Kuvendi, debate për imunitetin dhe sondazhin mbi korrupsionin
Sot seanca plenare ka nisur me diskutim të lirë. Deputetët kanë kërkuar rikthimin e ligjit të imunitetit në parlament, ndërkohë që Pëllumb Xhufi, deputeti i LSI-së është shprehur se Berisha nëpërmjet shantazheve, ka tulatur edhe atë pjesë të opozitës që ngrinte zërin ndaj korrupsionit.
Erjon Braçe deputeti i PS, u shpreh se korrupsioni është në shifra alarmante. Sipas tij vlera prej 13% është shumë e madhe po të krahasohet me ritmin e rritjes ekonomike 5-6%. Sipas sondazhit 54% e shqiptarëve janë përgjigjur se janë më keq se viti 2006, 39.9% janë njësoj ndërsa vetëm 9.1% e tyre janë shprehur se janë më mirë. “Këto janë shifrat dhe treguesit e qeverisjes” – tha Braçe.
Kam dalë këtu se 2 ditë më parë Berisha vendosi të japi një përgjigje për Remzi Hoxhën. Për herë të parë ish- presidenti në kohën e Krimit dhe kryeministër në kohën e fshehjes së krimit mbajti sërish një qëndrim të frikshëm sa i përket drejtësisë. Ai vendosi të jetë kundër qytetarit dhe në anën e krimit. Ai vendosi të jetë në anën e atij që shantazhojnë drejtësinë.
Berisha vendosi të na tregojë se ka vendosur shtetin në mbrojtje të krimit. Ai që përdor shtetin për të vrarë qytetarët.
Për shumë muaj ne s’kemi më vend ku mund të jetojmë të sigurt. Ne kemi qeveri nën akuzë si askush më parë. Qeveri që i shërben vetes në bankën e akuzës kundër qytetarit. Për korrupsion dhe vrasje. Ne kemi një ministër të jashtëm nën hetim dhe një ministër mbrojte nën hetim. Ministër drejtësie politik në tentativë në korrupsion. Ministër transporti që e thërrasin dëshmitar në gjyqe për vrasje.
Ne kemi qeveri që e ka kthyer korrupsionin në mënyrë jetese.Të kapur në krim kundër qytetarit Sali Berisha po vendos në këtë vend një standard tejet kriminal, mund të vrasësh të presësh, të vjedhës dhe të mbron Berisha.
Po të punosh për Sali Berishën, po të mbrosh politikën e tij mund të bësh çdo gjë sepse të mbron Sali Breisha.
Ky nuk është shteti i 92% të shqiptarëve që kanë thënë se janë më keq se më parë.
Pëllumb Xhufi, LSI
Miratimi i ndryshimeve kushtetuese symbyllazi ishte produkti i fundit i këtij parlamenti në datën 21 prilli. Që prej asaj dite parlamenti po i heq këmbët zvarrë a thua do të jetë fundi i vet. Fjala opozitare këtu skam më vlerë. Pas 21 prillit këtë parlament e ka pllakosur hija e kryeministrit. Deformimi i Dushkut vazhdoi dora dorës, me votën e deputetëve të mazhorancës e disa deputetë të kapur të pakicës.
Sot e tutje merr më shumë rëndësi ajo që ndodh jashtë mureve të këtij kuvendi. Shumëkush përpiqet ti japë ngjyrë kushtetutës dhe ndryshimeve që u bënë në 21 prill.
Protagonistët e kësaj shëmtie po mundohen të na bindin se këto janë produkt i reformave, të cilat kanë përfunduar gjithmonë në rezultatin humbës.
Ne na duket se çelsi për cenimin e kushtetutës qëndron diku gjetkë. Në fillimin e kësaj legjislature e dimë se Berisha kërcënonte me hapje dosjesh të gjithë ata deputetë që ngrinin zërin. Jo më kot Berisha ju rikthye lojës së shantazheve.
Në datën e 27 mars kur dikush guxoi të ngrinte zërin për korrupsionin në Gërdec, Berisha iu kundërvu duke thënë se do hapte letrat dhe dosjet e tij të korrupsionit.
