E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: “Berisha, komunisti i fundit në pushtet”

Autori i Lajmit: red.
Erion Veliaj iu kundërpërgjigj dje akuzave të Sali Berishës në drejtim të aktivistëve të G99, duke e akuzuar atë si komunistin e fundit, të përkëdhelurin e regjimit komunist dhe si personin që u vodhi kauzën studentëve në vitin 1991. “Po dëgjoja dje kryeministrin Berisha teksa na akuzonte ne aktivistët e G99 si pjella të komunistëve, por më lejoni t ju kujtoj se ne kemi qenë 5 vjeç kur vdiq Enveri, ndërkohë që Saliu kishte 25 vjet që punonte si sekretar partie dhe si doktor i Bllokut”, - pohoi ai gjatë një takimi të zhvilluar në Pukë. Veliaj shtoi gjatë këtij takimi të zhvilluar dje paradite në Pallatin e Kulturës në Pukë, se “është normale që ky plak 70-vjeçar, një baba që i është nxirë faqja nga zullumet e fëmijëve të vet, të kompleksohet sot nga ne të rinjtë. Por ndërsa ne kthehemi vetëm natën në shtëpi, Berisha nuk guxon të shkelë në shtëpinë e tij në Tropojë pa qenë i shoqëruar më parë nga të paktën 600 gardistë”, - tha kreu i G99. Gjatë këtij takimi, ku merrte pjesë edhe kandidati i parë i G99 për qarkun e Shkodrës, Roland Ilia, Veliaj i kujtoi gjithashtu Berishës se “ky kryeministër që pretendon të jetë një patriot i madh i këtij vendi, dje u shiste naftë serbëve, ndërsa sot i jep toka Fazliçit”. Po dje, ndalesa e radhës për G99 ka qenë Durrësi. Në kuadër të fushatës Rock dhe Politikë janë mbledhur në qytetin bregdetar disa figura të spikatura të të rinjve të suksesshëm në art dhe media. Në prezencë të këngëtarit Alban Skënderaj si dhe të dy të rinjve pjesëmarrës të edicionit të dytë të Big Brother, Bjordit dhe Adelës, Erion Veliaj ka vlerësuar hapat e të rinjve shqiptarë në fushën publike. “Nëse ne do të jemi të gjithë bashkë, në datën 28 ndryshimin do ta sjellin pikërisht të rinjtë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 20/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›