Sefgjini sot në gjykatë, kërkon heqjen e arrestit shtepiak
Shtohen akuzat ndaj drjetorit te tatimeve Arben Sefgjini. Pervec akuzave për rrëmbimin e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, gjykata sot ka ngritur edhe nje akuze tjeter ate te rrembimit dhe torturimit te shtetasit Avdyl Loshja.Sot nën shoqërimin e forcave të policisë Sefgjini eshte paraqitur para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për verifikimin e masës së sigurisë "arrest në shtëpi", dhënë katër ditë më parë në mungesë të tij. "Kerkoj te hiqet masa e sigurise 'arrest shtepie' - mesohet te kete thene para togave te zeza, Sefgjini. Ai gjithashtu eshte shprehur se nuk ka ndermend te largohet as nga shtepia, as nga Shqiperia pasi eshte i pafajshem dhe se kjo ngjarje nuk paraqet asnje rrezik per te. "Jam i gatshem te deshmoj" ka thene ai. Nderkohe qe ka shkembyer edhe replika me prokurorin e ceshtjes, Xhevat Hana per manipulim te fakteve te paraqitura.Megjithe kerkesen e Sefgjinit, gjykata mori vendim qe ai te mbetet ne 'arrest shtepie'.Po e njejta mase eshte mbajtur edhe per te pandehurin tjeter Avni Koldashi, i cili akuzohet te kete qene bashkepunetor i Sefgjinit ne zhdukjen e Remzi Hoxhes.Burimet zyrtare pranë kësaj gjykate, konfirmuan për "Shekullin" se gjatë mesditës së djeshme është urdhëruar Drejtoria e Policisë së Tiranës që nën masa të rrepta sigurie dhe pranga në duar të sjellin para gjyqtarit të gatshëm Fran Prendi, të pandehurit Arben Sefgjini e Avni Koldashi për marrjen në pyetje në lidhje me kushtet e zbatimit të masës së arrestit dhe nevojat e sigurimit ndaj tyre. "Katër ditë më parë me kërkesë të përfaqësuesit të prokurorisë, prokurorit të çështjes Xhevat Hana Gjykata e Krimeve të Rënda shqyrtoi kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie" ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe të akuzuar për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe biznesmenit Remzi Hoxha i cili është zhdukur. Prokurori i çështjes gjatë leximit të kësaj kërkese kërkoi nga Gjykata caktimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie" për tre të pandehurit Sefgjini, Koldashi dhe Meçe, pasi sipas akuzës, janë krijuar kushtet dhe dyshimet që të pandehurit rrezikojnë t'i shmangen fazës hetimore duke u gjykuar në gjendje të lirë",-thuhej ndër të tjera në kërkesën e prokurorit. Sipas burimeve të gjykatës, mësohet se pas shqyrtimit të kërkesës së akuzës dhe administrimit të një sërë provash dhe dyshimesh të ngritura ndaj të pandehurve që mendohej se mund t'ju shmangen fazës së hetimit gjyqësore, gjyqtari Fran Prendi vendosi pranimin e kërkesës së akuzës që tre të pandehurit të izolohen në shtëpi me masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Por, me vendosjen e kësaj mase shtrënguese në mungesë dhe ekzekutimin e këtyre vendimeve nga oficerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, togat e zeza të kësaj gjykate në bazë të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale janë të detyruar që brenda tre dite t'i marrin në pyetje të pandehurit ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë. Sipas këtij neni të parashikuar në faqen 123 të Kodit të Procedurës Penale, që ka të bëjë me marrjen e personit të arrestuar në pyetje thuhet shprehimisht se "Jo më vonë se tri ditë nga zbatimi i masës, gjykata e merr në pyetje personin për të cilin ka vendosur arrestin në burg ose në shtëpi. Nëpërmjet marrjes në pyetje gjykata verifikon kushtet e zbatimit të masës së arrestit dhe nevojat e sigurimit. Kur këto kushte nuk ekzistojnë, gjykata vendos revokimin ose zëvendësimin e masës"-thuhet ndër të tjera në nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu, në bazë të këtij neni, verifikimi i masës së sigurisë me personin e arrestuar zhvillohet në prani të prokurorit, mbrojtësi dhe vetë të pandehurve të cilët lajmërohen nga sekretaria e gjykatës. Po në këtë seancë gjyqësore, gjyqtari që ka caktuar masën e sigurisë në mungesë me marrjen në pyetje të të pandehurve, vlerëson kushtet e zbatimit të masës nëse ekzistojnë shkelje në ekzekutimin e tyre mund të revokoj vendimin e dhënë tre ditë para. Sipas këtyre burimeve nga togat e zeza mësohet se zhvillimi i seancës gjyqësore do të zhvillohet me dyer të mbyllura mesditën e sotme, rreth orës 12:00 në sallën numër 1 të Gjykatës së Krimeve të Rënda që ndodhet në katin e parë të saj. Mësohet se gjatë ditës së sotme pritet të paraqitet vetëm të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, pasi i pandehuri Budjon Meçe nuk mund të paraqitet në gjykata për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ndërsa i pandehuri katërt i kësaj dosje Ilir Kumbaro tashmë ndodhet në listën e të kërkuarve ndërkombëtar. Sipas prokurorisë katër ish-drejtuesit e SHIK-ut akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.
Neni 248
Marrja në pyetje e personit të arrestuar
1. Jo më vonë se tri ditë nga zbatimi i masës, gjykata e merr në pyetje personin për të cilin ka vendosur arrestin në burg ose në shtëpi.
2. Nëpërmjet marrjes në pyetje gjykata verifikon kushtet e zbatimit të masës së arrestit dhe nevojat e sigurimit. Kur këto kushte nuk ekzistojnë, gjykata vendos revokimin ose zëvendësimin e masës.
3. Në pyetjen e të arrestuarit marrin pjesë prokurori dhe mbrojtësi, të cilët lajmërohen nga sekretaria e gjykatës.
4. Kur pyetja e të arrestuarit duhet të bëhet në gjykatën e një rrethi tjetër, gjykata kërkon që pyetja të bëhet nga një gjyqtar i asaj gjykate.