Është rasti për ti hapur- tha Berisha a thua se letrat e korrupsionit hapen me raste. Të gjitha do ti hapim edhe lejet edhe pallatet – ka vazhduar Berisha me shantazhe.
Me këto ai tulati atë pjesë të opozitës që guxoi të ngrinte zërin dhe ky është sekreti i qeverisë Berisha. Kjo shpjegon pse një pjesë e opozitës u tërhoq nga beteja për korrupsionin në Gërdec.
Bujar Leskaj, deputet i PD
Të gjithë u njohëm me rezultatet e korrupsionit ditën e djeshme të financuar nga USAID dhe të bëra nga IDRA. Ky sondazh nuk shpreh qëndrimet e USAID por komenti rreth të dhënave negative që ai paraqiti është në detyrën tonë.
Nga një sondazh i para disa vitesh i një instituti prestigjioz, si Gallup, përsa i përket ndikimit që ka në korrupsion imuniteti i deputetit rezultoi se ai ndikon në masën 60%.
Rezultati më i fundit është se besueshmëria e publikut në partitë politike ka rënë në 30%. Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të japim zgjidhje.
Zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të hartojmë një ligj për imunitetin e deputetit ose të vazhdojmë nismën e Berishës që kërkon lehtësimin e imunitetit.
Duhet që deputetët të kenë të njëjtat të drejta si qytetarët e tjerë shqiptarë. Ky ligj do të na nderonte ne. Natyrisht imuniteti është i lashtë sa vetë politika por në asnjë mënyrë ne nuk mund të ngatërrojmë dy shtyllat kryesore mbi të cilat ai ndërtohet. Parimi i mos mbajtjes së përgjegjësisë për fjalën e dhënë.
Në këtë moment që jemi, është detyra jonë që të rikthejmë në kuvend ligjin për imunitetin. Edhe nëse ai nuk miratohet të paktën populli do ta dijë se kush deputet kërkon të fshihet si struci pas imunitetit. Kjo na lartëson ne të gjithë dhe politikën shqiptare, besueshmëria e të cilave ka rënë ndjeshëm. Me këtë imunitet të sforcuar që po mbajmë, u tregojmë popullit se ne nuk jemi të barabartë me ta.
Arta Dade, deputete e PS
Shpreh keqardhjen për helmin që vazhdon të dalë nga kolegë të nderuar që i përkasin opozitës të cilët vazhdojnë të flasin me shpifje dhe thashetheme.
Vizita e fundit e kryeministrit Berisha në Bruksel ishte rast i mirë për të matur marrëdhëniet me BE-në, me të cilën jemi prej vitesh në një proces marrëdhëniesh të ngushta.
Me keqardhje vrej kur Barroso dha kritikat e tij Berisha vjen të na i servirë në një realitet tjetër.
Ai i ofron formula mirësjellje publikut dhe i transformon fjalët e tyre me gjuhë jo të drejtë, dhe jo siç janë shprehur vërtet ata.
Vizita zbuloi vonesën që po bëhet nga marrëdhëniet kontraktuale që kemi me BE. Lufta ndaj trafiqeve dhe krimit të organizuar dhe respektimi i standardeve vazhdojnë të mbeten emergjenca.
MSA vazhdon të mbetet e paratifikuar nga shumica e vendeve madje edhe nga fqinjët tanë. Kjo është rezultat i paaftësisë dhe neglizhencës së pashmangshme të qeverisë.
Është paradoksale që qeveria thotë se ka përmbushur axhendën evropiane, dhe nga ana tjetër nuk flet asgjë në drejtim të hapave të mëtejshme të afrimit me Komunitetin Europian.
Është e kotë që trumbeton liberalizimin e vizave gjë që dihet se është ende shumë e largët dhe me disa detyra shtëpia që ne nuk i kemi marrë seriozisht.
Personalitetet e SHBA, kongresit apo këshillit të sigurisë me të cilët delegacioni u takua dhanë mesazhe të qarta për sfidat që na duhen deri në anëtarësimin në NATO. Vetëm dje publiku u njoh me luftën që bën maxhoranca për karrige dhe vende drejtuesish.
Kjo është Shqipëria e sotme që ka ngelur në vend numëro sa i përket integrimit evropian.
