E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moskë, paradë ushtarake në stilin sovjetik

Tanket ruse dhe hedhësit e raketave ndërkontinentale kanë kaluar mes për mes Sheshit të Kuq, në Moskë, për të parën herë që nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik. Lidershipi rus është përpjekur në fakt të rikthejë në jetë një zakon të erës komuniste, atë të prezantimit të armatimit të rëndë dhe tërë arsenalit të ushtrisë në paradën e përvitshme të Ditës së Fitores. Presidenti i ri, Dimitri Medvedev, tha se ushtria dhe marina po fuqizoheshin gjithnjë e më shumë. Vëzhguesit ndërkohë thonë se qëllimi kryesor i paradës është të demonstrohet se Rusia është një forcë e vërtetë ushtarake. Kremlini insiston se ngjarja, që shënon edhe mundjen e Gjermanisë naziste në 1945-ën, nuk ka si qëllim të kërcënojë askënd. Presidenti Medvedev, që u ul në post të mërkurën, ka kryesuar paradën në Sheshin e Kuq. "Ushtria dhe armata jonë po fuqizohen, tha ai, dhe fuqia e tyre sot shtrihet në lavdinë historike të armëve ruse, në traditat e fitores dhe shpirtit të lartë të ushtrisë sonë". Paraardhësi i tij, Vladimir Putin, kishte deklaruar më herët se prezantimi i armëve të rënda, në paradën e sivjetshme të Ditës së Fitores, nuk ishte një kërcënim për askënd, por një demonstrim i rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Rusisë. Bandat e marshimit dhe plot 8 mijë trupa të garnizonit të Moskës përshkuan Sheshin e Kuq ndërsa shoqëronin armë të rënda si raketat balistike Topol-M dhe tanket T-90. Madje edhe vetë Sheshi i Kuq i ishte nënshtruar një rikonstruksioni më herët, në mënyrë që të mund të përballonte kalimin e tankeve dhe armëve të tjera të rënda. Stacionet televizive treguan edhe ushtarë që marshonin në qytetet e tjera të vendit, por edhe veteranë me gjokset e rënduara nga medaljet. Rusia ka bërë edhe të tjera "shfaqje" të tilla të aftësive të saj ushtarake përfshirë edhe rifillimin e fluturimeve të gjata të Tupolevëve Tu-95, ikona të arsenalit të vjetër sovjetik. Por, analistët thonë se pavarësisht këtyre sinjaleve të rritjes së fuqisë ushtarake, është i dukshëm fakti se ushtria ruse dhe forcat detare të saj vuajnë nga mungesa e fondeve, nga mangësitë në trajnim, si dhe nga morali i ulët i ushtarëve. Ekspertët thonë se rekrutët që i bashkohen ushtrisë ruse, në shumë raste mund të shndërrohen në subjekte të brutalitetit shokant. Vitin e kaluar, 450 rekrutë humbën jetën si pasojë e rrahjes apo vranë veten. Gjithsesi, duke u kthyer te parada e fundit, ajo kënaqi nostalgjinë e rusëve, ndërkohë që turma njerëzish brohoritës kishin mbushur rrugët dhe me telefonat apo kamerat dixhitale regjistronin gjithçka. Paradat e dikurshme, të erës sovjetike, ishin një eveniment gjatë të cilit shfaqej me madhështi fuqia e ushtrisë. Anëtarët e byrosë politike ndiqnin parakalimin e trupave nga lart dhe ishte pikërisht vendi që ata zinin në tribunë që përcaktonte edhe të ardhmen politike të tyre. Sa më pranë liderëve, aq më shpejt i ngjisnin ata shkallët e karrierës. Këtë radhë, të gjithë sytë ishin të drejtuar nga Dimitri Medevev, President i Rusisë prej tri ditësh dhe Vladimir Putin, Kryeministri i tij i sapozgjedhur. Të dy së bashku ata ndoqën parakalimin e trupave dhe kënduan himnin kombëtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›