E Shtunë, 31 Tetor 2026

VKM, zbardhen pagat e reja të policisë

 

Trazhgim Sokolaj

Qeveria vendos t’u japë 60 për qind të pagës së gradës nëninspektor, punonjësve të Policisë së Shtetit që pranohen në Shkollën Bazë të Policisë.
Përfitimi i masës 60 për qind të pagës së gradës nëninspektor shkon për ata punonjës që kanë përfunduar arsimin e mesëm, ndërsa përfitimi në masën 100 për qind është për punonjësit e policisë, të pranuar në Shkollën Bazë, që kanë kryer Arsimin e Lartë në një profil tjetër. Kjo është vendosur me VKM-në nr.531, datë 27 prill 2009, ndërsa vendimi i Qeverisë është botuar të premten në Fletoren Zyrtare, duke hyrë kështu zyrtarisht në fuqi. Sipas tabelës bashkëngjitur vendimit, rroga bazë për gradën nëninspektor është 336 mijë lekë të vjetra. Punonjësit e policisë të pranuar në Shkollën Bazë, që kanë përfunduar arsimin e lartë e përfitojnë atë në masën 100 për qind gjatë kryerjes së shkollës ndërsa ata punonjës të pranuar në shkollë, që kanë vetëm armimin e mesëm, përfitojnë një pagë mujore me vlerë 198 mijë lekë të vjetra. Në pikën vijuese të vendimit të Qeverisë, flitet për trajnimet e punonjësve të policisë dhe pagat që ata mund të marrin gjatë kësaj kohe. Pika 5/2 e VKM, thekson se “punonjësi i policisë mund të trajnohet brenda ose jashtë vendit në kuadër të programeve te trajnimeve të parashikuara të organizuara nga institucioni. “Kur punonjësi i Policisë së Shtetit kryen kurse shkollimi ose trajnimi brenda vendit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit, përfiton pagën mujore të vendit të fundit të punës, para fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Pagesa bëhet nga struktura e policisë ku punonjësi ka qenë efektiv para fillimit të shkollimit/trajnimit”, thuhet më tej në vendimin e Qeverisë. Sipas tij, kur punonjësi kryen kurse shkollimi ose trajnimi jashtë vendit, për periudha deri në 6 muaj, ai merr pagën mujore të vendit të punës që ka pasur para fillimit të shkollimit/trajnimit ndërsa për periudha trajnimi mbi 6 muaj, punonjësit të policisë i ndërpritet paga, por familjes së tij i jepet shpërblim si më poshtë:
a) Për punonjësit pa ose me një pjesëtar familje në ngarkim, 40 për qind e pagës mujore.
b) Për punonjësit e policisë me më shumë se një anëtar të familjes në ngarkim, 50 për qind e pagës mujore.
Sipas vendimit të qeverisë, pagesa bëhet nga struktura e policisë, ku punonjësi ka qenë efektiv para fillimit të shkollimit/trajnimit.
Në VKM thuhet se punonjësi i Policisë së Shtetit, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe përfiton një pagë si më poshtë:
a) Në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit zbatues, në masën 300 lekë në orë.
b) Për kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të parë drejtues, në masën 400 lekë për orë.
c) Në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të mesëm drejtues, në masën 500 lekë për orë.
Vendimi i Qeverisë cakton se efektet financiare për pagat e parashikuara në pikat 5/1, 5/2, 5/3 të Vendimit, përballohen nga buxheti i vitit 2009 i miratuar për Policinë e Shtetit. Ndërsa sipas vendimit, efektet financiare do të përballohen edhe nga fondi për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Në fund të vendimit, Qeveria ngarkon Ministrinë e Brendshme me zbatimin e VKM në fjalë.        

Tri kategoritë që përfitojnë nga rritja e pagave
Policia: 216 kandidatë fituan të Drejtën e studimit në Shkollën Bazë

TIRANE – Të paktën 216 persona që u kualifikuan në provimet e pranimit në Shkollën Bazë të Policisë së Shtetit, pritet të përfitojnë nga vendi i fundit i Qeverisë. Vendimi në fjalë megjithatë pritet të ketë efekte edhe për punonjësit tjerë, pasi ndryshimet kanë prekur gjithë tabelën e shpërndarjes së pagave në hierarkinë e Policisë së Shtetit. Veç kësaj, përfitues të pagave të reja, do të jenë edhe punonjësit vazhdojnë Shkollën Bazë në vitin e dytë të saj, një numër ky i përafërt me 250 persona. Nga ana tjetër, përfitues nga vendimi i qeverisë, janë edhe punonjësit e të gjithë piramidës së Policisë së Shtetit, të cilët vazhdojnë detyrat e tyre, ndërsa i nënshtrohen programeve të ndryshme të trajnimit/shkollimit brenda ose jashtë vendit. Kategoria e tretë e përfituesve nga VKM është ajo e mësimdhënësve, qofshin këta punonjës të Policisë së Shtetit apo edhe pedagogë të jashtëm, që punojnë me kohë jo të plotë në Shkollën Bazë dhe në Akademinë e Policisë së Shtetit. për punonjësit e Policisë së Shtetit që vazhdojnë Shkollën Bazë, është vendosur të marrin 60 për qind të pagës së caktuar për granën nëninspektor. Kjo është grada më e ulët e nivelit zbatues, më e ulëta në hierarkinë e gradave në policisë së shtetit. Grada nëninspektor, është e para që përfiton çdo punonjës policie pas hyrjes në këtë profesion. Më pas grada ndryshon në varësi të aftësive e trajnimeve profesionale, arsimit, moshës, karrierës dhe treguesve të tjerë që vlerësohen nga një komision i posaçëm që përgjigjet për ndryshimin e gradave. Vendimi i fundit i Qeverisë, i cili ushtron efekt në tabelën e pagave të policisë, është propozuar nga Ministria e Brendshme dhe e Financave në Qeveri ndërsa më pas është miratuar duke përcaktuar se hyn ën fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Efektet financiare në pagën e punonjësve të policisë së shtetit pritet të fillojnë nga momenti i hyrjes së vendimit në fuqi e në vazhdim. Gjatë viteve të fundit pagat e policisë kanë ndryshuar dy herë si pasojë e sistemit të ri të gradave, ku është bërë rritje për çdo gradë, ndërsa disa punonjës nuk kanë përfituar, pasi janë ulur në gradë çka automatikisht ka sjellë zbritje të pagës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›