Marko Bello: Shakaxhi i madh ky kryeministri ynë
Në këtë Shqipëri, në vend të jetë ligji i forcës duhet të jetë forca e ligjit. Pas kthimit nga Brukseli kryeministri tregoi haptazi se e ka të vështirë ti përshtatet vlerave demokratike që kërkohen. Demokracia është një slogan ndërsa BE sipas tij i ngjan një biçim klubi që duhet të përmbushësh disa rregulla në mënyrë që të futesh.
Kryeministri e tregoi se nuk mund të pajtoht me demorkacinë, ndryshe ska si të gjykohet inati i tij ndaj Gjykatës Kushtetuese se mori një vendim në krah të biznesit duke i kundërshtuar fjalën atij.
Ky, kryeministri i piramidave dhe Gërdecit tha se gjykata kushtetuese do ta paguajë shtrenjtë atë që bëri.
Po ashtu ai tha pa ju dridhur qerpiku se nuk do të shkarkonte Sefgjinin, pasi nuk ka para ta zhdëmtojë në rast se ai del i pafajshëm.
Shakaxhi i madh kryeministri ynë ka hallin e parave të taksapaguesve shqiptarë.
Po pyetja ime është pse nuk i erdhi keq për dhjetra miliona lekë që hodhi për trajnimin e militantëve që i futi në administratën publike duke heqë njerëzit e aftë dhe të përgatitur.
E drejta vonon por nuk të harron. Sot pas 13 vitesh jemi para një vendimi deciziv nëse drejtësia do të triumfojë apo jo.
Kur u rrëzua herën e parë nga kali, Berisha ishte më i ri më sportiv dhe më pelivan por nëse rrëzohet kësaj here do të thyejë kokën.
Kastriot Islami, deputet i PS: “Disa deputetë kanë lindur të vdekur”
Në qoftë se në parlament është miratuar me 87% ndryshimi kushtetues, nuk arrij të kuptoj se nëpërmjet një vendimi antikushtetues dhe korruptiv kërkohet të mbrohet kushtetuta.
E gjithë kjo lëvizje është lëvizje spekulative, politike, lëvizje që tregon gjendje të vështirë dhe panik e shoqëruar dhe me mllef.
Këtu do ju tregoja një anekdotë në Shkodër gjatë periudhës komuniste. Një ekip shkodran niset për një vizitë turistike në Suedi, dhe pasi panë vende shumë të bukra njëri prej tyre shpreh dëshirën për të shikuar varrezat. Shkojnë atje dhe mbi varre shikon fotografi që shkruhej ‘ka jetuar 11 muaj dhe vdiq’, ‘ka jetuar 9 muaj dhe vdiq’. Hidhet njëri dhe thotë po ne s’donim varreza fëmijësh por të rriturish. Ja kthen ai në fakt këto janë varreza të rriturish por mbi varr shënohet vetëm pjesa aktive e jetës së vërtetë dhe jo gjumi apo koha e mashtrimeve. Mendo sikur kjo gjë të kishte ndodhur në Shqipëri për disa deputetë do shkruhej që ka lindur i vdekur. Unë shikoj se shumë politikanë që vazhdojnë me spekulime dhe abuzime do tu shkruhet sipër se kanë lindur të vdekur.
Aldo Bumci, deputet i PDDëshiroj tju kutjoj vendimet e gjykatës kushtetuese. Në kritikat që ka bërë opozita ndaj qeverisë është se ‘qeveria kërkon të vendosë diktatin mbi institucionet’. Por në fakt ky është deformim i të vërtetës. Na ç vend të botës gjykata kushtetuese jep vendime të formës përfundimtare.
Nuk mund të bëhen politike vendimet e gjykatës. Është mjerane që është ndërtuar një argument i tërë politik mbi këto vendime të gjykatës.
Si ka mundësi që gjykata kushtetuese të jetë e varur nga qeveria kur vendos kundër vendimit të shumicës të kthejë 14 ligje si antikushtetuese. Kjo do të thotë se gjykata është e lirë! Në vitin 2001 gjykata kushtetuese i ka dhënë mandate deputetësh ndërsa sot gjykata kushtetuese vendos kundër shumicës. Ky është tregues i konsolidimit të vendit.