E Shtunë, 31 Tetor 2026

Birmani, shqetësim për vonesat në ndihma

Udhëheqësit e Biramnisë po përballen me shqetësimin në rritje të komunitetit ndërkombëtar për ngurrimin që po tregojnë për të pranuar ndihma humanitare pas goditjes së vendit nga një ciklon shkatërrimtar.OKB-ja thotë se avionë me ndihma nuk shkojnë dot në vend sepse nuk kanë leje për t'u ulur.

Një diplomat amerikan i përshkroi kushtet në rajonet e goditur nga stuhia si "të tmerrshme" dhe paralajmëroi se numri i viktimave mund të kapë 100 mijëshin me përkeqësimin e kushteve.

Autoritetet birmaneze thonë se numri i të vdekurve nga cikloni është 22 mijë, ndërkohë që fati i 42 mijë të tjerëve nuk dihet.

Cikloni llogaritet të ketë lënë të pastrehë rreth 1 milionë vetë.

Sipërfaqe të mëdha të deltës Irrawaddy, që u godit më rëndë nga cikloni, mbeten të përmbytura dhe kjo ka shtuar frikën prë përhapjen e sëmundjeve.

Skena tronditëse

Ekipet që ndodhen në disa nga zonat më të prekura nga cikloni kanë përshkruar skena tronditëse.

Disa tregojnë për trupa viktimash që dekompozohen në rrugë dhe të tjerë, për të mbijetuar që luftojnë për bukën e gojës.

Trupa birmaneze dhe ekipe të organizatave humanitare ndodhen në terren dhe po hyjnë më thellë në zonat e prekura.

Por ekipet e shpëtimit thonë se ata përballen me një punë gjigande dhe se shumë të prekur nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

Një korrespondent i BBC-së në këtë zonë thotë se ndërsa autoritetet vazhdojnë negociatat për pajisjen me vizave të orgnaizatave humanitare, numri i viktimave ndoshta po shtohet.

Shqetësim për vizat

Kombet e Bashkuara thonë se një ekip prej katër anëtarësh pritet të mbërrijë të enjten, pothuajse një javë pasi vendi u godit nga një ciklon shkatërrimtar.

Pavarësisht nga shtimi i presionit të komunitetit ndërkombëtar, zyrtarët birmanezë janë treguar të ngadaltë në dhënien e vizave për punonjësit e organizatave të huaja ndërkombëtare.

Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice, i ka bërë thirrje Birmanisë që të pranojë miliona dollarët në ndihma që presin shpërndarjen, duke shtuar se kjo nuk duhet të shndërrohet në çështje politike.

"Ajo që mbetet për t'u bërë është që qeveria birmaneze ta lejojë komunitetin ndërkombëtar të ndihmojë popullin e saj. Kjo duhet të jetë një çështje e thjeshtë.

Nuk bëhet fjalë për politikë, por për krizë humanitare," tha znj. Rice.

Kreu i OKB-së për ndihmat humanitare, John Holmes, tha se qeveria birmaneze po bashkëpunonte, por duhet të vepronte më shpejt.

BBC

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›