh kurrë. Kjo jo të lëvizësh nga një vend të tjetrin fizikisht, por aty ku rri të lëvizësh dhe nuk qelbesh asnjëherë. Lëvizja jote është në kokë dhe aty ku rri nëse lëviz shpirtërisht gjithmonë arrin të zgjerosh përmasat e tua, bëhesh det dhe nuk qelbesh.

Veç zjarrit, një tjetër element shumë i përdorur në pikturat tuaja është edhe syri i njeriut. Çfarë sinjifikon ai apo cila është metafora që keni shprehur këtu?
Nuk është qëllimi për të vënë një sy, tani që po e mendoj mua syri më shumë se sa më komunikon me njerëzit është një pasqyre e shpirtit. Unë shoh vetveten tek ai sy, dhe jo veten vetëm si artist, por në fund të fundit çdo njeri pasqyrën e tij e ka tek sytë. Sytë na tregojnë se çfarë shohin sytë e gjithsecilit. Këtë nuk mund ta them dot unë se çfarë shohin sytë e mi.

Ky lajm është publikuar: 19/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›